1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Roli i ISIS në Bosnje

Ndaj Bosnje - Hercegovinës shpesh ngrihen dyshime se nga ky vend kanë shkuar shumë luftëtarë në Siri dhe Irak. Dyshohet se ata janë pjesë e ISIS, por realiteti është krejt tjetër.

Provokimi është rregullisht i suksesshëm: shumë shpesh në vendin e vogël Gornja Maoça në verlindje të Bosnje-Hercegovinës ngrihen flamujt e të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS). Flamujt vendosen mbi shtëpi të ndryshme. Bëhen fotografi dhe u dërgohen gazetarëve. Shumë shpejt nga Sarajeva niset njësia antiterror SIPA (State Investigation and Protection Agency), por deri sa mbërrinë atje, flamujt janë hequr.

Autoritetet nuk janë në zë të mirë në këtë rajon. Por në rastin e islamistëve radikalë nuk mund të kritikohen se nuk po veprojnë. Pas vitit 2011 kur 23-vjeçari Mevlid Jashareviq me një kallashnikov donte të futej në ambasadën amerikane në Sarajevë, u shkaktua një alarm dhe bastisje të mëdha në Sarajevë. Ndërsa kundër terroristëve që udhëtojnë në vendet e tjera në qershor është miratuar një ligj, i cili ndalon shkuarjen e qytetarëve të këtij vendi në vendet e tjera. Luftëtarët e xhihadit, apo ata të cilët i nxisin të tjerët që të shkpojnë në këtë luftë, mund të denohen deri me 10 vjet heqje lirie.

Me rastin e Jashareviqit në këtë vend u dëgjua për herë të parë se ai vjen nga fshati i vogël Gornja Maoça. Edhe dukja e tij e vehabistit flet për përkatësinë e tij në këto grupe. Vehabistët ndonjëherë quhen atje edhe salafistë, ndonëse në disa pika dallojnë. Sidoqoftë, ata bëjnë propagandë për domosdoshmërinë e fesë islame për "back to the roots", pra kthimin në jetën si në kohën e profetit, me të gjitha dogmat dhe rregullat.

Një fe islame evropiane

Por botëkuptimi i fesë islame në këtë vend është krejt tjetër nga koha e para disa shekujve, pohon Enes Kariq, profesor në Fakultetin e shkencave islame në Sarajevë. Në vitin 1456 ka filluar sundimi i Perandorisë Osmane në Bosnje - Hercegovinë dhe procesi i islamizimit të popullatës në këtë vend. Ky proces ka zgjatur në mënyrë sukcesive më shumë se 160 vjet, shpjegon Kariq. Është e mundur të ketë pasur edhe kalime të shumta nga feja në fe, por shumica e banorëve të këtij vendi e kanë pranuar fenë islame, shpjegon ai. Myslimanët në atë kohë kanë paguar më pak tatime për Perandorinë Osmane, për dallim prej të tjerëve. Ata kanë pasur edhe pozita të larta në shtet dhe prona. Feja islame u zhvillua si një mësim urban - nga qytetet në fshatra, ndërsa interpretimet kryesore të fesë vinin nga medresetë. Feja islame në Bosnje-Hercegovinë ka mbështetur gjithmonë shkëmbimin me fetë e tjera, atë katolike dhe ortodokse.

Më së voni që nga viti 1878, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, myslimanët e Bosnje - Hercegovinës jetojnë me bindjen e një shteti sekularist. Një shoqëri pra ku vlejnë parimet kryesore tokësore. Për fenë ka pasur gjithmonë vend, por ajo nuk e ka pasur rolin primar në jetën e përditshme.

Problemi i luftëtarëve të huaj

Fakti që pavarësisht këtyre traditave u ngritën grupe me botëkuptime radikale të fesë, si vehabistët nga Gornja Maoça, ndërlidhet edhe me kohën e luftës 1992-1995. Në atë kohë vende të ndryshme me shumicën e popullsisë së fesë myslimane kanë dërguar luftëtarë në Bosnje - Hercegovinë për të luftuar në emër të fesë. Vlerësohet se gjatë luftës kanë qenë 2000 luftëtarë të tillë. Pas luftës një pjesë prej tyre ka mbetur në vend. Ata kanë marrë pasaporta të Bosnje - Hercegovinës dhe janë futur në sferat me influencë, në fondacionet saudite në Bosnje - Hercegovinë. Përmes tyre janë investuar edhe shumë para për ndërtimin e xhamive dhe përhapjen e vahabizmit. Nga radhët e tyre kanë dalë edhe deri në 160 luftëtarë nga ky vend të cilët kanë shkuar për të luftuar për të ashtuquajturin Shteti Islamik në Siri dhe Irak.

Në xhamitë vendase ekstremistët hasin në rezistencë. Por ka dy faktorë, që i shkojnë në favor kësaj fushe fetare, pohon Dennis Gratz, kryetar i social-liberalëve „Nasha stranka“. Nga njëra anë është varfëria dhe gjenda e rëndë ekonomike dhe tjetra, disa politikanë të afërt me presidentin turk Rehep Tayip Erdogan. Erdogani llogaritet si një mbështetës i orientimeve neo-osmane në politikën e jashtme turke dhe ndjek fenë konsrvatore islame. 37-vjeçari Gratz, i cili ka shkuar në shkolla në Gjermani dhe ka mbrojtur doktoraturën në Institutin e Hamburgut për Studime Paqësore dhe Siguri, thotë: "edhe unë praktikoj fenë islame, por ne në Bosnje - Hercegovinë jetojmë një fe që ka një traditë të vetën. Sekularizmi dhe laicizmi janë të vetëkuptueshme dhe nuk kontestohen fare nga shumica."

Angazhimi i Perëndimit nuk duhet të ndërpritet

Në një studim për „U.S. Military Academy“ në West Point, analisti Steven Oluiq përshkruan këtë dilemë: "Aftësia e Bosnje - Hercegovinës që t'i rezistojë ekstremistëve dhe radikalëve varet në masë të madhe edhe nga angazhimi i Perëndimit në këtë rajon. Por edhe nga fakti që boshnjakët e moderuar (myslimanët boshnjakë) të përballen me fenë dhe ideologjinë radikale islame.“ Shumica në Bosnje - Hercegovinës e refuzon interpretimin radikal të fesë. Por duhet të vazhdojë mbështetja e Perëndimit.