1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Riatdhesimi i qytetarëve të Kosovës, kusht për liberalizimin e vizave

Kosova ka nënshkruar 12 marrëveshje riatdhesimi, që parashikojnë ripranimin e personave me qëndrim të pautorizuar në këtë shtet. Kosova mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, me regjim vizash.

IIlfete Jollaj

Ilfete Jollaj

Ilfete Jollaj nga Irzniqi, lindi dhe u rrit në Bremerhaven të Gjermanisë me një imazh krejt tjetër për të ardhmen. "Vendlindja jeme është n´Gjermani. Kam mendu një jetë ma t´mirë. Mendojsha me u rrit, më e pas shpinë tanë, me i pas letrat, jo me banu përgjithmonë n´Kosovë por veç për pushim e me u kthy n´Gjermani. Veç edhe një herë me mujt me shku atje e s´di. M´duket si ëndërr!”

Nxënësja e Gjermanisë, amvise në Kosovë

Një ëndërr, e cila dikur ishte realitet. Dhe pas 16-të vjetësh jetë në një shtet të huaj që rastisi të ishte vendlindje e saj, Ilfetja dashur pa dashur duhet t´i kthehet shtetit të origjinës, i cili asaj i duket i huaj. Me riatdhesimin në Kosovë i ndërpritet shkollimi pas klasës së tetë dhe atë, përgjithmonë. Ndërsa, ëndërrat e një çupe të re ndeshen me realitetin e egër, i cili nga bankat e shkollës do ta bart në jetën e amvises. „Vështirë asht boll po cka me ba? Si kam kushtet me shku n´shkolle se s´kam pare. Çka baj gjithë ditën? Asgjë. Gatuaj, laj se mamen e kam smutë," thotë Ilfetja, të cilën e gjejmë me një grusht shkarpa, kurse qeni i vogël e ndiqte nga pas.

Elbasan Jollaj

Rückführungsabkommen Elbasan Jollaj

„Po i bëj vet tana, veç kam qejf një shpi me e pas temen se heredokur kto duhet me e lshu. Nuk na lënë gjithmonë ktu…“.

Unë s´di t´jetoj n´Kosovë-Jeta ime ka mbet n´Gjermani

Elbasani, i cili pas klasës së nëntë u kthy në Kosovë, ndërkohë po ngjyros muret e një shtëpie të mykur nga lagështia në të cilën jetojnë me qira. „Unë jam le n´Gjermani. Jeta jeme asht atje. Unë për vete ktu s´muj me jetu. S´di me jetu n´Kosovë,”,thotë Elbasani, jeta e të cilit nuk ndryshon shume nga jeta e së motrës.

“Gjithë ditën s´kam çka me ba. Lypi punë e s´më merr kurkush. Rri n´shpi e punoj qetu nëpër oborr e n´kopsht. Kur t´na thirrin katundi me prashit kallamoq a me hek pleh, shkoj. Me pas me punu diku ndoshta kisha mujt me jetu diqysh n´Kosovë. Por vshtirë...N´Kosovë përditë po bahet zi e ma zi“.

Ganimete Jollaj

Ganimete Jollaj

Familja Jollaj ka dy fëmijë me nevoja të veçanta

Dy nga të pesë fëmijët e kësaj familjeje janë me nevoja të veçanta. Dhe kjo mjaftonte që ne të mos i druheshim kthimit, thotë e ëma Ganimetja. „Nuk e kam prit se m´kthejnë prej Gjermanisë. Jo, nuk kam pas qëndrim të rregullt por m´kanë pas thonë si shkaku i dy fëmijëve t´sëmurë nuk ke shancë me u kthy. Por, unë i pata problemet me burrë, se ai ka ba gjithfarë problemesh e m´i bani këto prapësi derisa më kthyen. Por n´fakt i ka pas problemet me burrë. Ai m´i ka ba tana qeto rpape dhe m´kanë kthy…”.

Si rrjedhoje, kthimi vie krejt papritur

“Jo, jo, jo. Hiç, hiç, hiç! M´kanë thirr n´social jam shku me i mbush do letra. Nuk m´kanë kallxu si janë me u kthy. Kur m´kanë kthy n´aeroport m´i kanë kallxu letrat. Unë iu thashë së nuk kam nënshkru me u kthy por me e vazhdu qëndrimin. M´thanë:”Ti ke nënshkru me u kthy edhe fund”. Tash, si sot me nënshkru n´sabah, sonte n´12-të të natës, kanë ardhë policia e m´kanë marrë me m´kthy”, rrëfen Ganimetja.

