1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rindizen protestat në Turqi

Pas një faze qetësie relative në rrugët e Turqisë po rikthehen trazirat. Vdekja e një demonstruesi 22 vjeçar shkaktoi përleshje me policinë. Vëzhguesit presin një "vjeshtë të nxehtë".

Turkish leftist protesters run for cover from riot policemen during an anti-government demonstration in the district of Beyoglu in Istanbul on September 9, 2013. AFP PHOTO/BULENT KILIC (Photo credit should read BULENT KILIC/AFP/Getty Images)

Türkei Protest

Ahmet Atakan është qëlluar në kokë me një bombël me gaz lotsjellës, njoftojnë dëshmitarët. Ndërsa autoritetet pohojnë se 22 vjeçari është rrëzuar nga çatia e një shtëpie. Një gjë është e sigurt: Ahmet Atakan nuk jeton më. Dhe sërish ka shpërthyer konflikti ndërmjet kritikëve të qeverisë, që protesotjnë në rrugë dhe policisë, që mbron këtu interesat e qeverisë. Përsëri demonstruesit akuzojnë policinë se po vepron me një ashpërsi të tepruar kundër mitingjeve në fakt jo agresive. Në Stamboll të dyja palët janë përleshur ashpër deri në orët e mëngjesit të së mërkurës.

Atakani, që u vra të hënën në mbrëmje (09.09.2013), është demonstruesi i gjashtë, që vritet që prej fillimit të manifestimeve kundër qeverisë në qershor. Edhe një polic është vrarë në protestat, që u shkaktuan për shkak të një projekti ndërtimi të qeverisë në parkun Gezi të Stambollit. Protestat u fashitën në fakt me fillimin e pushimeve të verës në fund të qershorit.

Shkaqet e trazirave janë të njëjtat

Dhunë policore në Stamboll pas vdekjes së një të riu

Dhunë policore në Stamboll pas vdekjes së një të riu

Përfaqësues të qeverisë dhe të lëvizjes së protestës patën parashikuar se në shtator me fillimin e semestrit të dimrit në universitetet e vendit do të priteshin tensione të reja. U fol për një vjeshtë të nxehtë.

Sepse shkaqet, që detyruan koalicionin e grupeve kritike të qeverisë të dalë në rrugë në qershor, vazhdojnë të ekzistojnë. Lëvizja e protestës akuzon kryeministrin Rexhep Taip Erdogan për autoritarizëm dhe mospërfillje të opinioneve të atyre, që mendojnë ndryshe. Në fakt qeveria bëri në qershor premtime për ndryshime, por konkretisht nuk ka bërë asgjë. Momentalisht ajo do të realizojë ndërtimin e një rruge në mes të territorit me shumë pemë të universitetit Teknik të Lindjes së Mesme. Edhe kundër kësaj ka protesta.

"Taktika të luftës psikologjike"

Qeveria i përmbahet linjës së saj, se pas lëvizjes së protestës nuk janë qytetarët seriozisht të pakënaqur, por kundërshtarët politikë të Erdoganit, të cilët duan ta detyrojnë kryeministrin të bjerë në gjunjë me presionin e rrugës. Mustafa Varank, një këshilltar i kryeministrit, akuzoi në Twitter lëvizjen e protestës, se po përhap propangandë dhe gënjeshtra në lidhje me vdekjen e Atakan-it dhe po përdor "taktika të luftës psikologjike".

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan

Erdogan vazhdon me linjën e ashpër

Duke u nisur nga këto reagime lëvizja e protestës duhet të jetë e sigurtë, që së paku nga ana e shtetit nuk mund të presë mirëkuptim për kërkesat e saj. Süha Yilmaz, anëtar i një forumi protestues në Stamboll, i tha Deutsche Welles, se ai pret tensione të reja. "Secili mendonte se shtatori do të ishte i nxehtë dhe kështu edhe do të jetë." Yilmaz nuk sheh shenja se qeveria mund të lëshojë pe. "Ata kanë filluar përsëri të vrasin njerëz", tha ai duke patur parasysh vdekjen e Ahmet Atakan. "Ata nuk tërhiqen asnjë hap."

Kritikë edhe ndaj lëvizjes së protestës

Por edhe lëvizja e protestës kritikohet. Në përleshjet e fundit në Stamboll këtë javë disa protestues qëlluan policinë me kokteje molotov. Kjo gatishmëri për dhunë krijon dyshime tek disa simpatizues të lëvizjes së protestës.

Një pronar i një lokali në Stamboll, i cili thotë se mbështet kërkesat e demonstruesve për më shumë demokraci, i raportoi Deutsche Welles për të rinj, që kanë vërshuar në lokalin e tij duke i kërkuar shishe boshe birre, për të qëlluar me to policët.

"I nxora menjëherë jashtë, ata donin të bënin vetëm trazira", thotë pronari i lokalit, i cili nuk do ta thotë emrin. Ai kujton se në fazën e parë të protestave në qershor në Gezi ka patur shumë qytetarë normalë në demonstrata, por pastaj ato u dominuan gjithnjë e më shumë nga radikalët. "Pas dy javëve të para gjendja ndryshoi", thotë pronari i lokalit. Ai mendon se kjo nuk është shenjë e mirë për muajt e ardhshëm.