1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rifillon gjyqi i Karaxhiçit – Çfarë domethënie kanë gjyqet kundër krimeve të luftës?

Ratko Mladiçi, ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës, u arrestua. Kundër shokut të tij të idealit, Karaxhiçit, gjyqi në Hagë ka kohë që po zhvillohet. Cilat janë pasojat e proceseve të tilla?

Radovan Karaxhiç para gjykatësve në Hagë.

Radovan Karaxhiç para gjykatësve në Hagë.

Mbasi qëndroi i fshehur për vite me radhë, ish-kryekomandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, më në fund u arrestua (27.05.). Tani ai duhet të dërgohet në Gjykatën e OKB-së në Hagë për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Aty e pret një shok i ngushtë i tij që nga lufta e Bosnjës, në fillim të viteve '90: udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiçi.

Ky ndodhet tashmë qysh në vitin 2008 në burgun e Gjykatës së OKB-së. Mbas një ndërprerjeje disamujore, procesi kundër Karaxhiçit rifillon këtë të martë (31 maj) në Hagë. Procesi kundër Karaxhiçit është ndërprerë disa herë, para së gjithash edhe sepse i padituri e ka rregulluar, që ta mbrojë vetë veten. Për ta realizuar ashtu siç duhet mbrojtjen e tij, gjykata është e detyruar t'i lërë në dispozicion kohë të mjaftueshme. Kritikuesit e akuzojnë Karaxhiçin se po e zvarrit enkas procesin gjyqësor duke shtruar kërkesë pas kërkese për shqyrtim të lëndës.

Ideatorët e masakrës së Srebrenicës, Mlladiç dhe Karaxhiç.

Ideatorët e masakrës së Srebrenicës, Mlladiç dhe Karaxhiç.

Të dyshuar si ideatorë

Akuza kundër Karxhiçit dhe Mlladiçit u lëshua menjëherë mbas përfundimit të Luftës së Bosnjës më 1995. Ata janë paditur për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Mlladiçi dhe Karaxhiçi mendohet të jenë ideatorët e masakrës së Srebrenicës, gjatë të cilës në korrik 1995 në qytetin boshnjak mendohet të jenë vrarë afërsisht 8.000 burra myslimanë. Kjo masakër konsiderohet si krimi më i madh që është bërë në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Askush nuk është i paprekshëm

Gjykata e Hagës u krijua në vitin 1993 enkas për ish-Jugosllavinë. Ishte një reagim i bashkësisë ndërkombëtare ndaj luftimeve dhe mizorive të vazhdueshme të luftës në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Ndërkohë janë ngritur edhe gjykata të tjera të këtij lloji, si ajo e Ruandës apo Kamboxhës. Përveç kësaj, bashkësia ndërkombëtare ka ngritur edhe një Gjykatë të përhershme ndërkombëtare Penale në Hagë. Zëdhënësja e Gjykatës për ish-Jugosllavinë, Nerma Jalaçiç, flet për domethënien e këtij institucioni. Ajo thotë, se Gjykata ka dëshmuar, se është e mundur që t'u kërkohet llogari përgjegjësve kryesorë. "Shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore njerëzit besonin se ishte e pamundur që politikanët, udhëheqësit ushtarakë dhe ndihmësit e tyre të nxirreshin në bankën e të akuzuarve. Prandaj më parë gjyqet dhe akuzat përqendroheshin tek dorasit, ata që ishin përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në krime. Por, ashtu si në çdo luftë, ekzekutorët gjithmonë e kanë një komandant mbi krye», thotë Jalaçiç.

Së shpejti në Hagë - Ratko Mlladiç duhet të përgjigjet për krimet e luftës.

Së shpejti në Hagë - Ratko Mlladiç duhet të përgjigjet për krimet e luftës.

Kërkimi i fajit dhe përgjegjësisë

Por gjyqi nuk bëhet vetëm për fajtorët. Viktimat, veçanërisht të mbijetuarit dhe të afërmit e tyre, shohin te Gjykata shpresën që kriminelët të mos shpëtojnë pa u ndëshkuar dhe që krimet e tyre të bëhen publike, thotë Mechthild Wenk-Ansohn nga Qendra për Trajtimin e Viktimave të Torturave në Berlin. Qendra ka përvojë të madhe me pacientë të traumatizuar nga zonat e luftës.

«Për shumë viktima dhe pasardhësit e tyre është e rëndësishme që t'i ndjekin gjyqet kundër kriminelëve të luftës. Ata kështu kërkojnë fajin dhe përgjegjësinë», thotë Wenk-Ansohn.

Vend përkujtimor për viktimat e masakrës së Srebrenicës.

Vend përkujtimor për viktimat e masakrës së Srebrenicës.

Parakusht për pajtim

Konfrontimi i një shoqërie me të kaluarën e saj në kohë lufte është me rëndësi sidomos për brezat e ardhshëm, thotë Wenk Ansohn më tej. Sipas saj, fëmijët shumë shpesh i bartin me vete plagët shpirtërore të prindërve dhe i vuajnë ato. Wenk-Ansohn thotë se proceset e kriminelëve të luftës së fundi janë të rëndësishme edhe për procesin e pajtimit, «në mënyrë që e tëra të emërtohet dhe që drejtësia të vihet në vend.»

Mjekja dhe psikologja megjithatë shpreh dyshimin se këto gjyqe nuk ua heqin traumën viktimave. Dëmi i tyre mbetet edhe për një kohë shumë të gjatë. Por ajo mban shpresa te brezi pasardhës:

«Gjyqet e kriminelëve të luftës dhe dënimi i personave kryesorë mund t'u japë atyre ndjenjën se tani po lëviz diçka, se keqja u emërtua dhe se tani mund të ecet përpara për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.»


Autor: Mirjana Dikiç / A. Shuka
Redaktoi: E.Xhani