1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

ROG publikon raportin për lirinë e shtypit 2014

Sipas një analize të organizatës Reporterë pa Kufij (ROG), gazetarët hasin në vështirësi në rritje me autoritetet e sigurisë në shumë vende të botës. Ky zhvillim ka përfshirë madje edhe demokraci tradicionale.

Gjatë prezantimit të raportit të përvitshëm "Renditja e lirisë së shtypit", të mërkurën (12.2.) në Berlin, kryetari i bordit të ROG, Michael Rediske, tha se edhe shtete të tilla si SHBA dhe Britania e Madhe i kategorizojnë gazetarët investigativë dhe burimet e tyre të informacionit "në afërsi të terrorizmit".

"Është e patolerueshme që vende me një traditë të gjatë të medieve të lira bien në reflekse të tilla sigurie si diktaturat", shtoi Rediske. Kjo e bën më të vështirë punën edhe për gazetarët kritikë, që vënë jetën e tyre në rrezik në shtete autoritare.

Kryetari i bordit të ROG, Michael Rediske

Kryetari i bordit të ROG, Michael Rediske

Përkeqësim i përgjithshëm i lirisë së shtypit

I ngarkuari i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut Christoph Strässer (SPD), e quajti renditjen e ROG një "apel për të gjitha qeveritë, për të garantuar në vendet e tyre lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e gazetarëve". Edhe vende anëtare të BE-së si Bullgaria dhe Greqia kanë pësuar rënie të fortë në renditje, gjë që tregon se liria e shtypit "në shumë vende të BE-së nuk është e garantuar".

Renditja e ROG krahason situatën e medieve në 180 shtete dhe rajone në intervalin kohor dhjetor 2012 deri mes i tetorit 2013. Në krye të listës, ashtu si në raportin e vitit të kaluar, gjenden vende nga veriu dhe perëndimi i Evropës, konkretisht Finlanda, Holanda dhe Norvegjia. Në fund të renditjes vazhdojnë të jenë Eritrea, Korea e Veriut dhe Turkmenistani.

Evropa

Gjermania e ka përmirësuar pozicionin më tre vende më lart, në vend të 14 dhe është kështu në Evropë në mesfushën e sipërme. Megjithatë edhe në Gjermani vihet re gjithnjë e më qartë, se sa shumë vihen në shënjestër të shërbimeve sekrete të huaja dhe të brendshme gazetarët. Si shembuj për këtë ROG përmendi ndër të tjera survejimin për vite me radhë të shumë gazetarëve nga autoriteti për Mbrojtjen e Kushtetutës në Saksoninë e Poshtme dhe konfiskimet e përsëritura të materialit të hulumtimeve.

Gjithashtu shpesh shtypi merr me shumë vështirësi informacione nga autoritetet. Në mënyrë të përsëritur gazetarët janë kërcënuar nga neonazistët, salafistët, ose nga mjedisi i krimit. Përmes mbylljes dhe shkrirjes së redaksive, reduktohet më tej larmia e shtypit, thuhet më tej në raportin e ROG.

Reporterët në Greqi përveç se nga policia u sulmuan edhe nga demonstruesit.

Reporterët në Greqi përveç se nga policia u sulmuan edhe nga demonstruesit.

Brenda Evropës situata është përkeqësuar veçanërisht në Greqi, e cila brenda pesë vitesh ka rënë me 55 vende në vendin e 99 të renditjes. Një rënie marramendëse për demokracinë më të vjetër të botës, shkruhet në raportin e ROG. Kriza ekonomike e 2007-s ka goditur veçanërisht rëndë mediet greke. Si pasojë e saj shumë gazetarë janë të papunë. Mediet greke veç kësaj kanë një emër jo të mirë, si rezultat i një politike klienteliste të ndjekur vite me radhë. Reporterët, të cilët informuan për protestat e shumta në rrugët e Greqisë kundër masave të kursimeve, nuk ranë viktimë vetëm e dhunës policore. Ata në mënyrë të përsëritur u sulmuan edhe nga demonstruesit, të cilët i akuzonin për bashkëpunim me qeverinë, konstaton raporti i ROG. Përkeqësim të situatës ROG konstaton edhe në Hungari (vendi 64). Në vend të fundit në BE është Bullgaria (vendi 100). Gjatë protestave antiqeveritare reporterët atje kanë qenë në mënyrë të përsëritur viktima të dhunës policore.

Përmirësim Shqipëria dhe Kosova

Sa i takon Shqipërisë, raporti tregon një përmirësim me 18 vende, në vendin e 85. Në raport vihet në dukje se zgjedhjet e qershorit 2013 janë një faqe e re në historinë e Shqipërisë dhe se qeveria e re ka objektiva ambiciozë për mediet shqiptare: ligje të reja synojnë të nxisin transparencën e raporteve të pasurisë tek mediet, të forcojnë pavarësinë e medieve të sektorit publik dhe të lehtësojnë aksesin e përfaqësuesve të medieve tek informacionet e organeve shtetërore. Kosova gjithashtu ka shënuar një përmirësim prej 6 vendesh në pozicionin 80.

Vendet arabe renditen në fund të listës së lirisë së shtypit.

Vendet arabe renditen në fund të listës së lirisë së shtypit.

Me shqetësim shihet nga ROG situata e sigurisë së gazetarëve në Mal të Zi (vendi 114) me një traditë gazetarie investigative më të fortë se në vendet fqinje, dhe në Maqedoni (vendi 123, minus 6).

Situata e lirisë së shtypit sipas raportit është përkeqësuar në Britaninë e Madhe (vendi 33, ose tre vende më poshtë), SHBA (vendi 46, minus 13 vende) dhe Japoni (vendi 59, minus 5 vende).

Jashtë Evropës mbeten në vendet e fundit Turqia (vendi 154) dhe Rusia (vendi 148) E pandryshuar mbetet Ukraina në vend të 127. Edhe në Lindjen e Afërt dhe Afrikën e Veriut ROG nuk konstaton përmirësime të lirisë së shtypit.

Kina ka zbritur një vend më poshtë në pozicionin 175.