1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Roli i medias në periudhën e krizës

Në Tiranë po zhvillon punimet forumi i tretë për median i Europës Juglindore. Rreth 200 pjesmarrës nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë po diskutojnë për rolin e medias, raportet e saj me politikën dhe grup

Liria e medias kuptohet në forma të ndryshme. Ne foto: nje pllakat i shoqatës se gazetareve boshnjakë, me nje njeri me goje te mbyllur me leukoplast dhe veshe me tape

Liria e medias kuptohet në forma të ndryshme

Gazetarë, menaxherë e ekspertë të fushës së medias janë fokusuar në një paketë çështjesh të aktualitetit. Ato shihen nga këndvështrime të ndryshme, nga eksperienca të ndryshme që vijnë nga vendet e rajonit dhe jo vetëm prej tyre. Ajo që tërheq më shumë panelistët dhe pjesëmarrësit ka të bëjë me rolin dhe statusin e medias në këtë periudhë të krizës. Por dhe raportet e saj me politikën dhe grupet e interesit, ruajtjen e pavarësisë dhe sigurimin e lirisë së shprehjes. Nga diskutantët u theksua nevoja e mbajtjes permanente të komunikimit mes gazetarëve nga rajoni.

Pamje nga Forumi i Medias në Tiranë

Pamje nga Forumi i Medias në Tiranë

Agron Bajrami, kryeredaktori i të përditshmes "Koha Ditore" në Prishtinë ishte një nga panelistët e forumit. Ai thotë për DW se aktivite të tilla ndikojnë më shumë tek standartet profesionale.

"Ndihmon që informatat tona të jenë sa më gjithëpërfshirëse, sa më të sakta. Pikërisht ky bashkëpunim hap dhe horizonte të reja të njohurive, për të tjerët që i kemi fqinj e nuk i njohim aq sa mendojmë se i njohim".

Bajrami kujton rastin më të fundit të tragjedisë së kosovarëve në lumin Tisa në Hungari. "Ku u ndje nevoja e bashkëpunimit me kolegët hungarezë për informacione mbi këtë ngjarje duke e rritur shumë standartin e raportimit".

Frrok Çupi, një nga gazetarët më të njohur shqiptarë, është kryetar për Shqipërinë i Organizatës së Medias për Evropën Juglindore, SEEMO, që është pjesë e Institutit Ndërkombëtar të Shtypit, IPI. Çupi e konsideron këtë organizatë rajonale si më aktiven në mbrojtje të lirisë së medias, kundër shkeljes dhe dhunimit të të drejtave të gazetarëve. Por dhe që i kushton rëndësi përmirësimit të performancës profesionale, thotë ai për DW.

"Në Europën Juglindore ka diversitet dhe nuk ka një situatë të rrafshët në radhët e medias. D.m.th media e Shqipërisë nuk është si media e Serbisë dhe e kundërta. Aq më pak media e Sllovakisë, Sllovenisë, apo media e Çekisë e Bullgarisë, të cilat kanë diferenca mes njëra-tjetrës, ku më shumë e ku më pak. Shkëmbimi i mendimeve, shkëmbimi i eksperiencave, lidhja e adresave, vëzhgimi praktik mbi mediat, njohja e gazetarëve të mëdhenj, miqësia me ta, është një përfitim i madh për gazetarët".

Forumi i Medias për EJL në Tiranë mblodhi gazetarë të rajonit

Forumi i Medias për EJL në Tiranë mblodhi gazetarë të rajonit

Nexhmedin Spahiu, drejtor i Radio Televizionit në Mitrovicë shikon vështirësi në zbatimin konkret të njohurive, që marrin gazetarët në kualifikimet dhe trajnimet e ndryshme.

"I gjithë rajoni i Ballkanit Pwrendimor sigurisht që është mbrapa nga Perëndimi në aspektin profesional në fushën e medias. Të gjitha mësimet i marrim nga Perëndimi, nga SHBA e vendet e BE-së. Por zbatimi i këtyre njohurive në praktikë, në terren ngec", thotë Spahiu për DW.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi pjesëmarrës në njërën prej seancave të forumit ka theksuar tentativat e hapura të politikës dhe të grupeve të interesit për të shtënë në dorë median. Ai tha se vendit i duhen media të pavarura dhe jo si ato që sillen si parti politike.

"Evidentohet një fenomen që prej vitesh na shoqëron. Grupe politikanësh, parti politike, institucione të caktuara tentojnë të shtrijnë një influencë jo normale mbi median. Ky është momenti për një reflektim të thellë".

Sipas Presidentit Topi nuk ka shoqëri demokratike pa shtyp të lirë. Nga pjesëmarrësit pati refernca dhe për vlerësimet e shqetësimet e organizatës "Reporterë pa kufij" për gjendjen e lirisë së medias në vendet e rajonit. Por dhe problematikat që ka ngritur së fundi progres raporti i Komisionit Europian për këtë çështje.

Forumi zhvillohet në Tiranë në një kohë kur është ende e nxehtë çështja ndaj dhunës mbi gazetarin Mero Baze. Ky rast i paprecedent nuk i shpëtoi diskutimit në seancat e aktivitetit. Presidenti i Republikës Bamir Topi ka ripërsëritur qëndrimin dënues për aktin e së hënës në mbrëmje kur u godit gazetari Baze.

"Gjërat kanë nevojë për profilaksi. Kanë nevojë për bashkëpunim e sinqeritet. Gazetarët kanë nevojë për një terren të lirë. Por nga ana e tyre edhe gazetarët kanë nevojë të kenë integritet. Integriteti nuk mund të injektohet, ai duhet të demonstrohet."

Forumi i tretë i medias në Europën Juglindore ka në axhendë dhe çështje, që kanë të bëjnë me aplikimin e teknologjive të reja në transmetimet audiovizuale, në përdorimin pa limit të shërbimeve on line, të celularëve etj. Eksperti nga Gjermania, Rydiger Opers, foli për nevojën e pajisjes se transmetuesve audiovizualë me inventar të teknologjisë së fundit. "Futja e teknologjisë re në vendet, ku transmetimet dhixhitale janë aplikuar më me vonesë se në të tjerat, i ka bërë ato që aktualisht të jenë më të avancuara. Më të avancuara dhe se transmetues në Gjermani apo Britaninë e Madhe."

Mbështetës të Forumit janë grupi mediatik gjerman WAZ, fondacioni "Konrad Adenauer" dhe Organizata e Medias e Europës Juglindore, me partnerë lokalë Institutin Shqiptar të Medias dhe Televizionin "Vizion Plus".

Autor: Arben Muka / Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi


DW.COM

  • Data 05.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KP49
  • Data 05.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KP49