1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rieke: "Potenciale të mëdha bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Turqisë"

Vend partner në vitin ndërkombëtar shkencor 2014 i Gjermanisë është Turqia. Volker Rieke nga ministria e Arsimit flet në një intervistë me DW për këtë bashkëpunim.

Me 23 janar 2014 do të hapet "Viti shkencor gjermano- urk për hulumtime, arsim dhe inovacion". Vitet e këtilla shkencore në Gjermani organizohen që prej vitit 2006. Vende partnere kanë qenë ndër të tjera edhe Afrika e Jugut, Rusia dhe Brazili, e tani edhe Turqia. Vitin shkencor kësaj radhe e organizon Ministria e Arsimit, sektori për "Bashkëpunim Evropian dhe Ndërkombëtar në Arsim dhe Hulumtime". Drejtor i këtij sektori është Volker Rieke.

DW: Zoti Rieke, marrëdhëniet shkencore në nivelin e qeverive mes Gjermanisë dhe Turqisë ekzistojnë qe 30 vjet. Përse opinioni gjerman nuk është njohur më shumë me këto marrëdhënie?

Volker Rieke: Bashkëpunimi mes partnerëve shkencorë shpesh zhvillohet në sektorë të kufizuar mes shkencëtarëve dhe organizatave shkencore. Bashkëpunnimi nuk është i nivelit publik, si ai ekonomik, apo marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

Volker Rieke

Volker Rieke

DW: Por në vitin 2014 kjo do të ndryshojë apo jo. Si do të ndryshojë?

Volker Rieke: Së pari duam të festojmë në nivelin qeveritar këtë jubile të bashkëpunimit 30 vjeçar shkencor mes Gjermanisë dhe Turqisë. Ky është një shkas i mirë, një fundament, mbi të cilin mund të ndërtohen raporte edhe më të ngushta mes partnerëve. Për këtë jemi krenarë.

Në anën tjetër kemi caktuar katër tema si shtylla të bashkëpunimit gjatë këtij viti shkencor: Shtylla e parë është shfrytëzimi i përbashkët i potencialeve shkencore dhe investimi në hulumtimet e përbashkëta. Këtë duam ta realizojë në të ashtuquajturat projekte dy-plus-dy, ku marrin pjesë dhe bashkëpunojnë të paktën një shkencëtar dhe një partner industrial, si nga Gjermania, ashtu edhe nga Turqia.

Shtylla e dytë është thellimi i bashkëpunimit shkencor me organizatat shumë të mira partnere. Në Gjermani këto janë për shembull Instituti Max-Planck, shoqatat Helmholtz, Fraunhofer, apo Leibniz.

Shtylla e tretë nxitja dhe mbështetja e shkencëtarët të rinj të jashtëzakonshëm në të dyja vendet. Dhe së fundi, duam që gjeneratave të reja me investime t'u mundësohet një shkollim dhe përgatitje sa më e mirë profesionale.

DW: Viti shkencor ndërkombëtar ka ka për qëllim mbështetjen e gjeneratave të reja. Të rinj nga Gjermania shkojnë në SHBA, Angli, apo Francë. A do të ndryshojë kjo në vitin 2014: a do të shkojnë këta të rinj në Turqi?

Volker Rieke: Patjetër! Një gjë është e rëndësishme: SHBA, Australia, Zelanda e Re, apo Japonia janë vende, me të cilat kemi shkëmbime të studentëve dhe të rinjve prej vitesh. Turqia ka shënuar në disa vitet e fundit suksese të mëdha në shkencë dhe në ekonomi. Ajo është në fqinjësinë e Evropës dhe paraqet një urë me hapësirën aziatike.

Ndërkohë që në Gjermani jetojnë shumë qytetarë me origjinë turke. Ne kemi lidhje mes vete dhe këto lidhje janë më të ngushta, se sa mendohet. Ne do të nisim projekte, me të cilat ky bashkëpunim do të thellohet edhe më shumë.

DW: Turqia kohët e fundit ka qenë në shënjestër për shkak të zhvillimeve të fundit politike atje. Partia në pushtet AKP e kontrollon pothuajse gjithë jetën dhe sektorin e studimeve. Sa do të influencojnë këto zhvillime vitin shkencor?

Volker Rieke: Kjo me siguri që është një aspekt, të cilin e shikojmë me sy kritik. Nga ana tjetër viti shkencor është një mjet idel për të përmendur edhe lirinë e shkencës, sepse kjo ka të bëjë me elitën, por edhe me gjithë shoqërinë e një vendi.

Ndryshe në Universitetin e Stambollit kanë shkuar studentët e parë gjermanë, që është një sinjal shumë i mirë dhe një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm në sektorin e arsimit.

Ky dhe shembujt e tjerë tregojnë gjithë potencialin e bashkëpunimit institucional mes këtyre dy vendeve. Jam optimist se mund të kemi një bashkëpunim edhe më të suksesshëm dhe se ky bashkëpunim mund të japë rezultate pozitive edhe në Turqi.