1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rindërtimi i Lindjes: Para dhe fjalë të mira

„Peizazhe të lulëzuara“ iu premtoi ish-kancelari federal Helmut Kohl në vitin 1990 qytetarëve të RDGJ-së. 1,3 bilionë euro ka kushtuar deri tani rindërtimi në Lindje. Por ai është ende shumë larg përfundimit.

Pllakati në Magdeburg me mbishkrimin: Vepra e përbashkët e rritjes ekonomike të Lindjes

Pllakati në Magdeburg me mbishkrimin: Vepra e përbashkët e rritjes ekonomike të Lindjes

Kur turistët gjermanoperëndimore shëtisin në qytete gjermanolindore, shpesh ata habiten se sa bukur janë restauruar shtëpitë, sa i sheshtë është asfalti i rrugëve dhe sa moderne është infrastruktura. Jo rrallë shtrohet pyetja se çfarë ka mbetur atje ende për t'u rindërtuar. Fakt është që 20 vjet pas ribashkimit është arritur mjaft. Megjithatë rindërtimi në Lindje ka zgjatur shumë. Këtë e pranon edhe vetë Lothar de Maizière, i cili në mars të vitit 1990 u zgjodh si kryeministri i fundit i RDGJ-së (Republika Demokratike e Gjermanisë) në zgjedhjet e para të lira atje. „Ne të gjithë menduam atëherë se gjithçka do të bëhej më shpejt. Por kush nuk i sheh sot peisazhet e lulëzuara është ose i verbër ose i marrë“, thotë de Maizière. „Kur udhëtoj sot përmes Gërlicit, Kuedlinburgut dhe shumë vendeve të tjera, zemra më gufon kur shoh se si kanë ndryshuar këto qytete.“

Gërlic aplikoi për kryeqytet kulture në 2010-n

Gërlic aplikoi për kryeqytet kulture në 2010-n

Deri më sot bashkimi i Gjermanisë, sipas Institutit për studime ekonomike në Halle ka kushtuar 1,3 bilionë euro në periudhën nga viti 1991 deri në 2009. Mjetet financiare për ndërtimin në Lindje shkojnë në pjesën më të madhe direkt në buxhetet e landeve të reja. Vetëm në projekte transporti si rrugët federale, autostradat dhe rrugët ujore Federata investon direkt.

Papunësia - faktor kostoje

Por në fund nuk ishte ndërtimi material i landeve të reja – investimet në një infrastrukturë në gjendje tejet të mjeruar, apo mbështetja financiare e sipërmarrjeve prodhuese – ajo që e bëri aq të shtrenjtë faturën fillestare. Ishte rrënimi i plotë i ekonomisë së RDGj-së, që shkaktoi një papunësi në nivel marramendës, dhe rreth dy të tretat e 1,3 bilionë eurove u desh të shpenzoheshin për shërbime sociale. Ende sot papunësia në Lindje është dukshëm më e lartë se ajo në pjesën perëndimore të Gjermanisë.

Një çift me fëmijë ngre lart markat gjermane para arkës së kursimit të Drezdenit

Bashkimi monetar gjerman. Një çift me fëmijë ngre lart markat gjermane para arkës së kursimit të Drezdenit

Zhvillimi me siguri nuk ishte planifikuar kështu, kur më 1 korrik 1990 hyri në fuqi në RDGJ unioni ekonomik, monetar dhe social dhe me të edhe marka gjermane. Nga qytetarët e RDGJ-së ajo u përshëndet me brohoritje, për ekonominë e RDGJ-së ajo pati pasoja fatale. Pensionet dhe kursimet deri në shumën prej 6.000 markash të RDGJ-së u paguan një me një me marka perëndimore. Brenda natës ato u gjendën pa mbrojtje përballë konkurrencës me ekonominë gjermanoperëndimore, dhe nuk kishin mundësi tjetër veçse të humbnin. Edhe vetë qytetarët e RDGJ-së nuk donin të blinin më me markat e tyre perëndimore produkte vendase. Ushqime, mallra luksi, aparate teknike apo automojete: të gjitha pa dallim duhej të ishin produkte perëndimore.

