1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rikthim besimi në marrëdhëniet BE - Rusi

Pas takimit me Rusinë BE-ja sheh një rikthim në marrëdhëniet dypalëshe të bazuara në më shumë besim reciprok. Por problemi i furnizimeve me gaz rus vazhdon të mbetet një problem në marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë.

Rikthim besimi: presidenti rus, Dmitri Medvedjev, presidenti çek, Vaclav Klaus, shefi i politikës së jashtme të BE, Havier Solana

Rikthim besimi: presidenti rus, Dmitri Medvedjev, presidenti çek, Vaclav Klaus, shefi i politikës së jashtme të BE, Havier Solana

BE është i mendimit se në marrëdhëniet me Rusinë është rikthyer besimi. Në përfundim të takimit të nivelit të lartë mes BE-së dhe Rusisë në Shabarovsk, presidenti i Çekisë, Vaclav Klaus, që është edhe presidenti i radhës i BE-së, u shpreh: "Ky takim forcoi besimin reciprok, gjë që është e rëndësishme."

Edhe presidenti rus Dmitri Medvedjev u shpreh i kënaqur në lidhje me takimin dyditor. "Sot nuk ka asnjë dyshim për karakterin strategjik të marrëdhënieve mes Rusisë dhe BE-së," - tha ai.

Problemi i furnizimeve me gaz rus vazhdon të mbetet një problem në marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë. Gjatë bisedimeve në Shabarovsk, Medvedjevi u shpreh edhe një herë për një kartë për energjinë. Gjatë një konference shtypi të transmetuar live prej TV shtetëror rus Medvdejevi tha se shpreson që BE-ja do t'i diskutojë idetë ruse për një bazë të re ligjore për tregtinë e naftës dhe të gazit.

BE-ja kërkoi nga Rusia si edhe nga Ukraina që të ndërmarrin gjithçka që të mos përsëritet më një bllokim i furnizimeve me gaz si ai i fillimit të këtij viti, gjë e cila bashkë me konfliktin në Kaukaz dhe luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë çuan në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe BE-së. Duke theksuar se Rusia është e gatshme ta ndihmojë Ukrainën, Medvedjevi kërkoi njëkohësisht nga BE-ja që për të siguruar furnizimet me energji t'i ofrojë një pjesë kredie Ukrainës.

Nga e majta Zhose Manuel Barroso, presidenti rus Dmitri Medvedjev, presidenti çek Vaclav Klaus dhe shefi i politikës së jashtme të BE, Havier Solana

Nga e majta Zhose Manuel Barroso, presidenti rus Dmitri Medvedjev, presidenti çek Vaclav Klaus dhe shefi i politikës së jashtme të BE, Havier Solana

Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, tha pas takimit se BE-ja është e gatshme të mendojë në lidhje me propozimet ruse, por vetëm mbi bazën e marrëdhënieve ekzistuese:

"Sic e dini ka pasur probleme të ndryshme dhe ato në lidhje me energjinë janë publike, por ne besojmë se duhet të bëjmë gjithçka mund të bëjmë të dyja palët, si BE dhe Rusia, për ta bërë këtë një gjë në përfitim të përbashkët, një "win-win-situation". Energjia është vërtet një gjë që na lidh dhe na bashkon. Sigurisht që BE-ja ka nevojë për energji nga Rusia. Unë mendoj se edhe Rusia ka nevojë për klientë të mirë, sikurse jemi ne BE-ja, pra le të përpiqemi të bëjmë diçka pozitive, një ndërvarësi pozitive mes Rusisë dhe BE-së. Pikërisht në këtë frymë i konsiderojmë edhe propozimet e presidentit Medvedjev."

Ftesa për takimin në Shabarovsk, që gjendet në lindje të Rusisë, në kufirin ruso-kinez, nuk ishte e rastit. Shefi i Kremlinit i kishte ftuar krerët e BE-së në këtë zonë të largët në lindje të vendit edhe për t'u treguar sesa të largta janë distancat nëpër të cilat transportohen lëndët e para.

Gjatë takimit Rusia nguli këmbë edhe për një pranim sa më të shpejtë në OBT, gjë që ka vite që zvarritet për shkak të një sërë mosmarrëveshjesh. Po ashtu nisur prej marrëdhënieve të përmirësuara me Perëndimin, Rusia dëshiron të hiqet detyrimi për vizave mes BE-së dhe Rusisë. Deri tani kjo gjë duket e vështirë, madje edhe çështja e lehtësimit për dhënien e vizave për grupe të veçanta si klasa nxënësish, studentë, artistë ose sportistë.

Autor: dpa/afp/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi


  • Data 22.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HvKo
  • Data 22.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HvKo