1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rikthim në nënshtetësinë fillestare: hebrenjtë sot dhe Gjermania

Për vite më radhë Gjermania nuk ka qenë vend i preferuar për hebrenjtë gjermanë, që banojnë në Izrael. Shumë prej tyre nuk u kthyen më kurrë në Gjermani. Por tani nipërit dhe mbesat e tyre janë më pragmatikë.

Dokumentat e vjetra u shërbejnë hebrenjve si dëshmi për nënshtetësinë gjermane sot. Ne foto: nje patente shoferi e nje hebreu

Dokumentat e vjetra u shërbejnë sot hebrenjve si dëshmi për nënshtetësinë gjermane

Të gjithë personave që në kohën e nazizmit iu hoq nënshtetësia gjermane kanë të drejtë ta rimarrin atë

Dan Assan-i është avokat në Tel Aviv dhe merret pikërisht me kërkesat e izraelitëve për pasaportë gjermane: "Në 10-15 vitet e fundit është rritur jashtë mase numri i izraelitëve që kërkojnë pasaportë gjermane. Ne kemi deri në 3500 persona në vit", - thotë ai.

Kushtetuta gjermane ka një nen, në bazë të të cilit, të gjithë personat që në kohën e nazizmit u përjashtuan nga nënshtetësia gjermane kanë të drejtë ta marrin një çertifikatë nënshtetësie, jo vetëm për vete, por edhe për pasardhësit.

"Megjithëse duhet thënë që termi i çertifikatës së marrjes së nënshtetësisë është i gabuar. Sepse ata nuk kanë pasur fillimisht një nënshtetësi tjetër, ata gjithmonë kanë qenë gjermanë dhe të tillë kanë mbetur", vëren Assan-i.

Por ky dallim për shkaqe burokratike nuk i shqetëson më izraelitët, nipërit dhe mbesat e të cilëve me këtë pasaportë kanë të drejtë të kthehen në Gjermani.

"Gjyshi im ka studiuar filozofi dhe nazistët e përjashtuan nga studimet"

Njëra prej tyre është Noa. Violonçelistja ka zgjedhur Berlinin për të studiuar muzikë. Kur erdhi disa muaj më parë në kryeqytetin gjerman, ajo nuk dinte asnjë fjalë gjermanisht, por në xhep kishte pasaportën, për shkak të gjyshit, i cili 74 vjet më parë ishte detyruar të largohej nga Gjermania naziste.

"Gjyshi im ka studiuar filozofi dhe nazistët e përjashtuan nga studimet, sepse ishte hebre. Kështu ai shkoi në Izrael", rrëfen Noa.

200 mijë vetë në Izrael kanë prejardhje gjermane dhe mund të marrin nënshtetësinë gjermane

Mbi 200 mijë shtetas në Izrael kanë prejardhje gjermane, dhe për pasojë kanë të drejtë të marrin nënshtetësinë. Deri tani gati gjysma e tyre e ka marrë këtë nënshtetësi. Dokumenti që duhet të dorëzojnë ata në Ambasadën Gjermane në Tel Aviv është një pasaportë e vjetër me një vulë me mbishkrimin "hebre" dhe kryqin e thyer, simbolin e nazizmit.

"Burokracia i ka ca rregulla. Kush kërkon një pasaportë e di këtë dhe është i detyruar të dorëzojë dhe dokumente të tilla," thotë Daniel Dagan, publicist izraelit që jeton në Berlin.

Fakti që izraelitët marrin tani gjithmonë e më shumë pasaporta gjermane, nuk ka të bëjë me simpatinë ose antipatinë për Gjermaninë, por me mundësinë e për të lëvizur lirshëm e pa vizë në të gjithë hapësirën Shengen, thotë Dagani. Gati çdo izraelit ka të paktën dy pasaporta, shton publicisti i lindur në Kajro, dhe tregon një anekdotë.

"...Ç'më duhet edhe pasaporta gjermane, unë i kam dymbëdhjetë."

Kur ish-kancelari i parë i Republikës Federale Gjermane, Konrad Adenauer, donte t'i ofronte një pasaportë gjermane ish-presidentit të Kongresit Botëror Hebraik, Nahum Goldmann, si shenjë falënderimi për angazhimin e tij në pajtimin mes hebrenjve dhe gjermanëve, ky iu përgjigj: "I dashur Konrad, faleminderit shumë, por ç'më duhet edhe pasaporta gjermane, unë i kam dymbëdhjetë."


Autor: Anila Shuka/ Stefan Buhen

Redaktoi: Auron Dodi


  • Data 31.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J1AF
  • Data 31.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J1AF