1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rikonstruksion sipas origjinalit - Rihapet "Muzeu i Ri"

Kancelarja Merkel rihapi Muzeun e Ri në ishullin e muzeve në Berlin. 70 vjet pas shkatërrimit në luftë në muze kthehen koleksioni egjiptian me bustin e Nofretetes, si dhe Muzeu për Prehistori dhe Histori të Hershme.

default

Muzeu i Ri para hapjes

Për gjashtë dekada 'Muzeu i Ri' si gërmadhë ishte kthyer në një njollë turpi për kompleksin muzeal në Berlin. Në pranverë muzeu i restauruar edhe pse i zbrazët mahniti publikun, me 16 tetor ai hap dyert për vizitorët. Para 12 vitesh arkitekti britanik David Chipperfield u ngarkua me rindërtimin e muzeut të kthyer në gërmadhë gjatë luftës. 233 milionë euro janë ndarë për këtë qëllim. Rrugët në Muzeun e Ri çojnë lart, në dritë: lart në një hapësirë të ndarë ka zënë vend tani 'bukuroshja berlineze', e cila vjen nga Egjipti: Mbretëresha Nofretete. Ajo është vendosur në qendër të hapësirave, direkt poshtë dritës nën një ndriçim perfekt, sa që në fytyrën e saj mund lexohen gjurmët e një gruaje në moshën më të mirë.

Mbretëresha Nofretete

Trendreiseziel Berlin Flash-Galerie Neues Museum

Shtëpia e re e Nofretetes "Museu i Ri"

Dhomën e saj bukuroshja e ndan vetëm me bustin e bronztë të hebreut mecen, James Simon, i cili i dhuroi muzeut Nofreteten në vitin 1920. Salla veriore me kupolë është një ndarje me murale historike: një bazament me ngjyrë të kuqe, mbi të mure të gjelbërta smeralldi, në qemerët me hark poshtë kupolës paraqitje skenike. Frederike Seyfried, drejtoresha e re e koleksionit egjiptian, kishte në fillim mëdyshje, nëse koka e ngjyrosur e mbretëreshës me kurorën e gjelbërt në të kaltër do të përshtatej si duhet në këtë ambient. Tani ajo është plotësisht e bindur dhe e mahnitur:

"Me 4 tetor në mëngjes ne e sollëm këtu Nofreteten, më në fund tani ajo ka vendin e saj, kjo është zgjidhja më e lumtur, e cila mund të paramendohet. Ajo shkon për mrekulli në këtë ndarje dhe mendoj se mori fund një odise e gjatë".

Shumë objekte tani janë kthyer në vendin e tyre të origjinës, në kompleksin muzeal në Berlin.

Sapo të futesh në muze, në katin përdhes bie në sy koleksioni arkeologjik i renditur sipas zhvillimeve historike: në sallën patriotike majtas korridorit të hyrjes janë varur piktura murale, që paraqesin pamje nga gojëdhënat gjermane, që kanë shërbyer si bazë për objekte të tilla, si dy urna prej bakri, të cilat janë objektet e para të inventarizuara në këtë muze të themeluar para 180 vjetësh, si dëshmi e prehistorisë dhe historisë së hershme të trevave gjermane.

Nga ana e djathtë e hyrjes, në sallën mitologjike me tavanin e veshur në tapet blukobalti me motive egjiptiane nderohet Karl Richard Lepsius, themeluesi i egjiptologjisë.

Neues Museum Museumsinsel Berlin Flash-Galerie

Pikën kulmore për prehistorinë dhe historinë e hershme muzeu e arrin në krahun perëndimor: salla me kupolën e drejtë me antikitetet trojane të gërmuara nga Heinrich Schliemann. Ari i thesarit të Trojës ndodhet ende ashtu si më parë në Muzeun e Pushkinit në Moskë si vepër arti e plaçkitur. Por ekziston edhe thesari i argjentë, i cili në vitin 1970 u kthye nga Bashkimi Sovjetik në Republikën Demokratike Gjermane. Ky thesar tani është vendosur në muzeun e ri. Matthias Wemhoff, drejtoi i Muzeut për prehistori dhe histori të hershme tregon:

"Thesari i Priamit është shpërndarë, pjesë kryesore të tij ndodhen edhe këtu, para së gjithash një enë e argjentë, e cila peshon mbi një kilogram, aty ka qenë i fshehur thesari i arit".

Muzeu i ri me një gjatësi prej 105 metrash dhe gjerësi 40 metra ka përveç të tjerash edhe sallën për veprat e artit të mesjetës, sallën jugore me kupolë, sallën romake, sallën greke dhe sallën etnografike.

Autor: Sigrid Hoff/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 16.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K7tT
  • Data 16.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K7tT