1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Roli i SHBA prej ndërtimit deri në rënien e Murit të Berlinit

Miodrag Soriç13 Gusht 2012

Me ngritjen e Murit të Berlinit në gusht të vitit 1961 u çimentua në kuptimin e plotë të fjalës ndarja gjermane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan fillimisht të përmbajtura ndaj bllokimit të njerëzve në RDGJ.

https://p.dw.com/p/J8tq
Nëntor 1961: ndërtimi i Murit të Berlinit. Ne foto: pamje nga ndertimi i Murit të Berlinit
Nëntor 1961: ndërtimi i Murit të BerlinitFotografi: ullstein - Czechatz

1961: në gjashtë muajt e parë të vitit largohen nga RDGJ mbi 150 mijë vetë

Më 13 gusht të vitit 1961 Berlini Lindor filloi bllokimin e RDGJ nga Perëndimi. Ngritja e murit të Berlinit ishte pjesë e kësaj mase. Bashkimi Sovjetik dhe Republika Demokratike Gjermane - RDGJ nuk dinin si të vepronin ndryshe për të penguar valën e refugjatëve nga Gjermania Lindore për në Perëndim. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 1961 u larguan nga RDGJ mbi 150 mijë njerëz. Në vitet e mëparshme ishin larguar mbi tre milionë. Shpesh ishin të rinj me kualifikime të larta ata të cilët i kthenin shpinën socializmit në tokën gjermane.

Për presidentin Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte shkak për luftë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan me gjakftohtësi. Për presidentin Xhon F. Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte shkak për luftë. Tri themelet e politikës së tij ndaj Gjermanisë mbetën të paprekura nga ngritja e Murit: qarkullimi i lirë në Berlin, prania e fuqive perëndimore ne qytet si dhe liria e popullit në Berlinin Perëndimor.

Për të demonstruar prani, Kenedi dërgoi në qytetin e ndarë gjeneralin Lukjus Klei (Lucius Clay), heroin e urës ajrore të Berlinit në vitet 1948/49 dhe nënpresidentin Lindon B. Xhohnson. Ai vetë e vizitoi për herë të parë në vitin 1963 Republikën Federale të Gjermanisë. Para ndërtesës së bashkisë Shëneberg (Schöneberg) ai mbajti më 26 qershor para qindra-mijëra njerëzve një fjalim mbi Murin dhe lirinë. Në këtë vend ai i shqiptoi fjalët që u futën në histori:

Xhon F. Kenedi në fjalimin e tij në Berlin, para Bashkisë së Shënebergut (1963)
Xhon F. Kenedi në fjalimin e tij në Berlin, para Bashkisë së Shënebergut (1963)Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Unë jam një berlinez".

Karizma e presidentit Kennedy i pajtoi berlinezët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur Berlini Lindor filloi ndërtimin e Murit ndarës shumë kishin pritur një angazhim më të madh të SHBA. Megjithatë administrata e Kenedit si dhe politikanët gjermanë reaguan me maturi. Ata e dinin: bota ndodhej në prag të një lufte atomike.

"Checkpoint Charlie": tanke amerikane përballë tankeve sovjetike

Kjo u bë e qartë në tetor të vitit 1961. Atëherë bashkëpunëtorët e administratës amerikane u penguan të hynin në sektorin lindor. Në pikëkalimin kufitar "Checkpoint Charlie" shkuan në mënyrë demonstrative tanke amerikane. Përballë tyre ndodheshin tanket sovjetike. Në fund të dyja palët i tërhoqën ushtarët e tyre. Megjithatë amerikanët ia bënë të qartë botës se do t'i mbrojnë të drejtat e tyre në qytet.

Tanke në Berlin, Checkpoint Charlie, 1961
Tanke në Berlin, Checkpoint Charlie, 1961Fotografi: picture-alliance/akg-images

Presidenti Kenedi: përderisa do të jetë në interesin e Bashkimit Sovjetik do të ketë dy shtete gjermane

Marrëdhënia midis presidentit amerikan Kenedi dhe kancelarit të atëhershëm gjerman Konrad Adenauer, të paktën në fillim nuk ishte krejt pa tensione. Adenaueri, atëherë në moshë 85 vjeçare dhe me botëkuptime konservatore ishte skeptik ndaj presidentit amerikan, që sapo kishte mbushur të 40-tat dhe njihej si liberal. Kenedi ishte pragmatik. Përderisa do të jetë në interesin e Bashkimit Sovjetik do të ketë dy shtete gjermane, tha ai publikisht në fillim të presidencës së tij. Pas kësaj deklarate qeveria federale nuk e kishte të lehtë të ndiqte një politikë të ribashkimit. Si pasojë Adenaueri filloi në fillim të viteve '60 të afrohet me Francën. As kjo nuk i pëlqeu Uashingtonit.

Megjithë mosmarrëveshjet: Gjermania mbeti aleati kryesor i Amerikës në Evropë

Edhe në vitet pasuese në marrëdhëniet gjermano-amerikane u shfaqën dallime në qendrime dhe mosmarrëveshje. Megjithatë të dyja palët zakonisht gjenin një kompromis. Gjermania ishte dhe mbeti aleati kryesor i Amerikës në Evropë. Presidentët amerikanë vizituan rregullisht Berlinin. Në shkurt të vitit 1969 ishte Riçard Niksoni ai që e vizitoi qytetin e ndarë, në qershor të vitit 1978 ishte Xhimi Karter.

Pak kohë pasi sekretari i përgjithshëm sovjetik, Mihail Gorbaçov paralajmëroi një politikë të re ndaj Perëndimit, presidenti i atëhershëm amerikan Ronald Regan më 12 qershor të vitit 1987 udhëtoi për në Gjermani. Nëse Gorbaçovi dëshiron paqe, mirëqenie për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëse ai dëshiron më shumë liri atëherë duhet të hapë Murin, u shpreh Regani në Portën e Brandeburgut para disa dhjetëra-mijëra berlinezëve.

Berlinezët në ditën e rënies së Murit të Berlinit. Ne foto: Berlineze ne dy anet e Murit te Hapur te Berlinit
Berlinezët në ditën e rënies së Murit të BerlinitFotografi: AP

Më 9 nëntor të vitit 1989 u rrëzua muri i Berlinit. Sërish ishte një president amerikan, Xhorxh Bush i cili doli në skenën ndërkombëtare si avokat i Gjermanisë dhe mbështeti procesin e ribashkimit.