Bardhyl Jasharaj

Bardhyl Jasharaj

Kosova plotëson kushte për liberalizimin e vizave

Meqenëse Kosova mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, i cili i nënshtrohet regjimit te vizave, marrëveshjet për riatdhesim janë parakusht për liberalizimin e vizave. Si rrjedhojë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, deri tani ka nënshkruar 12 marrëveshje riatdhesimi me shtete të ndryshme, në radhën e të cilave është edhe Republika Federale e Gjermanisë, thotë Bardhyl Jashari, këshilltar politik i ministrit të punëve të brendshme të Kosovës: „Numri të riatdhesuarve pritet të jetë diku 15 mijë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se të gjithë do të kthehen brenda një periudhe të shkurtër kohore. Sepse ne gjatë negociimit kemi hasur në mirëkuptim me palën gjermane dhe kemi garanci nga shteti gjerman, që fluksi i të kthyerve të jetë në mënyrë graduale, duke marrë për bazë kapacitetet tona për ripranimin e shtetasve dhe rriintegrimin e tyre në shoqërinë kosovare. Vitin e kaluar nga Gjermania janë kthyer mbi 1100 vetë, mirëpo varësisht trendit të marrëveshjeve nuk e kalon shfirën prej 5000 qytetarëve të të kthyerve brenda një viti kalendarik, çfarë janë edhe kërkesat dhe pritjet tona”, thotë z.Jashari.

Komunat kanë një rol të rëndësishëm në procesin e riatdhesimit

Prej 7 dhjetorit të vitit 2010, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është instaluar Zyra për Pritjen e Personave të Riatdhesuar, e cila në intervale të rregullta kohore përcjell të dhënat te Zyra për Integrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe tek komunat, në të cilat nëpërmjet koordinatorëve lokalë menaxhohen situatat gjatë procesit të riatdhesimit.

Nezir Balaj, zyrtar për Kthim dhe Integrim në komunën e Decanit, është njëri nga ta: „Programi ka fillu sivjet dhe brenda tij ne kemi identifikuar tri raste në komunën tonë, aplikacionet e të cilat do t´i dorëzojmë në ministritë përkatëse që resorët e caktuar të përkujdesen varësisht prej statusit të tyre dhe gjendjes ekonomike. Këto familje presin riintegrimin në shoqëri dhe ne jemi në përgatitje të dokumentacionit të nevojshëm për shërbime mjeksore, shkollimin e fëmijëve etj., që t´ua mundësojmë riintegrimin sa më të lehtë në shoqëri”, thotë z.Balaj.

Nezir Balaj

Nezir Balaj

Qeveria gjermane ndihmon të riatdhesuarit e Kosovës

Projekti “Ura” i financuar nga Zyra Federale për Migrim dhe Refugjatë dhe tri lande gjermane ofron këshillime, trajnime si dhe mbështetje të shumëfishtë për riintegrim të të kthyerve vullnetarë dhe të deportuarve nga Gjermania. Nga ky projekt kanë përfituar familje të shumta kosovare, ndër të cilat është edhe familja Jollaj. “Deri qetash i kam pas pak punët mirë se m´ka ndihmu Prishtina me projektin URA. Gjashtë muaj ma ka pagu qiranë dhe m´i ka dhanë nga 200 euro për vete e për fëmijë. Jo, prej askujt tjetër deri më tash s´kam pas ndihmë, ve ndoshta tash e mas. Por, pas këtij muaji unë s´marr ma kurrgja prej e s´di cka ma tutje?“, thotë kryefamiljarja, Ganimete Jollaj, për të cilën ndërprerja e shkollimit të fëmijëve është ndër problemet bazë.

Shkollimi i fëmijëve të riatdhesuar, sfidë shtesë për Kosovën

Ndërkohë, shkollimi i fëmijëve të kthyer është një sfidë e re për Kosovën. Por, edhepse qeveria e Kosovës ka parashtruar problemin para shteteve negociuese, vendimet janë sjellë varësisht nga politika e emigracionit të shteteve përkatëse. “Mirëpo, në bazë të strategjisë për riintegrim, qeveria e Kosovës ka paraparë veprime konkrete për të gjitha ministritë e linjës, të cilat preken nga procesi i riatdhesimit në raportin qytetarë-institucione”.

Me gjithë kapacitetet e limituara, Kosova mbetet e hapur për të gjithë shtetasit e vet. Dhe, edhe pse çdo marrëveshje riatdhesimi paraqet një barrë shtesë për Kosovën, Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron nënshkrimin e 7 marrevëshjeve të reja riatdhesimi, me qëllim të përmbushjes së kushteve për libralizmin e vizave dhe shtrimit të rrugës kah integrimet evropiane.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama