1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët e Kosovës nuk janë të diskriminuar si dikur, por janë ende të varfër

12 Shkurt 2011

Krahasuar me disa vite më parë, jeta e komunitetit rom në Kosovë është përmirësuar dukshëm. Megjithatë krahas trajtimit të barabartë e afrimit të standardit jetësor me komunitetet e tjera, problem kryesor mbetet arsimi.

https://p.dw.com/p/10GEb
Fëmijë romë kosovarë duke luajtur në rrugëFotografi: Ajete Beqiraj

Një shtëpi e vogël me tulla balte të pjekur ka qenë vendbanimi i Mevlyde Murtishit, rome nga Mitrovica, deri në shpërthimin e luftës në Kosovë. „Nji shpi me qerpiq, më një dhomë, pa banjë e pa kurrgja. Ujë merrsha nëpër hallk se nuk kom pas. E nxejsha n´kazan e u lajshim m´koritë. Cka me ba…“, mbledh krahët Mevldyja, tek lan rrobat para shtëpisë së ndërtuar nga donacionet e BE-së.

E lindur para 60 vjetësh, e martuar në moshën 15 vjeçare dhe e bërë nënë në 17 vjeç, Mevldyja jetoi në këtë kasolle pa oborr as pa një fryme të vetme bagëtie, me të gjashtë fëmijët dhe bashkëshortin e saj, hamall. „Tokë? Jo, pasha Zotin, as tokë, as lopë, as pulë, as dhi, as kurrgja. Kom rrnu qashtu…qysh kane rrnu tetanë! M´ka punu burri me samara e me ato pare qe i binte bajshim idare. Po, valla. Tetanë na shajshin, e na pshtyshin”, rrëfen kjo e moshuar rome.

Flash-Galerie Kosovo Roma
Mevlyde Murtishi rrëfen jetën e sajFotografi: Ajete Beqiraj

Diskriminimi ndaj romëve ka qenë pjesë e përditshmërisë

Një ndjenjë të tillë, Vlora 30 vjeç nga komuna e Deçanit e njeh mirë nga rrëfimet e së ëmës. “Nana jeme p.sh., n´koftë konë n´rend e para me marr dicka kanë thonë: “Jo, kjo le t´largohet se osht gabelicë. Na duhet me marr përpara, e kjo le t´merr cka t´mbet. Nëse s´i pritet, le t´shkojë n´shpi t´vet. E fyeme e e poshtnume gjithqysh. Tash ka ardhë kohë tjetër. Kurgja s´është ma si dikur“, mendon Vlora, e cila e quan veten me fat që jeton në një kohë tjetër. „Tokë s´kam pas, por komuna ma ka mundësu me jetu në objekt social, në banesë 37 kuadratëshe. Rrnoj me ndihmë social, por kam përkrahje shumë prej shqitparëve. Asnjë dallim nuk e kam se jam rome. Tash, si rom, ashkalinj, egjiptas, boshnjakë, serb e shqiptarë të gjithë jemi të barabartë“.

Në krahasim më të kaluarën, jeta e komunitetit rom në Kosovë është përmirësuar dukshëm. Angazhimi qeveritar, por edhe përkrahja e fuqishme e donatorëve ndërkombëtarë, po bëjnë që në Kosovë të mbyllen qendrat kolektive ku kanë qenë të përqëndruar këto komunitete. Në kuadër të sistemimit nëpër vendbanime të reja, ofrohen edhe trajnime të ndryshme, programe këshillimi dhe arsimimi, si dhe mundësi për vetpunësim. Kjo kontribuon dukshëm në riintegrimin e plotë të komunitetit në shoqëri.

Por ende ka familje të pastreha dhe familje të zhvendosura brënda e jashtë vendit, fenomen ky që prek edhe familje të komuniteteve të tjera në Kosovë. Haxhi Zulfi Merxha, kryetar i Partisë së Romëve të Kosovës thotë se komuniteti më i prekur nga zhvendosjet është komuniteti rom, numri i të cilit sipas tij më parë ishte rreth 130 mijë.

Kosovo Roma der von Müll sachen lebt
Varfëria shoqëron jetën romeFotografi: DW/ Beqiraj

Varfëria dhe diskriminimi shkaktuan shpërnguljen e romëve

Haxhi Zulfi Merxha kujton jetesën e romëve në kohën e Tito-s, në vitet 80-të. Atëherë të 130 mijë romët në territorin e Kosovësnuk kishin ndonjë funksion kyç në shoqëri, por të gjithë kanë qënë në marrëdhënie pune dhe jetonin mirë, mendon kryetari i Partisë rome. "Atëbotë ne ishim të njohur edhe si bashkësi etnike, kishim shkollën në gjuhën rome, kemi pasur televizionin dhe radion, 24 orë. Por, me ardhjen në krye të Partisë Socialiste të Serbisë me në krye Millosheviçin të cilit nuk i interesoi askush tjetër përveç popullit serb, filloi rënia e romëve të cilët filluan ta lëshonin Kosovën kush si kishte mundësi“.

Shpërthimi i luftës në Kosovë, ishte një goditje tjetër në standardin e jetës edhe ashtu të varfër të romëve në Kosovë. Ndërsa, marshimi forcave të NATO-s në Kosovë dhe kthimi i popullatës pas dëbimit, solli një valë të re shpërnguljesh e dëbimesh për romët, të cilët nga komunitetet e tjera joserbe akuzoheshin për bashkëpunim me forcat policore dhe paramilitare serbe.

Nuk ka një shifër të saktë për numrin e romëve të vrarë, të shpërngulur e as të përndjekur, por një e vërtetë mbetet e palëkundshme. Edhe 12 vjet pas luftës, numri i dikurshëm i romëve nuk është plotësuar, thotë Haxhi Zulfi Merxha. Aktualisht numri i romëve në Kosovë llogaritet në 30 mijë vetë. Merxha thotë se romët kanë vështirësi të jetojnë kulturën e tyre.

"Prej programit televiziv 24 orë i kemi vetëm 40 minuta në javë dhe një radio, e cila dëgjohet vetëm brenda qytetit. Kemi liri të lëvizjes dhe siguri, por nuk kemi punësim. P.sh., edhe pse në komunën e Prizrenit jetojnë 5500 rom, asnjëri prej tyre nuk punon. Këtë nuk e them për komunat e tjera, gjithsesi. Ndërsa, sa i përket jetës politike, kemi një vend të garantuar në parlament e në rast se fitojmë më shume vota, mund të kemi edhe më shumë“.

Flash-Galerie Kosovo Roma
Një vajzë rome shkon në shkollëFotografi: Ajete Beqiraj

Qeveria e re shpresë për ndryshime

Arsimi i fëmijëve rom është një problem shtesë i këtij komuniteti. Strategjia për Arsimin Parauniversitar 2007-2017 do duhej të krijonte mundësi mësimi më aktiv për komunitetet, fëmijët e të cilëve shkollohen në gjuhën joamtare, varësisht nga vendi ku jetojnë. Mirëpo, romët edhe me tej i përcjell një problem i tillë.„Mirëpo, deri me tani ne nuk kemi shkolla në gjuhën tonë dhe secili fëmijë mëson si i vjen më lehtë. Disa mësojnë në turqisht, disa në shqip, disa të tjerë në boshnjakisht, ndërsa të tjerë mësojnë në gjuhën serbokroate dhe atë, me planprogram të Serbisë”, thotë kryetari Haxhi Zylfi Merxha.

Për kryetarin e partisë se romëve të Kosovës ka një shpresë. Qeveria e re: “Me formimin e qeverisë së re do të mirren parasysh me seriozisht problemet e pakicave dhe do të përmirësohen gabimet e së kaluarës, që nje herë e përgjithmonë pakicat në Kosovë të gëzojnë të drejtat që ju takojnë“.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Lindita Arapi