1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Riçard Hollbruk tha në Kosovë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

Bekim Shehu/Prishtinë 8 Shtator 2008

Ish-emisari amerikan për Ballkanin e bëri njohjen kush, nëse Serbia vërtet dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Ai tha se ka shumë rëndësi që edhe Maqedonia dhe Mali i Zi ta njohin Kosovën.

https://p.dw.com/p/FDUX
Riçard Holbruk
Riçard HolbrukFotografi: picture-alliance / dpa

Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Riçard Holbruk, tha se ai ndihet shumë i lumtur që viziton Kosovën e pavarur. Ai tha se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen poashtu të lumtur, që Kosova është njohur si shtet i pavarur nga 46 vende të botës. Megjithëse gjatë kësaj faze sipas tij, merret parasysh fakti që Federata ruse e ka kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Këto komente, ish-emisari amerikan për Ballkanin, Ricard Hollbruk, i bëri gjatë një vizite që po realizon në Kosovë dhe takimeve që pati me udhëheqësit politikë kosovarë, presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi.

"Ëndrra është bërë realitet dhe unë gjithmonë kam bësuar se është esenciale një Kosovë e lirë demokratike dhe e pavarur. Kjo padyshim që është një ngjarje historike për botën dhe qytetarët e Kosovës", tha Riçard Hollbruku.

Riçard Hollbruku njihet si arkitekt i marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë. Ai u angazhua edhe në dhënien fund të regjimit shtypës të Millosheviçit në Kosovë. Duke folur për zhvillimet në rajon, ai tha se është mirë që në Serbi tash është në pushtet një qeveri proevropiane, mirëpo megjithatë, konstatoi se Bashkimi Evropian, nuk duhet ta pranojë në gjirin e vet Serbinë, përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

"Bashkimi Evropian bën gabim të madh nëse pranon në gjirin e vet Serbinë, nëse ky vend vazhdon ta cilësojë Kosovën si pjesë të saj. Kjo do të jetë shumë e rrezikshme", thotë Hollbruku.

Ish-emisari, Ri­çard Hollbruk kundërshtoi zërat, të cilët e ndërlidhin çështjen e Kosovës me çështjen e dy rajoneve separatiste në Gjeorgji, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Ai tha se problemi i Kosovës është diskutuar me pjesëmarrjen e Rusisë në KS të OKB-së dhe është vendosur një mision i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, ndërsa rajonet në Gjeorgji, Osetia e Jugut dhe Abkhazia, janë aneksuar nga Rusia.