1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rikalim i lumtur mbi ish "urën e keqe"

Ura e Bornholmit ishte ura e parë që përshkoi Angela Merkel 20 vjet më parë për t'iu bashkangjitur turmës së qytetarëve të Berlinit Lindor drejt atij perëndimor. Të hënën, më 9 nëntor 2009, ajo e kaloi sërish këtë urë

Kancelarja gjermane Angela Merkel e shoqëruar nga Gorbaçovi dhe Walesa kalon Urën e Bornholmit

Kancelarja gjermane Angela Merkel e shoqëruar nga Gorbaçovi dhe Walesa kalon Urën e Bornholmit

Kur Angela Merkel e kaloi për herë të parë urën e Bornholmit, atë natë të 9 nëntorit të vitit 1989, ajo nuk ishte nga të parët. Marshimi i lindorëve drejt perëndimit kishte orë që kishte filluar. Merkel e dinte që kufiri do të hapej, sepse dhe ajo e kishte ndjekur programin televiziv: Por ndryshe nga të tjerët, ajo fillimisht preferoi të shkonte në sauna. "Kur dola nga sauna shkova në drejtim të perëndimit në Rrugën e Bornholmit. Mbeta pa fjalë dhe e lumtur", kujton ajo, në një intervistë dhënë kanalit të parë televiziv ARD. 20 mijë njerëz patën kaluar atë natë mbi Urën e Bornholmit në lagjen Prenzlauer Berg, ku jetonte asokohe edhe Angela Merkel, asokohe qytetare e thjeshtë e RDGJ-së, e përkushtuar pas shkencës e larg politikës.

Provimi i lirisë

20 vjet më pas, ajo kalon sërish, në mes një turme të madhe njerëzish, shumë prej tyre ish-disidentë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut në ish-RDGJ, tashmë të thinjur. Njëri prej tyre është prifti Joachim Gauck, themeluesi i partisë disidente "Forumi i Ri" dhe më vonë i "Entit të Dokumenteve të Stasi-t". 8 nëntorin e vitit 1989 Gauck e përmbledh me fjalinë: "Ne dhamë provim në liri, megjithëse kishim studiuar bindshmërinë dhe frikën".

"Ura e keqe" - këtë nofkë i kishin dhënë Urës së Bornholmit qytetarët e lindjes, pasi shumë vetë e kishin marrë atëherë atë drejtim dhe nuk ishin kthyer më. Atë ditë "Ura e Bornholmit" ishte e para pikë kufitare që u hap nga vetë qytetarët e lagjes. Ata ishin asokohe një përzierje mes punëtorësh të thjeshtë, disidentësh dhe artistësh. Tani lagja banohet kryesisht nga shtresa e mesme ekonomike dhe elita intelektuale, që vijnë nga të gjitha anët e globit. Lindorët dhe Perëndimorët nuk i dallon më nga njëri tjetri, thotë Merkel. Prandaj ajo vlerëson: "Dita e sotme nuk është një festë vetëm për Gjermanët, por për gjithë Evropën. Një festë për të gjithë njerëzit që kanë më shumë liri, duke filluar që nga Rusia e deri në shumë pjesë të botës."

"Balshoje Spasiba, Gorbi!"

Dy mysafirë nga Evropa kishte marrë me vete Angela Merkel në marrshimin e saj simbolik mbi Urën e Bornholmit: Dy nobelistë: Lech Walesën, themeluesi i lëvizjes së punëtorëve polakë, Solidarnosc dhe Mikail Gorbaçovin, ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Edhe pse Walesa vetë nuk është dakord me këtë nderim që i bëhet Gorbaçovit. "Nuk ka qenë Gorbaçovi ai që e rrëzoi murin, por kryesisht Papa Gjon Pali II dhe lëvizja Solidarnosz", kishte thënë Walesa vetëm disa orë më parë për një televizion polak. Por pavarësisht nga kjo, Gorbaçovi gëzon një popullaritet dhe mirënjohje të thellë, tek gjermanët, që me gjithë shiun që binte, ishin mbledhur të festonin hapjen e "Urës së ligë". Ata nuk thërrisnin as Merkel, e as Walesa, por "Gorbi, Gorbi, balshoje spasiba!

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 09.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KSEc
  • Data 09.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KSEc