1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rivotohet në pesë komuna të Kosovës

Zgjedhjet e plota në Skenderaj, Drenas dhe Deçan dhe të pjesshme në Malishevë dhe Lipjan po monitorohen nga 90 ekipe vëzhguesish ndërkombëtarë dhe vendorë.

default

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) thotë se me kohë janë hapur të gjitha qendrat e votimit në këto pesë komuna të Kosovës. Zgjedhjet po përsëriten për shkak të parregullsive të shumta në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit të shkuar.

Zgjedhjet në tërësi po zhvillohen në Skenderaj, Drenas e Deçan, ndërsa zgjedhje të pjesshme po mbahen në disa qendra votimi, në Lipjan dhe Malishevë. Të hapura janë gjithsej 69 qendra votimi në të gjitha këto komuna. Për rivotim janë ftuar afro 130 mijë qytetarë të këtyre komunave. Për monitorimin e zgjedhjeve janë adredituar mbi dy mijë vëzhgues. Shefi i zyrës civile ndërkombëtare Peter Faith, pohon se zgjedhjet janë një test për imazhin e Kosovës. Zgjedhjet në veçanti janë me rëndësi pas dëmtimit të imazhit të vendit kohët e fundit, pë shkak të manipulimit të zgjedhjeve dhe pohimeve pë krime gjatë luftës.

Kosovo Wahlen

Kuti votimi në Kosovë

Për të shmangur parregullsitë e sërishme eventuale KQZ mori vendim që asnjë komisioner, që mori pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, të mos mund të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme. Ata janë zëvëndësuar me komisionerë të rinj, thotë udhëheqësi i sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani.

“Ne e kemi bërë verifikimin e të dhënave të anëtarëve të këshillave të vendvotimeve të zgjedhjeve të 12 dhjetorit të vitit të shkuar dhe nga listat ne kemi verifikuar që asnjë komisioner i zgjedhjeve të 12 dhjetorit nuk gjendet në listat e reja”, thotë Xhemajl Peqani.

Monitorim i rreptë

Organizatorët e zgjedhjeve thonë se kësaj radhe do të ketë monitorim të rreptë të procesit të rivotimit. 90 ekipe të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas do të qëndrojnë gjatë gjithë ditës së nëntë janarit nëpër qendrat e votimit. Shefi i zyrës civile ndërkombëtare Peter Faith ka thënë se shtimi i vëzhguesve ndërkombëtarë ka për qëllim evitimin e manipulimit të votave në këto qendra votimi, siç ndodhi më 12 dhjetor. Edhe udhëheqësi i rrjetit të organizatave monitoruese të zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, Ismet Kryeziu, pohon se ata kanë akredituar 500 vëzhgues, të cilët gjatë gjithë ditës do të jenë në secilin vendvotim.

“Po tentojmë që ky proces të kalojë me një përgjegjësi më të lartë, megjithatë ne jemi në rolin e monitoruesve dhe çdo parregullsi, apo tentativë për parregullsi do ta publikojmë gjatë ditës së zgjedhjeve”, thotë Ismet Kryeziu.

Ismet Kryeziu

Drejtuesi i rrjetit të organizatave monitoruese të zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, Ismet Kryeziu.

Kryeziu pohon se edhe bashkepunimi me vëzhguesit ndërkombëtarë kësaj radhe edhe më i madh. “Bashkëpunimi do të jetë shumë më i fuqishëm, sepse vëzhguesit ndërkombëtarë këtë të dielë do të jenë prezentë jo me ekipe mobile, siç kanë qenë me 12 dhjetor, por do të jenë vëzhgues statikë gjatë gjithë ditës nëpër qendrat e votimit”, shpjegon Ismet Kryeziu.

KQZ për shkak të parregullsive në zgjedhjet e 12 dhjetorit rinumëroi edhe votat në 40 përqind të vendvotimeve në nivel të Kosovës. Sipas të dhënave të deritanishme, zgjedhjet do të përsëriten pjesërisht edhe në komunën e Mitrovicës. Rezultatet dhe vendimet përfundimtare do të bëhen publike pas publikimit të rezultateve përfundimare të zgjedhjeve të përgjithshme pas rivotimit të komunat Skenderaj, Drenas dhe Deçan. Mediat lokale, duke u referuar në burime brenda qendrës së numërmit, thonë se parregullsi të shumta ka pasur edhe në komunat tjera të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 09.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zudg
  • Data 09.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zudg