1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Roland Jahn mbi rastin Lech Walesa: "Llogariten vetëm faktet"

Roland Jahn, i ngarkuari federal për të aktet e Shtazit, paralajmëron në bisedë me DW se duhet të jemi më të relaksuar kur bëhet fjalë për bashkëpunimin eventual të Walesës me organet e sigurisë në Poloni.

Roland Jahn

Roland Jahn

Deutsche Welle: Zoti Jahn, çfarë keni menduar kur keni dëgjuar akuzat e para për bashkëpunimin eventual të bartësit të Çmimit Nobel për paqë, Lech Wałęsa me sigurimin shtetëror në kohën e komunizmit?

Roland Jahn: Menjëherë kam menduar se të gjitha letrat duhet të hidhen mbi tavolinë. Që do të paraqiten të dhënat për Lech Wałęsën ka qenë shumë e qartë. Edhe më parë ka pasur supozime për përzierjen e tij të mundshme në punët e sigurimit për të cilat ka folur edhe ai vet. Ndaj është shumë me rëndësi që gjërat të analizohen si duhet dhe të konstatohet se çfarë ka ndodhur me të vërtetë.

A ka pasur edhe në Gjermani ndonjë rast që ka shkaktuar kaq shumë interesim?

Jo me një distancë kaq të madhe kohore, sepse ne e kemi hapur arkivin e DDR (Gjermanisë Lindore) menjëherë pas ndryshimeve në vitin 1990. Këtu ka pasur shpesh edhe emra prominentë, por nuk ka pasur ndonjë dëshmi konkrete për bashkëpunimin e tyre me Shtazin. Por kemi pasur edhe raste të opozitarëve, si Robert Havemann, të cilët në vitet 50-të janë betuar si IM, apo Wolfgang Templin, i cili në vitet 70-të ka nënshkruar deklaratën për bashkëpunim, por pak më vonë ka arritur të dalë nga ky obligim. Prej atëherë ai konsiderohet nga Shtazi si "tradhëtar".

Dhe si janë trajtuar këta persona në Gjermani?

Kjo ka kaluar nëpër një proces në 25 vitet e fundit. Përzierjet e këtilla me Shtazin janë komplekse dhe duhen nxjerrë të gjitha faktet. Kjo irriton shumë njerëz, por i gjithë dokumentacioni nga koha e diktaturës ka qenë i komplikuar, pra gjërat nuk duhet të shikohen bardh e zi. Në Gjermani ende kemi mundësinë e rishikimit të shërbimit publik. Edhe bartësit e posteve kontrollohen dhe për këtë ekziston një komision i posaçëm, i cili vlerëson dhe analizon të gjitha. Në rastet më ekstreme ka dhe përjashtime, si për shembull në rastin e kryeministrit të Brandenburgut, Manfred Stolpe.

Mendoni se ende mund të ketë raste interesante për opinionin të personave që ende janë në poste të larta apo në Bundestag?

Në fund të fundit, nuk bëhet fjalë më për rastet "brizante", por shumë më shumë për zbardhjen e të kaluarës. Ne duam të dimë se kush është në parlament dhe kush punon në shërbimet publike. Vendimtare këtu është se si është mbajtur dikush në 25 vitet e fundit dhe jo vetëm aktivitetet e dikurshme. Por për këtë duhet një qasje e hapur në shoqëri. Nëse të gjithë janë kundër, atëherë vështirë që do të gjendet ndonjë person që do të tregojë se si ka qenë puna asokohe.

Lech Wałęsa ka hedhur poshtë deri tani të gjitha kritikat. Ai ka kërkuar që rastin ta shpjegojnë autoritete ndërkombëtare. A do të ndihmonit edhe ju në këtë rast?

Ne punojmë shumë mirë së bashku me Institutin për Rikujtimet Polake (IPN) dhe natyrisht që ndihmojmë, kur ka nevojë. Por besoj se IPN dhe i gjithë opinoni polak së pari duhet të shikojmë të gjitha faktet dhe dokumentat.

Në Poloni kanë frikë se rasti Lech Wałęsa do të përdoret për të diskredituar demokracinë polake pas vitit 1989. A e shihni edhe ju këtë rrezik?

Tek zbardhja e të kaluarës gjithmonë mund të ketë instrumentalizime politike. Por kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga zbardhja e të kaluarës. Vetëm nëse të gjitha nxirren në tavolinë mund të konstatohet e vërteta dhe nuk mund të ketë instrumentalizime.

Sa të mëdha janë dëmet për bartësin e Çmimit Nobel për paqë, Lech Wałęsa?

Duhet shikuar saktësisht raporti mes meritave të tij për liri në Poloni dhe Evropë dhe dëmet që ka mundur të shkaktojë bashkëpunimi i tij me shërbimet e sigurimit të shtetit. Unë nuk mund të jap ndonjë vlerësim pa i pasur të dhënat. Por më duket se as në Poloni gjërat nuk janë kaq të thjeshta, ndaj edhe kërkohen hetime.

Në Poloni dhe vendet tjera të bllokut lindor po zgjat më shumë hapja e të dhënave sekrete. Si e shihni ju këtë problem?

Në disa vende si në Rusi dhe Ukrainë, ka deficite tepër të mëdha me demokratizimin. Përgjegjësit nuk janë nxjerrë para drejtësisë dhe mekanizmat e diktaturës në një formë vazhdojnë të veprojnë. Në shumë vende janë krijuar kornizat për ekzistencën dhe veprimin e institucioneve. Bullgarët duhet të kenë frikë çdo vit se do të mbyllet arkivi i tyre. Ne e shikojmë këtë me shqetësim. Sepse përpunimi i të kaluarës është një investim për të ardhmen dhe demokratizimin.

Roland Jahn është gazetar gjerman dhe i ngarkuari federal për dokumentat e Shtazit. Si kundërshtar i SED, ai i takonte opozitës në kohën e Gjermasë Lindore.