1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Robert Fisk: "Lufta bëhet gjithnjë e më brutale"

Korrespondenti i Lindjes së Afërt, Robert Fisk për gjendjen në Siri.

DW: Zoti Fisk, ju sapo jeni kthyer nga Siria. Si e përjetuat gjendjen në vend?

Robert Fisk: Në Siri po ndodh një tragjedi, e cila i prek në të njëjtën masë të gjithë sirianët. Pjesë të tëra të vendit janë shkatërruar. Ekonomia është përtokë. Veshi të dëgjon pa pushim zjarr artilerie. Rajone të tjera janë krejtësisht të padëmtuara, atje jeta vazhdon në mënyrë normale. Njerëzit shkojnë në kafene dhe nëpër dyqane. Këtë mund të thuash për Damaskun, Latakian dhe Tartusin, kontrollin mbi të cilat e ruan qeveria.

DW: Çfarë përshtypje keni për trupat qeveritare siriane?

Robert Fisk: Ato janë të pamëshirshme dhe të vendosura për gjithçka. Ato më treguan se si patën vrarë pak kohë më parë 700 terroristë. Kështu i quajnë ata kryengritësit. Një gjeneral kishte një videofilm të xhiruar me handy, me kufoma të pafundme të kryengritësve. Shihet një çizme ushtari që u shkatërron fytyrën kufomave.

Shumë prej ushtarëve qenë plagosur disa herë. Ata janë shumë të ashpër dhe të paskrupuj, njësoj si kryengritësit. Të dyja palët kanë kryer shkelje mizore të të drejtave të njeriut dhe krime lufte. Lufta po bëhet gjithnjë e më brutale. Në këtë moment, janë trupat qeveritare që po fitojnë qartë terren. Por kjo mund të ndryshojë shumë shpejt.

Shkatërrime nga lufta në Siri

Shkatërrime nga lufta në Siri

DW: Diskutohet gjithnjë nëse në Siri janë përdorur armë kimike.

Robert Fisk: E qartë është se qeveria siriane zotëron armë kimike. Por nuk ka dëshmi, që ato të jenë përdorur, siç pohojnë kryengritësit. Qeveria nga ana e saj thotë se janë kryengritësit që kanë përdorur armë kimike. Kjo përkon me atë që thonë Kombet e Bashkuara. Unë ia bëra këtë pyetje një oficeri të nivelit të lartë. Ai më tha: pse duhet të përdorim ne armë kimike? Ne kemi avionë, bombat janë shumë më efektive! Por në këtë pikë, tek të gjitha palët propaganda luan një rol të madh.

DW: Në Uashington flitet herë pas here për dërgime armësh te kryengritësit dhe për një zonë të ndalimit të fluturimit. Çfarë mendoni për këto ide?

Robert Fisk: Për këtë ka dy vjet e gjysmë që diskutohet. Amerikanët mendojnë se për sa kohë ata do të zhvillojnë bisedime, askush nuk do ta vërë re se në fakt ata nuk bëjnë asgjë. Perëndimi do të preferonte të mbështeste Ushtrinë e Lirë Siriane, që është shkëputur nga trupat qeveritare. Por Perëndimi nuk dëshiron të mbështesë islamistët ndërmjet kryengritësve. Problemi këtu: kur armët e kalojnë kufirin, atëherë askush nuk ka më ndikim, se kush do t’i marrë ato.

DW: Çfarë roli luan Irani në këtë konflikt?

Robert Fisk: Rol shumë të madh. Sepse në fakt në këtë luftë nuk bëhet fjalë për Sirinë, por për Iranin. Perëndimi do që të eleminojë të vetmin aleat arab të Iranit dhe ta izolojë Iranin. Iranianët duan ta pengojnë këtë. Prandaj Irani i jep këshilla qeverisë siriane. Por në përgjithësi, ndihma iraniane është vetëm simbolike. Për sa u përket mijëra luftëtarëve iranianë, për të cilën flet propaganda iraniane, unë nuk kam parë asnjërin.