1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rifkind: Shërbimet e fshehta kanë nevojë për besim

Ish-ministri i Jashtëm britanik, Malcolm Rifkind flet me DW për rëndësinë e kontrollit demokratik për shërbimet e fshehta. Problemi nuk është mbledhja e të dhënave, por mënyra si veprohet me to.

Zoti Malcolm Rifkind përfaqëson Torie-t konservatorë në Dhomën e Ulët të parlamentit britanik, të cilët kryesojnë që më 2010 Komisionin e Shërbimeve Informative. Rifkind ka qenë anëtar i kabinetit në qeveritë e Margaret Thatcher-it (1979-1990) dhe të John Majorit (1990-1997), midis të tjerash si ministër i mbrojtjes dhe si ministër i jashtëm.

DW: Kur bëhet fjala për çështje të sigurisë dhe të shërbimeve të fshehta: a janë britanikët nga Marsi dhe gjermanët nga Venusi?

Malcolm Rifkind: Jo, kjo nuk është shumë e saktë. Besoj se ndihemi shumë më pranë. Gjermania ka vetë shërbime të fshehta shumë impresionuese. Gjërat, që bën shërbimi i fshehtë britanik, u përgjigjen ndoshta atyre, që bën shërbimi i fshehtë gjerman, francez, ose italian.

Po si shpjegohet atëherë krisja e thellë, të paktën në perceptimin publik dhe politik, për pasojat e përgjimeve të NSA-së në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani?

Në Gjermani ishte para së gjithash pohimi, sipas të cilit është përgjuar celulari i Angela Merkelit, që shkaktoi probleme të mëdha. A është e vërtetë kjo apo jo, këtë unë nuk e di. Por meqenëse e besojnë shumë njerëz, kjo është diçka e keqe. Në Britaninë e Madhe neve nuk na duhet të merremi me kritika të tilla. Snowdeni vërtet e akuzoi për disa gjëra shërbimin e fshehtë britanik GCHQ, por pa efekt të madh. Mendimi publik për shërbimet e fshehta, në Britaninë e Madhe ka vite që është i qendrueshëm. Për shërbimet e fshehta, për aq kohë sa ato ndodhen nën mbikqyrje dhe veprojnë në përputhje me ligjin, pritet që të mbledhin informacione. Gjermania ka pasur natyrisht përvoja të kundërta me RDGJ: shërbimet e fshehta i shtypën atëherë kundërshtarët politikë, eleminuan lirinë. Por kjo nuk vlen për shërbimet e fshehta perëndimore, duke përfshirë SHBA.

Shumë mund të kuptojnë se pse i përgjojnë politikanët, në fund të fundit ata flasin për tema të rëndësishme në telefon. Por kur telefonatat regjistrohen pa bërë dallim...

Më duhet t'ju korrigjoj. Sot ekziston mundësia që një sasi e madhe të dhënash të regjistrohet dhe të përpunohet në mënyrë digjitale. Kjo ndodh brenda disa ditësh, më e shumta brenda disa javësh. Të dhënat nuk ruhen. Më lejoni t'ju jap një shembull: në Londër ka kamera, të cilat regjistrojnë çdo hap të qytetarëve tanë. Por qytetarët janë krejt të shpenguar: ata e dinë që regjistrimet shikohen vetëm atëherë, kur për shembull rrëmbejnë një fëmijë, ose ushtrohet një atentat terrorist. Të pafajshmit mbrohen dhe fajtorët kapen. Varet nga besimi.

Kjo do të thotë se nuk ekziston si përkufizim se ti je i pafajshëm, derisa të vërtetohet fajësia. A nuk do të thotë kjo se kur e di, që ruhen këto të dhëna, ndryshon edhe mënyra si jeton?

Duhet të kemi parasysh proporcionet. Asnjë shërbim i fshehtë i botës, duke përfshirë edhe NSA, nuk është në gjendje të përkapë më shumë se një pjesë tepër të vogël të komunikimit të përbotshëm mes internetit. Së dyti: kur bëhet fjalë për leximin e emaileve në vendin tënd, në të gjitha demokracitë ka rregulla të rrepta. Kur bëhet fjalë për emailet e qytetarëve të vendeve të tjera, cilin interes do të kenë SHBA ose NSA-ja në pjesën më të madhe të komunikimit me internet të gjermanëve ose të një shteti tjetër mik? Natyrisht që nuk kanë asnjë interes, ato nuk kanë as kohën dhe as personelin për këtë. Ato përpiqen të kapin terroristët.