1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Roli i internetit në Shqipëri në rritje

Në Shqipëri interneti po shndërrohet nga dita në ditë në një element të domosdoshëm të jetës dhe aktivitetit të përditshëm. Ndërkohë Shqipëria përfiton nga axhenda dixhitale që Komisioni BE-së po zbaton në Ballkan.

Internet kafe në Tiranë

Pak njerëz në Shqipëri mund të përfytyronin 10 vjet më parë se po të klikonin në një buton mund të kishin virtualisht botën në duart e tyre: mund të ndanin dijet dhe informacionin edhe me cepin më të largët të botës, mund të argëtoheshin, mund të krijonin lidhje sociale dhe profesionale në nivel global. Ky përfytyrim është transformuar sot në një realitet.

Shifrat zyrtare tregojnë se vetëm para 6 vitesh Shqipëria kishte treguesit më të ulët në botë për nivelin e zhvillimit të shoqërisë së informacionit me një tregues prej vetëm 4,8% të përdorimit të internetit. Sot ky tregues është 50%. Genc Pollo, Ministër për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit thotë për programin shqip të Deutsche Welle-s:

Genc Pollo, Ministër për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit Key words Albanien Staatsangehörigkeit Author: Ani Ruci, shot in Tirana, on September 5th 2011

Pollo, Ministër për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit

”Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në përdorimin e internetit nëse u referohesh përqindjeve të 5- 6 viteve më parë, për sa i përket shtrirjes, shërbimeve online dhe mënyrë sesi operojnë bizneset."

Dorian Kavaja është një nga përdoruesit e pasionuar dhe këmbëngulës të internetit në Tiranë. Pasioni i tij e bëri që të fitojë dije në mënyrë autodidakte dhe të bëhet një krijues programesh dhe website-sh në internet. Duke sjellë ndërmend situatën në Shqipëri para 5- 6 viteve ai thotë: “Ka patur shumë pak familje dhe institucione që kishin internet. Sot kemi mbritur në një pikë ku pothuajse të gjitha familjet kanë internet në shtëpi. Ky nuk është perceptim, ky është një fakt, tani internet ka kudo.”

Dorian Kavaja, programues.

Dorian Kavaja, programues.

Në mbështetje të këtij fakti vijnë edhe disa të dhëna të fundit zyrtare nga rrjetet sociale të Facebook sipas të cilave 1/3 e shqiptarëve janë përdorues të këtyre rrjeteve. 

Infrastruktura – pjesa që kërkon investime të mëdha

Megjithë këto shifra Shqipëria mbetet ende larg vendeve të BE lidhur me infrastrukturën për përdorimin e gjithë mundësive që ofron interneti dhe teknologjitë inovative. Këtë e pohon edhe vetë Genc Pollo, Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit: “Kemi ende mangësi në infrastrukturë dhe shumë për të bërë për të kapur standartet e vendeve më të përparuara”. 

Ngritja e infrastrukturës do të rrisë edhe shkallën e përdorimit të internetit në shoqërinë shqiptare.

“Jemi një vend ku interneti mund të zhvillohet akoma më tej, pasi po të bëjmë krahasime edhe me Kosovën, vendin më të ri në rajon, ajo është para Shqipërisë. Ka mundësi që në Shqipëri interneti të futet më thellë në shoqëri" - mendon Dorian Kavaja.

Impulse nga axhenda dixhitale e Komisionit Europian

Në përpjekjet e Shqipërisë për të kapur kohën e humbur në përdorimin e internetit dhe të teknologjive të informacionit dhe komunikimit ajo ka një aleat: Komisionin Europian, i cili ka një axhendë dixhitale për Europën. Pjesë e saj është dhe Ballkani Perendimor: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë- Hercegovina, që kanë hyrë në procesin e integrimit europian. Rëndësia që BE i jep realizimit të kësaj axhende duket edhe në programin e tij financiar për hulumtime e inovacioneve në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit: për periudhën 2011–2013 ka në dispozicion 2.8 miliard Euro. 

Cindy Van Den Boogert ( Sindi Van Den Boogert) këshilltare e Neelie Kros, Zv. Presidente e Komisionit Europian, e ngarkuar me ecurinë e kësaj axhende tregon për programin shqip të Deutsche Welle-s se çfarë synohet të arrihet: “Përmes axhendës dixhitale për Europën, KE përpiqet të realizojë futjen në masë të gjerë të teknologjisë së njohur si broadband. Deri në vitin 2013, KE synon të aplikojë mbulimin 100% të përdorimit të internetit me një shpejtësi prej 10 megabite për sek".

Të rinj në internet kafe në Tiranë

Ka ende vend për përmirësim ...

Rrjetet kombëtare “broadband” – autostrada të internetit

Përmes kësaj axhende KE asiston edhe vendet e Ballkanit Perëndimor në ngritjen e rrjeteve kombëtare brezgjerë, si infrastrukturë bazë apo autostrada për gjithë operatorët e internetit dhe shërbimeve të tjera që ofrojnë teknologjitë e Informatikës dhe Komunikacionit. Në bazë të ngritjes së këtij rrjeti janë ligjet përkatëse, në përputhje me standartet e BE dhe krijimi i një tregu konkurrues. Përdorimi në shkallë të gjerë i internetit dhe teknologjive moderne të komunikimit nga qytetarët shqiptarë dhe ata të vendeve të tjera të rajonit vlerësohet si një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit dhe afrimin gradualisht me nivelet e vendeve të BE. Në këtë proces ndodh edhe fuqizimi i rolit aktiv të qytetarit për të marrë pjesë në ndryshimin progresin të shoqërisë dhe ekonomisë.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani