1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Roderich Kiesewetter: "Gjermania bashkëpunon me përfaqësuesit legjitimë"

Intervistë me deputetin e CDU, Roderich Kiesewetter, për raportet e Gjermanisë me Kosovën dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.

DW: Zoti Kiesewetter në qershor priten vendime të rëndësishme sa i përket statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ka Shqipëria shanse që ta marrë këtë status?

Roderich Kiesewetter: Aktualisht është vështirë të thuhet. Mendoj se aktualisht në Bruksel ekziston gatishmëria që Shqipërisë t'i jepet statusi i kandidatit. Por ka dhe disa detyra, që duhet të kryhen. Kanë mbetur edhe disa javë, por dua të them shumë qartë: edhe nëse jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, kjo nuk do të thotë anëtarësim në BE, por detyrim që të kryhen edhe shumë detyra. Pra Shqipëria me siguri që para vetes ka një rrugë shumë të gjatë. Mendoj se për Ballkanin Perëndimor është një sinjal i mirë, kur edhe një vend tjetër e fiton statusin e kandidatit. Por kjo nuk duhet të kuptohet si një sinjal se duhen ndërprerë përpjekjet. Përkundrazi, marrja e statusit të kandidatit duhet të jetë një sinjal për forcimin e angazhimit për plotësimin e kushteve për anëtarësim. Kjo nuk është asnjë garanci se do të plotësohen të gjitha. Pra mund të besojmë se kështu do të jetë, por Komisioni ende nuk ka vendosur që Shqipëria ta fitojë këtë status.

DW: Cilat janë aktualisht sfidat më të mëdha për Shqipërinë?

Roderich Kiesewetter: Si politikan i një vendi tjetër është vështirë të jap këshilla, por Shqipëria duhet të plotësojë katalogun, që e ka marrë prej Komisionit Evropian. Qeveria e re ka filluar me një zell të madh dhe tani duhet të bëhen përparime edhe në sektorin e lustracionit, luftimit të krimit të organizuar, në sektorin e uljes së dallimeve mes zonave urbane dhe rurale, në sektorin e infrastrukturës. Ka shumë punë për t'u bërë, por ka edhe shumë mjete të Bashkimit Evropian, që dedikohen për këto punë. CDU-ja, së cilës i përkas edhe unë, është e mendimit se Ballkani Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, duhet të ketë një perspektivë të hapur për anëtarësim. Menjëherë pas plotësimit të kushteve ato duhet të marrin statusin e kandidatit dhe më pas duhet të fillojnë me plotësimin e kushteve për anëtarësim. Unë kam qenë shpesh në Shqipëri dhe jam i bindur se ekziston vullneti për t'i përmbushur të gjitha këto detyrime.

DW: Në dhjetor të vitit të kaluar Gjermani ka qenë në grupin e vendeve, që kanë pasur rezerva ndaj statusit të kandidaitit për Shqipërinë. A keni marrë ndonjë vendim konkret lidhur me samitin e qershorit?

Roderich Kiesewetter: Ne ende jemi në procesin e marrjes së vendimit dhe ende nuk kemi marrë ndonjë vendim të qartë. Këtë vendim do ta marrim gjatë këtij muaji, por ende nuk ka ndonjë vendim të qartë të qeverisë gjermane, apo të Bundestag-ut. Ne ende kemi nevojë për informacione shtesë lidhur me zhvillimin e këtij vendi.

Deutsche Welle: Zoti Kiesewetter në Kosovë do të zhvillohen më 8 qershor zgjedhjet parlamentare. Çfarë prisni ju nga këto zgjedhje?

Roderich Kiesewetter: Nga këto zgjedhje pres që pavarësisht rezultatit të tyre të vazhdojnë përpjekjet për çtensionimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që të vazhdojë ndërtimi i strukturave të Kosovës me qëllim luftimin e kriminalitetit si dhe qeverisjen e mirë. Shpresoj që raportet e mira mes Gjermanisë dhe Kosovës, dhe në veçanti mes ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj dhe Gjermanisë, do të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve.

DW: Ju thoni, se këto marrëdhënie duhet të vazhdojnë të jenë të tilla. A ka ndonjë risi në politikën e Berlinit, sepse ka pasur informacione të ndryshme, që eventualisht duhet të ndryshojë politika gjermane ndaj Kosovës?

Roderich Kiesewetter: Nuk mendoj se politika gjermane ndaj Kosovës do të ndryshojë. Ne presim edhe më tej përpjekje të forta, që Kosova t'u përgjigjet kërkesave në dialogun politik Serbi-Kosovë. Të dy palët kanë bërë përparime të mëdha. Qëllimi ynë kryesor është - gjë për të cilën do të bisedojmë të enjten edhe në Bundestag - që EULEX-i dhe KFOR-i të jenë të afta të veprojnë në Kosovë. Qëllimi nuk është vetëzistenca e tyre atje, por qëllimi është që Kosova në fund të jetë sovrane. Po ashtu qëllimi është edhe njohja e Kosovës nga Serbia dhe e Serbisë nga Kosova. Mendoj se Kosova me këtë politikë do të vazhdojë rrugën e saj të përgjegjshme.

DW: A ka ndryshime të politikës gjermane ndaj qeverisë së tanishme në Kosovë, pasi në

media

ka pasur informacione, nga IFIMES për shembull, se politika gjermane nuk do të bashkëpunojë me kryeministrin në detyrë, Hashim Thaçi, apo me politikanë, të cilët janë të përzier në korrupsion?

Roderich Kiesewetter: Kjo është diçka tjetër. Në Kosovë kemi një qeveri të zgjedhur legjitime dhe ne bashkëpunojmë me këtë qeveri. Ne edhe më tej kemi raporte shumë të mira me këtë qeveri. Por pavarësisht se kush është në pushtet në Prishtinë, ne presim që të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të ndihmojmë që Kosova të mbetet stabile. Së dyti, Gjermania është shumë e interesuar që në Kosovë të ndërtohen struktura të qendrueshme ekonomike, ku të rinjtë, që janë të prekur nga një papunësi e lartë, të kenë mundësinë e aftësimit për punë dhe më vonë të kenë një vend pune. Këtu janë konstatuar shumë përparime, por kjo nuk mjafton as për së afërmi. Por unë nuk shoh asnjë shkak për të ndryshuar politikën tonë ndaj Kosovës.

DW: Ju folët për disa nga sfidat, që e presin qeverinë e re, e një prej tyre me siguri është edhe vazhdimi i dialogut me Serbinë. Cilat janë pritjet tuaja sa i përket këtij dialogu?

Roderich Kiesewetter: Presim që pala serbe të bëjë gjithçka, që strukturat serbe të integrohen në strukturat e Kosovës. Por pres, që forcat mbrojtëse të Kosovës, të cilat do të duhej të krijohen atje, të krijohen me shumë kujdes dhe që kjo të mos çojë deri tek shkallëzimi i gjendjes në veri. Këtu kërkohet një mprehtësi e madhe e qeverisë së Kosovës, për të mos provokuar. Kjo do ta lehtësonte pozicionin ndaj serbëve, të cilëve u bëhet e qartë se dhe prej tyre kërkohen lëshime të mëdha. Në radhë të parë sa u përket negociatave me BE-në për kapitujt 23, 24, 32 dhe 35 - pra kapitujt, që kanë të bëjnë me financat, udhëheqjën e mirë, luftimin e korrupsionit dhe me kufijtë. Ne presim po ashtu që nëpunësit e lartë në veri të Kosovës të integrohen në strukturat kosovare dhe të mos paguhen më prej Serbisë. Mendoj se Serbia e ka kuptuar këtë. Nga ana tjetër, nga qeveria e Kosovës presim që t'i respektojë dhe t'i mbrojë të gjitha të drejtat e minoriteteve dhe vlerat e tyre kulturore. Kjo është një detyrë shumë e madhe, e cila dëshmon se Kosova duhet të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian.

DW: Të enjten në Bundestag do të mbahet leximi i dytë dhe i tretë i propozimit për vazhdimin e misionit të ushtarëve gjermanë në Kosovë. Besoj se ky mandat do të vazhdojë, por edhe sa kohë do të ketë nevojë Kosova për KFOR-in?

Roderich Kiesewetter: KFOR-i është reduktuar shumë. Aktualisht në Kosovë kemi 700 ushtarë gjermanë. Në fillim të misionit të KFOR-it në Kosovë ka pasur me dhjetëra-mijëra ushtarë, ndërkohë që tani kanë mbetur rreth 5000. EULEX-i ka marrë përsipër shumë detyra, por EULEX-i duhet të përfshihet edhe më shumë në disa çështje. Mendoj se mbështetja e Gjermanisë edhe më tej është shumë e rëndësishme. Gjermania së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe më tej ka kontigjentin më të madh ushtarak në Kosovë, me rreth 700 ushtarë. Gjermania është e gatshme të vazhdojë mbështetjen, por mendoj se do të ishte e arsyeshme që misioni i KFOR-it të zvogëlohet në shtigje afatmesme, në qoftë se vazhdohet me shtendosjen e situatës së sigurisë.

WWW Linke

Audio dhe video për temën