1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kommentar Tod Enke

12 Nëntor 2009

Vetëvrasje e supozuar e portierit të kombëtares gjermane të futbollit Robert Enke është një tragjedi dhe lë pas shumë pyetje. Njerëzit si Enke humbasin lehtë në cirkun e futbollit.

https://p.dw.com/p/KVaH
Robert Enke, një burrë i toneve të qeta
Robert Enke, një burrë i toneve të qetaFotografi: picture-alliance / augenklick/Rzepka

Përse?

Lajmi për një vetëvrasje trondit gjithmonë. Në mënyrë të pavullnetshme lind pyetja: ishte vërtet e pamundur të shmangej vdekja e këtij njeriu? A mos ndoshta ai kishte dhënë sinjale të dëshpërimit të tij të cilat nuk i kemi parë apo dëgjuar? Papritur gjendemi përpara gërmadhave të një jete dhe pyesim: përse?

Robert Enke nuk ishte një nga futbollistët profesionistë në kërkim vazhdimisht të një mikrofoni për t'i treguar gjithë botës se sa të rëndësishëm janë. Ai nuk ishte as ndonjë njeri ekscentrik mes shtyllave të portës si shumë portierë të tjerë. Enke shfaqej gjithnjë i përmbajtur dhe i sjellshëm, një njeri i zërit të ulët. Jo rrallë ky karakter i quhej si mangësi. Enke duhet të t'i thotë me zë të lartë dhe ngulmim pretendimet e tij për t'u bërë numri një në portën e kombëtares gjermane të futbollit, thuhej. Por Enke thjesht nuk ishte i tillë.

Për Robert Enken jo gjithçka kishte shkuar mirë

Në cirkun e madh të futbollit njerëzit si ai humbasin shpejt. Aty kanë vlerë vetëm golat, pikët, kampionatet. Vetëm fitimtarët festohen. Për humbësit mbetet shpesh vetëm një buzëqeshje e lodhur. Kush fiton miliona çdo vit nuk ka pse të jetë i mërzitur, është mendimi i përgjithshëm.

Por për Robert Enken jo gjithçka kishte shkuar mirë në sport dhe në jetë. Në disa klube jashtë Gjermanisë, ku ka qenë i angazhuar si për shembull FC Barcelona, portieri kishte qëndruar thuajse vetëm në stol. Dhe tani që më në fund dukej se e kishte marrë veten dhe shihej si portieri më i mirë i Gjermanisë, e ndaloi një sëmundje. Por ngritjet dhe uljet në karrierën e tij sportive duken si diçka thuajse banale në krahasim me goditjen e fatit në vitin 2006: vdekja e vajzës dyvjeçare. Ne kurrë nuk do të mësojmë nëse tragjedia e pati zanafillën në këtë ngjarje, më herët apo më vonë. Portieri Robert Enke u vlerësua dhe u analizua deri në detaje. Por njeriu Robert Enke nuk njihej thuajse fare nga opinioni. Tani ai mungon.

Autor: Stefan Nestler/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi