1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rivendosja e kontrolleve kufitare në zonën e Shengenit

Me rritjen e valës së refugjatëve ilegalë në kufijtë e jashtëm të BE-së shtetet anëtare mund të rivendosin kontrollet kufitare - në marrëveshje me Brukselin dhe për një afat deri në dy vjet.

Qoftë Greqia, Italia apo edhe ndonjë vend tjetër - përballen me kritika të ashpra sa i përket menaxhimit të problemit të refugjatëve në vende të veçanta anëtare të BE-së. Shkas për debatin mbi reformën e Marrëveshjes së Shengenit në vitin 2011 u bë pranvera arabe. Mijëra refugjatë nga Afrika e veriut asokohe erdhën ilegalisht drejt Italisë dhe më pas shkuan në Francë. Qeveria franceze veproi menjëherë, duke i mbyllur kufijtë me Italinë. Edhe Danimarka deklaroi po në të njëjtin vit, vendosjen e kontrolleve kufitare me Gjermaninë. Qeveria gjermane reagoi e indinjuar. Në shënjestër të kritikave të ministrave të brendshëm të BE-së ndodhet ndërkohë kryesisht Greqia. Ky vend aleat nuk i siguron sa duhet kufijtë me Turqinë. Përmes këtyre kalimeve kufitare udhëtojnë refugjatë nga Afrika dhe Azia.

Përfundimi i bisedimeve të vështira

Në të ardhmen vendimet duhet të merren në nivelin e BE-së, në rast se duhet të rivendosen kontrollet kufitare, kështu vendosën ministrat e brendshëm të BE-së. Kërkesa e tyre është, që shtete të veçanta të zonës Shengen mund të rivendosin kontrollin kufitar, nëse kanë frikë, që përmes pikëkalimeve kufitare të hapësirës Shengen mund të hyjnë shumë emigrantë ilegalë në BE.

Dy vjet me radhë Parlamenti Europian, Komisioni i BE-së dhe Këshilli i Ministrave kanë negociuar lidhur me rregulloren e re të Shengenit. Reforma-Shengen duhet t'i parandalojë veprimet e mëvetsishme të vendeve të veçanta anëtare, siç kanë ndodhur në të kaluarën. Të enjten e ardhshme (06.06.) do të miratohet projektrregullorja e re. Nuk pritet të ketë rezistencë ndaj saj.

Udhëtimi pa kontroll pasaportash

Marrëveshja Shengen u garanton më shumë se 400 milionë europianëve kalimin pa kontrolle pasaportash në kufijtë e brendshëm të BE-së. Ndërkohë këtë marrëveshjen e kanë nënshkruar 26 vende europiane.

Kontrollet e pasaportave në situata të jashtëzakonshme mund të aplikohen për një periudhë prej 30 ditësh edhe para se reforma të hyjë në fuqi. Raste të jashtëzakonshme konsiderohen rreziku nga terrori si dhe evente politike apo sportive. Ky afat në të ardhmen përmes reformës mund të shtrihet edhe një periudhë kohore deri në dy vjet.

"Europa vendos mburojë ndaj njerëzve në vështirësi"

Barbara Lochbihler, eurodeputete e partisë "Aleanca 90 të Gjelbërit, e kritikon reformën duke e quajtur atë si një kufizim të së drejtës themelore europiane: "BE-ja po vendos mburojë për t'u mbrojtur nga njerëzit në nevojë." Politikania europiane e konsideron këtë si një dështim të politikës së përbashkët të BE-së: "Ajo që unë vëzhgoj prej vitesh, është se vendet me kufij të jashtëm të BE-së si Greqia dhe Italia, nuk gjejnë mbështetje për përballimin e problemit të refugjatëve."

Solidariteti, parimi themelor i aleancës së shteteve, sipas Lochbihler, nuk është i mjaftueshëm sa i përket politikës së BE-së për refugjatët. Prej dekadash nuk ka një rregullore të detyrueshme, për të pranuar refugjatë, të cilët vijnë në BE përmes kufijve të jashtëm të hapësirës Shengen. "Mbështetja bazohet tek gatishëmria vullnetare dhe asnjë shtet nuk e ndjen veten përgjegjës për këta njerëz në nevojë."

Pikërisht BE-ja si mbajtëse e Çmimit Nobel të Paqes duhet të angazhoet më shumë për refugjatët, kërkon eurodeputetja ekologjiste. Por në fakt në kufijtë e jashtëm të zonës Shengen ndodh e kundërta, vëren Barbara Lochbihler.

Eurodeputeti kristiandemokrat, Axel Voss, kontrollet kufitare nuk i vlerëson si mburojë, sepse sipas tij ato janë shumë të rëndësishme për ruajtjen e sigurisë së brendshme. Por ai i kushton rëndësi faktit, që nuk do të ketë më veprime të mëvetsishme në nivel kombëtar: "Pikërisht për këtë arësye ne duhej të merrnim një vendim në nivel europian dhe jo vetëm mes shteteve të prekura anëtare."

Jo vendime arbirtrare

E re në rregulloren e reformuar është edhe se Komisioni i BE-së duhet të mbikqyrë, nëse shtetet Shengen në kufijtë e jashtëm të kësaj hapësire i kontrollojnë kufijtë sipas rregullave. Një delegacion me përfaqësues të vendeve anëtare dhe të komisionit duhet ta verifikojë këtë në vend.

Axel Voss thekson detyrën e rëndësishme të Komisionit të BE-së për të ruajtur sigurinë e brendshme.  "Pozicioni i komisionit në disa aspekte do të forcohet, sepse më parë ai ka pasur rol vëzhguesi. Këtej e tutje kërkohet, që komisioni të jetë aktiv." Problemet kombëtare për sigurimin e kufijve duhet të identifikohen me kohë përmes kontrolleve më të ashpra të Komisionit të BE-së dhe duhet të zgjidhen me mbështetjen financiare të BE-së.

Në praktikë klauzola e re e emergjencës në reformën Shengen nuk ndryshon shumë. Komisioni i BE-së duhet të propozojë rivendosjen e kontrolleve kufitare. Këtë duhet ta konfirmojë Këshilli i Ministrave me shumicën e dy të tretave. Një pengesë e madhe kjo, e cila duhet kapërcyer deri në mbylljen e kufijve Shengen. Parlamenti i BE-së ka vetëm funksion vëzhguesi.

Pak hapësirë veprimi për Komisionin e BE-së?

Eurodeputetja Barbara Lochbihler druhet, se vendimet e Komisionit të BE-së mund të influencohen fort nga kryetarët e qeverive në Këshillin e Ministrave: "Ne kemi menduar, se me rregulloren e re komisioni vetëm verifikon, nëse ka arësye për vendosjen e kontrolleve." vende të veçanta anëtare mund të bëjnë politikë populiste me refugjatët dhe mund ta nxisin kësisoj komisionin të veprojë.