1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rivotimet në Mitrovicë me standarte por me pak pjesëmarrje

24 Janar 2011

Të dielën në Mitrovicë u përsëritën zgjedhjet për deputetë të kuvendit të Kosovës. Rivotimet u zhvilluan në një atmosferë të qetë, por me pjesëmarrje më të vogël se në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Serbët i bojkotuan ato.

https://p.dw.com/p/101Z7
Një kosovare votonFotografi: AP

Pjesëmarrje e vogël në votimet e së dielës në komunën e Mitrovicës ku u rivotua për deputetë të kuvendit të Kosovës. Nga mbi 80 mijë qytetarë me të drejtë vote, në zgjedhje morën pjesë vetëm 23 mijë qytetarë, apo 26%. Rezultatet zyrtare ende nuk janë publikuar, por PDK ka konfirmuar se i ka fituar zgjedhjet në Mitrovicë, e pasuar nga LDK. Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, përqindja e daljes në votime në Mitrovicë ishte shumë më e vogël sesa në zgjedhjet e 12 dhjetorit, në të cilat u shënuan parregullsi dhe si pasojë u vendos rivotimi. “Në qoftë se i krahasojmë me zgjedhjet e datës 12 dhjetor të vitit 2010, ku dalja në votime ishte 37%, kësaj radhe kemi një pjesëmarrje më të ulët, 11 %".

Kosovo Wahlen
Serbët e veriut i bojkotuan zgjedhjetFotografi: AP

Serbët bojkotojnë rivotimet

Gjatë procesit të rivotimit në Komunën e Mitrovicës nuk u shënua asnjë incident. Situatë e qetë mbretëroi edhe në veriun e qytetit, të banuar me shumicë serbe. Aty ishin hapur dy qendra votimi, e disa vendvotime mobilë, por serbët e këtij rajoni edhe kësaj radhe bojkotuan pothuaj tërësisht votimet e organizuara nga institucionet e Kosovës. Valdete Daka jep këto të dhëna: “Sa i përket veriut të Mitrovicës atje kanë votuar vetëm nëntë persona, që megjithatë është një sukses, sepse zakonisht në veri zgjedhjet gjithmonë janë bojkotuar. KQZ ka për detyrë që t'u mundësojë të gjithë qytetarëve që të votojnë, ndërsa, dalja në votime është në vullnetin e tyre dhe jo të KQZ-së”, thotë Valdete Daka. Në listat e votuesve në komunën e Mitrovicës kishte 15 mijë serbë me të drejtë vote.

Reagime pozitive pas rivotimeve

Rivotimet në Mitrovicë u vëzhguan nga 1200 vëzhgues vendas dhe ndërkombëtar. Vëzhguesit ndërkombëtarë ishin të shpërndarë në 40 ekipe, të cilët vinin nga përfaqësitë diplomatike në Kosovë, diplomatë nga vendet e tjera anëtare të BE-së dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” që monitoruan zgjedhjet konstaton se rivotimet në Mitrovicë megjithë disa parregullsi që ata i cilësuan minore, përmbushi standardet e kërkuara.

Ismet Kryeziu
Ismet Kryeziu nga „Demokracia në veprim“Fotografi: DW

Ismet Kryeziu është udhëheqës i Demokracisë në Veprim.“Rivotimi në Mitrovicë mendoj se do të quhej një proces që qytetarët e Kosovës do ta dëshironin që do të ishte në nivel vendi”, thotë Ismet Kryeziu. Rivotimi në komunën e Mitrovicës pritet të shënojë edhe përfundimin e ciklit zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Zyrtarë të PDK-së, e cila në bazë të rezultateve preliminare doli fituese e këtyre zgjedhjeve, thonë se menjeherë pas zyrtarizimit të rezultateve të zgjedhjeve do të formojnë qeverinë.

Kjo parti megjithatë ka nevojë që të bëjë koalicion me parti të tjera për formimin e qeverisë. Bisedimet për koalicione dhe arritja e marrëveshjeve të mundshme deri tani kanë qenë në nivel spekulimesh në mediat vendore. Vijën e kuqe për një koalicon me PDK-në, deri tani e kanë vënë LDK dhe levizja Vetëvendosja, ndërsa, pjesë e bisedimeve mbetet AAK, AKR, dhe pakicat kombëtare, të cilat kanë të rezervuara 20 vende në kuvendin e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi