1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rohan: BE të caktojë radhën e çështjeve në bisedimet Kosovë - Serbi

Ambasadori Albert Rohan, bashkëhartues i Planit Ahtisaari dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Austrisë kërkon që bisedimet e Kosovë- Serbi të jenë informale. Plani Ahtisaari i përmban kompromiset.

Ambasadori Albert Rohan, ish-zëvendësi i të ngarkuarit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Ahtisaari

Ambasadori Albert Rohan

A. Dodi: Zoti Rohan, fillimi i bisedimeve të para bilaterale pas pavarësisë së Kosovës, midis Kosovës dhe Serbisë është një nga temat e rëndësishme politike në të dyja vendet. Cili do të jetë formati në të cilin do të zhvillohen këto bisedime dhe kur pritet të nisin?

Rohan: Unë besoj në radhë të parë që do të ishte shumë mirë, sikur këto biseda të fillonin sa më parë. Së dyti, unë mendoj se ato duhet të mbeten sa më shumë që të jetë e mundur në një nivel informal. Këto nuk janë biseda për statusin. Statusi është vendosur, për të nuk mund të flitet. Këto janë biseda për çështje që shtrohen midis të gjitha vendeve: transporti, qarkullimi, bashkëpunimi në dogana, kontrolli i kufijve, ose po të kesh parasysh Veriun e Kosovës – lufta e përbashkët kundër kriminalitetit që i kalon kufijtë; furnizimi me energji, mbrojtja e ambjentit. Ka një sërë çështjesh me të cilat ndeshen të gjitha vendet fqinjë. Për to duhet të flitet në nivel ekspertësh, këto nuk janë gjëra që i diskutojnë shefat e shteteve ose të qeverive, por ekspertë. Përmes këtij bashkëpunimi të hapur shpresoj të përmirësohet atmosfera dhe të zgjidhen edhe çështje të hapura.


BE të caktojë radhën e çështjeve për diskutim në bisedimet Kosovë- Serbi

A.Dodi: Po a ka një dakordim për çështjet për të cilat do të flitet? Qeveria e Kosovës thotë pak a shumë se mund të flasim për të gjitha çështjet, me përjashtim të statusit. Qeveria e Serbisë është e gatshme të flasë për çështje praktike, por me dëshirë do të fliste edhe për çështje që i përmban plani i Ban Ki Moonit, siç janë policia, doganat, gjyqësia…

Rohan: Aspekte të caktuara, si për shembull kontrolli i kufijve janë tema për të cilat ia vlen të diskutohet, siç diskutohet edhe në vende të tjera baza e përbashkët e veprimit në këto fusha. Po unë besoj që duhet të fillohet me çështje, të cilat nuk janë të diskutueshme në asnjë formë, këtu BE mund të japë pa dyshim ndihmë. Unë jam përndryshe kundër ndërmjetësimeve nga jashtë, sepse dy vende patjetër që janë në gjendje të diskutojnë çështje praktike, pa shumë ndihmë nga jashtë. Po besoj se në këtë rast është e dobishme që BE të caktojë rendin e ditës, radhën në të cilën do të diskutohen këto çështje. Unë besoj se edhe do të jenë njerëz të ndryshëm ata që do të flasin për çështje të veçanta: për çështje të transportit do të flasin njerëz të tjerë nga ata që do të flasin p.sh. për luftimin e krimit.


A.Dodi: Përveç BE, a do të luajnë SHBA një rol në këto bisedime?

Rohan: Unë nuk besoj që persona të jashtëm kanë një rol të veçantë në diskutimin e çështjeve praktike. Nuk ke nevojë për vëzhgues që rrinë ulur aty. Edhe për BE unë e shoh në një rol informal ndërmjetësues, që t'ua lehtësojë të dyja palëve fillimin e bisedimeve.

Shtetet e BE që nuk njohin Kosovën dëmtojnë forcat e moderuara

A. Dodi: Si e shikoni qëndrimin aktual të BE ndaj Kosovës? Pesë shtete vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, edhe pas legjitimimit juridik ndërkombëtar për pavarësinë.

Rohan: Ju prekët temën më të rëndësishme – ky është qendrimi i pesë shteteve, i cili është me të vërtetë shumë negativ dhe të dëshpëron. Kjo sepse nga njëra anë ai tregon se nuk ka politikë të jashtme vërtet të përbashkët në BE. Kur për një çështje evropiane, e cila nuk ka rëndësi shumë të madhe për politikën botërore, por ama ka për Evropën, nuk arrin të kesh një pozicion të përbashkët, është për të ardhur shumë keq. Së dyti, në këtë mënyrë vështirësohet dukshëm puna e misionit më të madh civil të BE, EULEX-it, suksesit të këtij misioni i vihet pikëpyetje. Aspekti i tretë është, që këto pesë shtete, me mosnjohjen e tyre ua vështirësojnë shumë qarqeve të moderuara në Serbi që ta pranojnë realitetin, sepse ata nuk mund të tregohen më pak serbë në vendin e tyre, se ç'tregohet për shembull Qiproja ose Spanja.

