1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rinia në Shqipëri - Nisma për ndryshim pozitiv në shoqëri

Arben Muka17 Shtator 2016

Rreth 1500 të rinj nga Dibra, Kurbini, Elbasani, Librazhdi, Korçë, Vlora dhe Tirana janë përfshirë në një program mbështetjeje që i ndihmon ata për veten dhe për komunitetin ku jetojnë.

https://p.dw.com/p/1K3yA
Albanien Impact Projekt
Projekti IMPACTFotografi: DW/A. Muka

Gledisa Golikja, një 18-vjeçare nga Librazhdi, së bashku me bashkëmoshatarët e saj ka vendosur të lyejnë muret e shkollës së mesme "Ibrahim Muça", ku ata mësojnë. Por jo vetëm kaq, veç mureve me lagështirë të shkollës që do të rregullohen, do të vendosen kosha për mbeturinat, si dhe stola e tavolina në oborr ku nxënësit mund të ulen. “Ne do të ndërgjegjësojmë nxënësit që t'i mirëmbajnë të gjitha këto”, tregon Gledisa, duke shtuar se gjithçka ka nisur pasi grupi i tyre u përfshi në një program mbështetjeje për të rinjtë, quajtur IMPACT. Pikërisht produkt i pjesmarrjes së tyre është aftësia e të rinjve për të ndihmuar në zonën ku jetojnë.

“Iu drejtuam prindërve të nxënësve, bizneseve të zonës, madje takuam edhe kryetarin e bashkisë dhe i kërkuam mbështetje. Bizneset pranuan të sjellin çimenton dhe lëndët e tjera të para, prindërit do të bëjnë punimet dhe bashkia ka ofruar mbështetjen që gjithçka të ndodhë sa më shpejt. Kur punimet të mbarojnë përfituesit janë rreth 300 nxënësit e kësaj shkolle.”

Të menduar kritik, vizionim i së ardhmes dhe bashkëpunim me njeri-tjetrin

Për përfshirjen e të rinjve nga zonat rurale dhe periferike në programe mbështetëse po punon dhe organizata Word Vision. Momentalisht janë rreth 1 500 të rinj që po përvetësojnë një kurrikulë të veçantë, posaçërisht për nevojat e tyre, që ka një kohëzgjatje 3 vjeçare. Programi i quajtur IMPACT po aplikohet në zonat rurale dhe periferike të Dibrës, Tiranës, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Vlorës dhe Kurbinit. Ideja bazë është që këto njohuri të reja t'u rrisin të rinjve vetëbesimin dhe t'i fuqizojë si njerëz, tregon për Deutsche Welle-n, Jurgena Hajdaraj, këshilltare për rininë në Word Vision. Sipas saj, në këtë mënyrë ata do të jenë të aftë të ndihmojnë dhe të zbatojnë projekte të rëndësishme për veten, por edhe për komunitetin ku banojnë.

“Ne besojmë se mbështetja e këtyre nismave rinore në komunitet ndihmon jo vetëm përfituesit e tyre, por vetë të rinjtë që angazhohen vullnetarisht. Ata përfitojnë aftësi për jetën si: i menduari kritik, vizionimi i së ardhmes, bashkëpunimi me të tjerë, dhembshuria, komunikimi i qartë, zgjidhja e një konflikti në komunitet etj., të cilat do t'u duhen edhe ndërsa eksplorojnë mundësitë për punësim.”

Marsela Neni është mësuese në shkollën e mesme të fshatit Kuqan në Elbasan, ku ka një grup të rinjsh në kuadër të programit IMPACT. Ajo shprehet se nga veprimtaritë me grupin nuk kanë mësuar vetëm të rinjtë, por dhe ajo vetë. “Kam mësuar se një i ri të cilin, në orën e mësimit mund ta konsideroja ‘nxënës të dobët', në fakt është me pontencial, të cilin ende nuk ka gjetur mënyrën për t'a treguar. Kam mësuar se të rinjtë kanë nevojë të argëtohen edhe kur janë duke mësuar dhe unë mund ta bëj këtë edhe në klasë. Ora e mësimit është më e bukur. Kam mësuar se, të bëhesh miq me nxënësit e tu nuk e cënon integritetin dhe autoritetin si mësues. Përkundrazi, i nxit ata për të pasur qëndrime pozitive ndaj të rriturve. Mosha e të rinjve me të cilët ne punojmë, më tepër se gjithçka, ka nevojë për vëmendje e shumë dashuri. Të ndash përgjegjësi me të rinjtë nuk e zvogëlon rëndësinë tënde, por thjesht i bën ata më të zotë. Komuniteti është si një anije, të gjithë duhet të jenë të aftë të marrin timonin.”

MSOE Albanien, Häuser in Tirana
TiranaFotografi: Mimoza Dhima

Papunësia si shqetësimi kryesor i të rinjve në Shqipëri

Orientimi i organizatës Word Vision në projekte me të rinjtë nuk është rastësor. Sipas Elda Spahos Shqipëria është vendi i dytë me moshën të re në Europë, pas Kosovës. Sipas Census 2011, rreth 46 % e popullsisë është nën 30 vjeç. Kjo është një pasuri e madhe për çdo vend, por në Shqipëri të rinjtë përballen me vëshirësi të mëdha, sidomos në fshatra dhe periferi, thotë për Deutsche Welle-n ,Elda Spaho nga World Vision.

“Rreth 8 mijë adoleshentë braktisën shkollën e mesme gjatë vitit 2014, sipas të dhënave të UNESCO-s. Përveç kësaj, të rinjtë janë grupmosha që vuan papunësinë më të lartë. Për grupmoshën 15-29 vjeç niveli i papunësisë shkon në 32.3%, sipas shifrave të INSTAT për vitin 2015. Bazuar në të dhënat e organizatës sonë, pas një pyetësori që zhvilluam në vitiun 2015, rezultoi se 62% e tyre listuan papunësinë si shqetësimin e tyre kryesor. Më pas vjen mungesave e hapësirave dhe qendrave të posaçme ku ata të mund të shprehin ose zhvillojnë talentet dhe kanalizojnë energjitë. Vetëm 7.1% e të rinjve deklarojnë se e kalojnë kohën e lirë në mënyrë të dobishme, pjesa tjetër e kalon rrallë ose asnjëherë. Këta tregues janë arsye bindëse se përse organizata jonë punon prej 8 vjetësh qëllimshëm me të rinjtë në Shqipëri, përmes një programi kombëtar. Janë djem e vajza që jetojnë më së shumti në zonat më në nevojë, zakonisht në fshatra ose periferi qytetesh”.

Për aktivistët e Word Vision, të rinjtë janë në periudhën e energjive, dëshirave, ideve të cilat janë shumë të rëndësishme të motivohen. Adoleshenca e më pas, rinia e hershme, janë faza vendimtare në jetë ndaj atyre u jepet mundësia që përmes këtyre programeve të marrin aftësi konkrete, për t'u përgatitur për jetën. Në këtë mënyrë plotësohen ato, të cilat ata nuk mund t'i mësojnë në shkollë, apo në komunitetin ku jetojnë. Komunikimi me të tjerët, udhëheqja e vetes apo e të tjerëve e deri te menaxhimi i një biznesi të vogël, janë vetëm disa prej tyre dhe përgjatë këtyre 8 viteve të fundit bëhen me mijëra të rinjtë që i kanë marrë ato.

Të kuptuarit për të sjellë një ndryshim pozitiv në shoqëri

Programi IMPACT (shkurtesa e fjalëve motivim, pjesëmarrje, veprim, komunitet dhe rini), është një hapësirë që bën bashkë të rinjtë të grupmoshës 15 – 18 vjeç, sidomos ata që kanë më pak mundësi në jetë. Në takimet me bashkëmoshatarët e tyre, ata mësojnë aftësi, sjellje dhe qëndrimet të nevojshme që u duhen në jetën e tyre si dhe për të ndihmuar komunitetin e tyre. Përshembull si të shkruajnë një CV të mirë, si të menaxhojnë kohën, si të mbajnë një buxhet vetjak, si të bëjnë plan biznesi etj. Përmes këtij programi synohet që të rinjtë kuptojnë që mund të sjellin një ndryshim pozitiv në shoqëri. Modeli u mëson të rinjve të përfytyrojnë ndryshimin social, të diskutojnë sëbashku, të shkruajnë dhe të zbatojnë projekte në shërbim të të tjerëve. Nëpërmjet lojërave, duke u shërbyer të tjerëve, ai u jep mundësi të rinjve të kuptojnë problemet në komunitet dhe të punojnë sëbashku për t'i zgjidhur ato. Ky proces i ndihmon të rinjtë të mësojnë aftësi për jetën, por edhe të zhvillohen nga ana shpirtërore dhe të ndërtojnë karakterin moral.