1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rikthim në demokraci, por një fillim i ri është i pamundur në Bangladesh

Qeveria shfuqizoi gjendjen e jashtëzakonshme në mënyrë që në vendin e tretë më të madh mysliman të botës të zhvillohen më 29. dhjetor 2008 zgjedhjet parlamentare. Bangladeshi është një ndër vendet më të varfra të botës.

default

Zgjedhësit presin të votojnë në të gjithë Bangladeshin

Bangladeshi kryeson prej vitesh indeksin e korrupsionit të organizatës Transparency International. Që prej dy vjetësh vendi qeveriset prej një qeverie emergjence të mbështetur nga ushtria, e cila si qëllim kryesor të vetin ka shpallur luftimin e korrupsionit dhe të ekstremizmit islamik. Por vëzhguesit janë të mendimit se kjo qeveri as i ka zgjidhur problemet e vendit dhe as e ka mundur korrupsionin.

Vështirësitë e qeverisë së re

Qeveria kalimtare e Bangladeshit nuk e pati që në fillim të lehtë. Mandati, të cilin ajo nuk e mori prej popullit, por prej ushtarakëve ishte të luftonte korrupsionin e përhapur kudo në jetën publike të vendit, gjë që po e çonte vendin në kaos. Politikanët e vënë në shenjestër të akuzave nuk treguan pikë pendese dhe refuzuan të bashkëpunonin me pushtetmbajtësit e rinj në Daka. Sidomos Partia Nacionaliste e Bangladeshit (Bangladesh Nationalist Party, BNP) bëri gjithçka për të përkeqësuar atmosferën ndaj qeverisë tranzitore, duke e akuzuar atë për mashtrim ndaj popullit dhe duke përhapur teori të ndryshme komplotesh konspirative.

Bombenanschläge in Bangladesch

Lufta kundër terrorizmit ishte prioritet i qeverisë. Në Bangladesh janë zhvilluar shpesh atentate terroriste

Kryetari i BNP-së, Khaleda Zia deklaroi se në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin më 22. janar 2007, atëhere BNP-ja dhe partnerët e saj do të ishin zgjedhur dhe do të kishin krijuar një qeveri. Zia: "BPN-ja dhe partnerët e saj do të kishin nxitur kudo në Bangladesh projekte zhvillimi, për këtë populli beson se do të kishte përfituar prej një fitoreje të BPN-së. Kështu do të kishte ndodhur prandaj filloi komploti."

Sukseset në luftën kundër korrupsionit në Bangladesh

Megjithë akuzat e nacionalistëve qeveria kalimtare arriti fillimisht suksese të dukshme. Makinat luksoze të politikanëve dhe nëpunësve të korruptuar u zhdukën nga rrugët e qyteteve dhe ndërtesa shumëkatëshme të ndërtuara në kryeqytet ilegalisht u shëmbën. U miratua një ligj për financimin legal të partive, u përpiluan regjistra të rinj me emrat e zgjedhësve dhe nga listat elektorale u hoqën emrat fiktivë. Futja e teknikës moderne të votimit medohet se do t'i bëjë të pamundura falsifikimet. Policët vazhdonin punën pa u përzier në politikë dhe politikanët e dyshuar për mitmarrje përfunduan në burgim hetimor, bashkë me rreth 100.000 persona të tjerë. Në shumicën e rasteve ndaj tyre u ngritën edhe padi në gjykatë.

Wahlkampagne in Bangladesch

Bangladeshi është një ndër vendet më të varfra të botës.

Lufta kundër korrupsionit mbetet në gjysmë të rrugës

Pas këtyre hapave qeveria kalimtare pësoi humbje dhe e humbi forcën për të vazhduar qëllimet e saj. Krijimi i ri i partive dështoi, sepse politikanët e radhëve të dyta i refuzonin me vendosmëri si reformat edhe zgjedhjet e reja përpara lirimit të kryetarëve të partive. Po ashtu prokurorët nuk ia dilnin gjithmonë mbarë që t'i bindnin gjykatat se politikanë të lartë të vendit ishin fajtorë.


Në fund të gushtit 2007 në Bangladesh shpërthyen protestat masive të studentëve, që çuan në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Mbështetja e opinionit të gjërë u tret, kur qeveria nuk arriti të dëbonte nga politika dy rivalët e vjetër Sheikh Hasina dhe Khaleda Zia.

Pas shumë procesesh të vështira gjyqësore kryetarët e dy partive më të mëdha të vendit lidhjes Awami dhe BNP-së arritën me ndihmën e klaneve dhe familjeve të tyre të fuqishme të vinin sërish në krye të këtyre partive pa humbur as reputacion dhe as pushtet.

Në ç'rrugë po ecën aktualisht Bangladeshi?

Të gjithë e kanë të qartë me varfërinë e madhe dhe me një përqindje lindjesh prej 3% Banlagdeshit do t'i duhen dekada për t'i zgjidhur problemet e veta ekonomike. Veç kësaj 153 milionë banorët e tij janë të prekur si askush tjetër prej pasojave të ndryshimeve klimatike. Duke folur për sfidat ndaj politikës kryetari i lidhjes Awami Sheikh Hasina shprehet: "Zgjedhjet e 29. dhjetorit do të vendosin se si do të jetojmë në të ardhmen. A do të mbetet Bangladeshi vendi i lypsave? Do të vazhdojë të jetë i varur prej ndihmave të huaja? Do të mbetet Bangladeshi gjithmonë viktimë e terrorit apo do të jetë në gjendje të kthehet në djep të paqes?"

Bangladesch Wahlen

Kryetari i BNP-së, Khaleda Zia gjatë fushatës elektorale

Gjatë fushatë elektorale nuk u dëgjua asnjë fjalë për luftimin e korrupsionit dhe as u dha ndonjë sinjal për një fillim të ri politik. Prandaj me sa duket pas zgjedhjeve do të vazhdojë shpërblimi i pasuesve të ithtarëve të partive në bazë të besnikërisë së tyre. E paqartë është nëse pala humbëse do ta pranojë përfundimin e zgjedhjeve apo do të reagojë me dhunë. Një shpresë e vogël lidhet me faktin se të dyja partitë e mëdha janë të varura prej koalicioneve me parti të tjera dhe se të dyja grupet mund të krijojnë një qeveri vetëm me konses. Nga ana tjetër, përveç politikanëve në pozicion pritjeje është edhe ushtria dhe askush nuk mund të thotë se si do të reagojë ajo, në rast se sipas mendimit të saj përfundimi i zgjedhjeve apo kursi i qeverisë së re nuk janë në rregull.



  • Data 29.12.2008
  • Autor Grahame Lucas
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GObX
  • Data 29.12.2008
  • Autor Grahame Lucas
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GObX