Nëse bashkëpunimi midis Kosovës dhe Serbisë do të përmirësohet në sajë të këtyre bisedimeve, që do të fillojnë, atëherë mund të presim ndoshta një zbutje të qendrimit të këtyre pesë vendeve.

Plani Ahtisaari i përmban të gjitha kompromiset

A. Dodi: Si po zbatohet paketa e Ahtisaarit në Kosovë? A shihni fusha ku qeveria e Kosovës mund të bëjë kompromise të tjera përballë serbëve? Qeveria e Kosovës thotë nga ana e saj se kompromise të tjera do t'i vinin pikëpyetje funksionimit të strukturës shtetërore.

Rohan: Unë kam shumë mirëkuptim për këtë qendrim, sepse në propozimin tonë (me zotin Ahtisaari) ne shkuam aq larg sa qe e mundur të shkohej, për t'i dhënë komunitetit serb të drejta dhe kompetenca. Ne shkuam aq larg sa mund të shkohet pa e bërë të pamundur funksionimin e një administrate normale. Zbatimi i planit të Ahtisaarit në Kosovë ka ecur shumë mirë, para së gjithash përsa i përket legjislacionit, duke filluar nga administrata dhe në ligjet e ndryshme në kuadër të decentralizimit. Ka çështje që mund të pëmirësohen në çdo administratë, po përshtypja ime është se plani Ahtisaari është zbatuar shumë mirë.

BE dhe shtetet e ish-Jugosllavisë me Kosovën

BE dhe shtetet e ish-Jugosllavisë me Kosovën

Unë besoj edhe se serbët në enklava e kanë kuptuar se çfarë mundësi të vetëadministrimit u ofron atyre plani Ahtisaari: të drejta minoriteti, siç nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër të botës. Unë besoj se ata janë të gatshëm t'i shfrytëzojnë këto të drejta. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kishën ortodokse serbe, e cila gëzon një mbrojtje përmes rregullave të ndryshme në planin Ahtisaari, që duhet ta kënaqte kishën plotësisht.

Ajo për të cilën të vjen keq, është që veriu i Kosovës vazhdon të mbetet jashtë këtij sistemi, gjë e cila është kryesisht trashëgimi e tetë vjetëve të administrimit ndërkombëtar. OKB-ja nuk e ka kontrolluar kurrë me të vërtetë Veriun. Këtu ne me Ahtisaarin qemë në gjendje të ofrojmë vetëm një kornizë, një kuadër. Ne kemi marrë masa të posaçme për Veriun. Kundër dëshirës së palës kosovare ne propozuam ngritjen e një komune të veçantë të Mitrovicës së Veriut. Për Mitrovicën e Veriut ne ramë dakord për kompetenca shtesë në arsimin e lartë, në shëndetësi. Megjithatë, faktorët ndërkombëtarë, ve­çanërisht EULEX-i deri tani këtu nuk qenë në gjendje ta zbatonin vullnetin e tyre.

Përfaqësuesit e Mitrovicës nuk duhet të jenë qarqe kriminale

A. Dodi: A ka këtu një rrugëzgjidhje, kur disa nuk i quajnë të mjaftueshme ato që keni hartuar ju së bashku me zotin Ahtisaari në paketë?

Rohan: Një gjë besoj unë duhet përjashtuar, kjo do të ishte një ndarje e Mitrovicës. Këtë bashkësia ndërkombëtare e ka refuzuar njëzëri, edhe Serbia e ka refuzuar, edhe Kosova, për shumë shkaqe, por po përmend njërin: gjysma më e madhe në numër e komunitetit serb nuk jeton në veri, por në enklava, kështu që një ndarje do të ishte negative për to.

Mund të përjashtosh edhe një autonomi speciale. Ajo nuk është e nevojshme, sepse në planin Ahtisaari përmbahet një vetëadministrim. Në planin Ahtisaari ne ofruam mundësinë që komunat të bashkëpunojnë në kuadër të partneriteteve, në bazë të Kartës Evropiane për Vetëadministrimin.

Ajo që duhet të arrihet dhe kjo është edhe në interesin e Beogradit, është që strukturat kriminale në Veri të eleminohen. Po të kthehej atje një gjendje normale, me përfaqësues politikë që nuk janë qarqe kriminale, por janë të zgjedhur nga populli, atëherë besoj se edhe këtu mund të gjendet një zgjidhje e arsyeshme.


Thirrjet e Serbisë për mosnjohje të Kosovës synojnë negociatat

A. Dodi: Serbia sapo bëri thirrje para OKB-së që të mos njihet Kosova. Si e gjykoni këtë hap, pas rënies më parë dakord të Serbisë me BE për ta zbutur rezolutën serbe për Kosovën?

Rohan: Nga njëra anë kemi të bëjmë këtu me një vazhdim të politikës së deritashme, edhe të politikës së refuzimit të realitetit, nga ana tjetër kjo duhet kuptuar si përpjekje për ta forcuar pozicionin në bisedimet e ardhshme. Sa më shumë vende ta njohin Kosovën, aq më i dobët do të jetë pozicioni i Serbisë në negociata. Kjo besoj unë është përshtypja në Beograd dhe prandaj vazhdon kjo politikë.

Intervistoi: Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 03.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/POsP
  • Data 03.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/POsP