1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Roli i Shqipërisë dhe sfidat në bashkëpunimin rajonal në fushën e mbrojtjes

Shqipëria si pjesëmarrëse aktive në shumë projektet rajonale si SEEDM - South East Europe Defense Ministerial dhe Karta e Adriatikut 5 synon të rrisë rolin e saj konstruktiv në nismat për siguri dhe stabilitet.

Bashkëpunimi rajonal në fushën e mbrojtjes për të garantuar siguri, paqe, dhe stabilitet në Ballkanin Perëndinor, Europën Jug- Lindore dhe më gjerë po vlerësohet nga qeveria e re e Tiranës si një dimension shumë i rëndësishëm i politikës së saj të jashtme dhe i të qenit vend anëtar i NATO-s. Në arkitekturën e pasur të ngritur në rreth 20 vjet, me nisma të konsoliduara ku merr jetë ky bashkëpunim, Shqipëria po shfaqet muajt e fundit eksploruese për mundësi të reja partneriteti dhe rritje të rolit të saj.

Ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli thotë për DW se kjo përqasje e qeverisë së re të Tiranës është sa realiste aq edhe vizionare, pasi po merr fort në konsideratë rolin e rëndësishëm që faktori shqiptar luan në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Mimi Kodheli

Mimi Kodheli

"Shqipëria është dhe do të mbetet një faktor sigurie për rajonin dhe më gjerë. Kur flasim për këtë rol të Shqipërisë, flasim për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, për këtë pjesë vitale të rajonit, që po ecën pa mëdyshje në rrugën e transformimit dhe të demokratizimit të shoqërive, të institucioneve ku përfaqësohen shqiptarët në nivel kombëtar apo rajonal." Sipas ministres Kodheli, ka një vullnet të fuqishëm politik që ky rol të forcohet në të mirë të të gjithë rajonit, sepse bashkëpunimi rajonal është një shtyllë kryesore e politikave të mbrojtjes.

Si materializim i shpejtë i përqasjeje duket se janë vizitat zyrtare të Ministres së Mbrojtjes, kohët e fundit në Greqi, Kosovë, Itali dhe së shpejti në Turqi. "Këto vende janë partnere strategjike si në sigurinë dhe stabilitetin në rajon ashtu edhe në marrdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes. Fakti që Shqipëria është një vend i NATO-s hap horizonte të reja, të gjera të bashkëpunimit strategjik me këto vende dhe realizimit të nismave të përbashkëta. Marrdhëniet me Greqinë po ecin drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të konsiderueshëm, citoj deklaratën e ministrit grek të Mbrojtjes, Avramopulos se 'po hapim një kapitull të ri në marrdhëniert mes dy vendeve'. Po sjell në vëmendje që në shtetin helen aktualisht po studiojnë 35 studentë, ushtarakë karriere dhe oficerë të lartë shqiptarë, ndërkohë që ushtarakë grekë kanë përfunduar Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Shqipëri. Edhe Turqia, vend anëtar i NATO-s, me lidhje të ngushta me Shqipërinë është një partnere strategjike, në politikat e mbrojtjes, në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit."

Projektet e përbashkëta - zemra e arkitekturës së bashkëpunimit rajonal

Vullneti për të kontribuar në sigurinë dhe paqen në rajon jetësohet përmes pjesëmarrjes aktive të Shqipërisë në nismat rajonale si SEEDM - South East Europe Defense Ministerial, Karta e Adriatikut 5, Parandalimi dhe përgatitja për fatkeqësi natyrore, etj. Adriatik Mema, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes thotë për DW: "Nismat rajonale në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kanë kontribuar shumë për promovimin e paqes dhe të fqinjësisë së mirë në rajon. Nismat konkretizohen përmes projektesh të përbashkëta si "Balcan Regional approach to Air Defence" në kuadër të konceptit të NATO-s për "smart defence", "Balkan Medical Task Force", një grup i gatshëm që operon në nivel rajonal, Shkolla e Përbashkët e Policisë në Afganistan, stërvitje ushtarake të përbashkëta, pjesëmarrje me kontigjente të përbashkëta në operacione të drejtuara nga NATO, projekte për nxitjen e barazisë gjinore në ushtritë e rajonit, etj. Frut i vullnetit politik të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit është forcimi i mekanizmave rajonalë të bashkëpunimit si Qendra Treinuese në Sarajevë, Qendra e Medias në Maqedoni, Qendra e Mbrojtjes kimike dhe bakteriologjike në Serbi, Kursi i lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Shqipëri", thotë Adriatik Mema.

Adriatik Mema

Adriatik Mema

Vullnetit politik për bashkëpunim në të mirë të sigurisë dhe stabilitetit i duhet të përballojë sfida të përbashkëta dhe të shmangë rreziqe. Ndër to nuk përjashtohet sfida e nacionalizmit, nga i cili edhe pse rajoni nxorri mësime, nuk mund të ketë imunitet. Ka kërcënime kibernetike dhe domosdoshmëri për 'cyber difence' pa lënë mënjanë situata që lidhen me zhvillime gjeo- politike. "Situata gjeopolitike me të cilën ne përballemi sot nuk është e qetë. Madje në disa raste është edhe e trazuar dhe kjo e bën edhe më të vëmendshme politikën e jashtme shqiptare dhe politikën e Ministrisë së Mbrojtjes në raport me zhvillimet gjeopolitike. Ka një situatë të turbullt pasi disa vende që lagen nga deti Mesdhe, si edhe Shqipëria, kanë probleme të rëndësishme: ngjarjet në vendet e Maghrebit, situata në Siri apo më gjerë. Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s është serioze në angazhimet e saj gjeopolitike: është pjesëmarrëse me trupa speciale në front të parë të luftës në Afganistan, në të gjitha misionet paqeruajtëse, në Kosovë, e cila mbetet një element shumë i rëndësishëm i sigurisë në rajon, dhe ka përfaqësuesit e saj në Bosnje-Hercegovinë, që është përsëri një vend i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në Rajon", thotë për DW ministrja Kodheli.