1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ripushtimi i Alepos pikë kthese?

Ushtria siriane po afrohet për të marrë Alepon. Kjo do të ishte një goditje e hidhur për opozitën. Rreth 300.000 njerëz kanë mbetur ende në qytet. Mjekët atje janë duke u përgatitur për më të keqen.

Qendra e mëparshme siriane Alepo ka qenë deri tani caku i sulmeve më të ashpra ajrore gjatë konfliktit. Të ashtuquajturat bomba fuçi të qeverisë, mbajtëse nafte të mbushura me njëqind kilogram lëndë shpërthyese dhe copa metali, kanë vrarë këtë vit mijëra njerëz në territoret e kontrolluara nga rebelët.

Frika e një rrethimi nga trupat qeveritare është rritur në Aleppo, që kur ushtria përparoi në mënyrë të konsiderueshme gjatë dy javëve të fundit dhe mundi të marrë zonën industriale Sheikh Naijar në verilindje.

Përpjekjet e ushtrisë përqëndrohen në marrjen e Handaratit, një zonë në afërsi të burgut qendror të Alepos. Atëherë qeveria mund të kontrollonte rreth 300.000 civilët, që janë ende në qytet dhe të bllokonte rrugën kryesore të furnizimit të rebelëve në fshatrat përreth. Ky veprim vjen pas disa muajsh, në të cilët forcat qeveritare të presidentit Bashar al-Asad kanë përparuar ngadalë. Që kur kanë filluar luftimet në Alepo në mesin e viti 2012, qeveria nuk ka arritur të largojë rebelët nga qyteti.

Shkatërrim në Alepo

Shkatërrim në Alepo

Çmimi politik

Një rimarrje e Alepos nga trupat qeveritare do të ishte një pikë kthese në konfliktin sirian, thotë Yezid Sayigh i Qendrës Carnegie për Lindjen e Mesme në Bejrut. "Do të ishte një goditje e rëndë, përsa i përket moralit dhe politikës", thotë ai në bisedë me DW. "Një ripushtim i Alepos do të simbolizonte atë, që regjimi është në gjendje ta kthejë faqen. Ky nuk do të ishte një çmim kryesor ushtarak, por politik." Sayigh e konsideron të mundshme, që trupat qeveritare ta rrethojnë qytetin: "Sepse kjo do të ishte një detyrë relativisht e thjeshtë. Ushtarët ndoshta nuk do të hyjnë, por ata do ta rrethojnë qytetin, do ta lënë pa ushqim dhe do ta bombardojnë. Por të marrësh një vend me rreth 300.000 njerëz, nuk do të jetë aq e lehtë. "

Përgatitja për rrethimin

Në Alepo mjekët përgatiten për më të keqen. "Situata është e tmerrshme", tha një mjek, i cili do të mbetet anonim për arsye sigurie. "Për momentin ka mjaft medikamente, por ne po punojmë, që të grumbullojmë më shumë rezerva, me qëllim që të kemi sa më shumë. Kjo vlen edhe për ushqimet. Ne duhet të përpiqemi, që të bëjmë diçka për vendin tonë."

Një tjetër mjek shtoi se aty nuk ka më shumë se 20 mjekë. Para luftës ka patur 6000. Ai është i shqetesuar nga bombat fuçi, që janë hedhur se fundi edhe mbi njërin prej spitaleve të fundit, që është në funksionim. "Ne kemi mjaft rezerva medicinale për një muaj", thotë Muhammed, që furnizon Aleppon me artikuj medicinalë. "Po na nevojiten urgjentisht fasho, mjete anestezie dhe shina."

Refugjatë në Alepo

Refugjatë në Alepo

I ka kaluar koha revolucionit?

Edhe pse situata në Aleppo bëhet gjithmonë e më kritike, Oubai Shahbandar, një zëdhënës i Koalicionit Kombëtar Sirian, thotë se opozita do të luftojë deri në fund. "Regjimi i Assadit në përpjekjet për të rrethuar Aleppon, është i varur nga forcat e armatosura iraniane dhe milicia e Hizbollahut", tha ai në bisedë me DW. "Forcat e armatosura të Revolucionit Sirian luftojnë me çdo gjë, që kanë, për të mbrojtur popullin e Alepos dhe zonën përreth. Një revolucion nuk mund ta shkatërrojnë tanket e Asadit."

Anas Al-Haj nga Këshilli Ushtarak Revolucionar në Aleppo theksoi se opozita nuk ka për të luftuar vetëm me forcat qeveritare, por edhe me ata të shtetit islamik (ISIS), të cilët kohët e fundit kanë përparuar në rajonin e Alepos: "Ne kemi në njërën anë regjimin dhe në anën tjetër ISIS." Por grupet rebele punojnë gjithmonë e më të strukturuara dhe mbështeten nga një forcë elite prej 600 vetësh, thotë Al-Haj. "Problemi është se ne nuk shohim ushtarë, sepse e gjithë lufta bëhet në ajër - bomba fuçi dhe përsëri bomba fuçi", shtoi ai.

Njerëz të pafajshëm përpiqen të largohen nga qyteti, por të varfërit s'e bëjnë dot një gjë të tillë, sepse nuk kanë para për të shkuar në Turqi, apo jashtë shteti", thotë Al-Haj. "Por edhe nëse regjimi nis rrethimin, Assadi nuk mund të bëjë, çfarë do. Sepse ne jemi në gjendje, ta çajmë atë dhe të bëjmë më të mirën e mundshme." Por politologu Sayigh është skeptik: "Unë besoj se rebellët nuk mund të fitojnë", tha ai. "Kjo nuk do të thotë, se njerëzit nuk mbrohen dhe luftojnë. Por si strukturë politike me suksese në fushën e betejës rebelët nuk kanë për të arritur më kulme. Nuk besoj se do të arrijnë gjë."

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17788328,00.html