„Nuk kishte alternativë tjetër veç unionit monetar“

Ekspertët kishin parashikuar se unioni monetar do ta rrënonte ekonominë e RDGJ-së, por ministri i atëhershëm i financave Theo Waigel përgjigjet sot, se në 1990-n nuk kishte alternativë tjetër përballë thirrjes „nëse nuk vjen tek ne marka perëndimore, do të shkojmë ne tek ajo“.

Theo Waigel

Theo Waigel, ministër i atëhershëm i Finacave

„Në Ministrinë e Financave ne atëherë diskutuam edhe me specialistë të gjitha mundësitë teorike, planet me etapa, mundësitë e optimizimit“, kujton Waigel, i cili ka qenë ministër i Financave nga viti 1989 deri në 1998. „Të gjitha planet nuk do të na kishin hyrë në punë - e vetmja mundësi ishte të vendosnim sërish një kufi në Gjermani.“

Edhe në Gjermaninë e bashkuar fuqia ekonomike mbeti e shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Sipërmarrjet gjermanoperëndimore i shisnin vërtet në Lindje produktet e tyre, por vazhdonin të prodhonin në Perëndim. Vetëm ngadalë filluan të krijoheshin në landet lindore edhe vendet e punës në sektorin industrial. Edhe sot fuqia ekonomike në lindje të Gjermanisë është për frymë vetëm 71% e nivelit në pjesën perëndimore. Produkti i Brendshëm Bruto i realizuar nga ekonomia private, pra shuma mesatare e të gjitha produkteve dhe shërbimeve, është vetëm 66% për frymë e saj që realizohet në Gjermaninë Perëndimore.

Makinë e markës perëndimore duke gëlltitur marknën lindore, të njohur si Trabant

Perëndimi gëlltit Lindjen. Makinë e markës perëndimore duke gëlltitur marknën lindore, të njohur si Trabant



Ndërtimi në Lindje një „biznes i keq“?

Ish-ministri i Financave Theo Waigel u pyet para pak vitesh nga kryetari i bordit të një koncerni amerikan, nëse „blerja“ e RDGJ-së kishte qenë një biznes me humbje. „Kjo më nervozoi disi dhe unë u përgjigja: ‚Okay, e gjitha zgjati më shumë dhe kushtoi më tepër nga sa prisnim. Por 18 milionë njerëz jetojnë sot në një demokraci të lirë. Dhe nëse ju mund të dëshmoni brenda dhjetë vjetësh të njëjtin bilanc në Irak, atëherë mund të ma drejtosh këtë pyetje“, tregon Waigel. Sot biznesmeni e ka kyçur gojën. „Sa herë e takoj, thotë: ‚Theo, kurrë më nuk do ta bëj këtë pyetje.'“

Helmut Kohl përshëndet masën në një aktivitet zgjedhor në Erfurt

Helmut Kohl përshëndet masën në një aktivitet zgjedhor në Erfurt

Ndërtimi në Lindje është aksioni më i madh i solidaritetit, që ka ndodhur ndonjëherë në tokën gjermane, thotë Waigel. Një aksion solidariteti që do të vazhdojë ende për kohë të gjatë. Ashtu si më parë asnjë land gjermanolindor nuk mund të financohet me forcat e veta. Pakti i solidaritetit sipas planeve aktuale të qeverisë gjermane do të vazhdojë deri në vitin 2019. Kjo do të thotë që edhe gjatë viteve të ardhshme shuma të mëdha parashë do të transferohen nga perëndimi në lindje. Se çfarë do të vijë më pas, pritet të shihet. Ndoshta pakti i solidaritetit do të marrë thjesht një tjetër emër dhe financimi i landeve gjermanolindore do të sigurohet përmes mekanizimit të quajtur rishpërndarje financiare mes landeve. Ai parashikon që landet e pasura gjermane t'u vijnë në ndihmë atyre më të varfëra. Një gjë e tillë aplikohet tashmë në pjesën perëndimore.

Autor: Sabine Kinkartz/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 03.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PQXb
  • Data 03.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PQXb