1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rezultati maksimal - BE-ja i ofron Ukrainës asociim pa perspektivë anëtarësimi

U arrit rezultati maksimal për Ukrainën, u shpreh presidenti i rradhës i Këshillit të BE-së Sarkozi në përfundim të samitit BE-Ukrainë në Paris. Thënë qartë: një partneritet më i ngushtë pa perspektivë anëtarësimi.

default

Barroso, Sarkozi dhe Jushçenko në konferencën për shtyp pas samitit BE-Ukrainë

Studi blicesh përpara pallatit Elize, selisë së presidentit francez. Fillimisht ishte planifikuar që samiti BE-Ukrainë të mbahej në Evian të Francës. Por presidenti i rradhës i Këshillit të BE-së, Nikola Sarkozi, e zhvendosi takimin në Paris për arsye afatesh. Ai u kthye në orët e para të mëngjesit nga bisedimet në Moskë dhe Tbilisi ku u përpoq të ndërmjetësonte mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Konflikti në Kaukaz hodhi hije edhe mbi takimin me presidentin ukrainas Viktor Jushçenko. Ky i fundit sheh në sjelljen ruse kundër Gjeorgjisë një arsye për të intensifikuar përpjekjet e Ukrainës për një anëtarësim në BE. Por në këtë çështje BE-ja është i përçarë. Ndërkohë që vende si Polonia dhe Suedia e mbështesin anëtarësimin e Ukrainës, vende të tjera të BE-së ndër të cilat edhe Gjermania, janë vetëm për një partneritet më të ngushtë pa perspektivë anëtarësimi. Dhe kështu në samitin e Parisit u arrit një kompromis tipik për BE-në, u shpreh presidenti i Këshillit të BE-së Nikola Sarkozi:


"BE-ja lidhi një marrëveshje asociimi me Ukrainën. Kjo marrëveshje nuk do të thotë që ne i mbyllim dyert. Përkundrazi. Përballë situatës në rajon aktualisht BE-ja dëshëron të theksojë vlerat e përbashkëta, historinë e përbashkët dhe kulturën e përbashkët europiane."


Megjithë emrin dokumenti ka pak të përbashkëta me marrëveshjen e stabilizim asociimit që konsiderohet si hapi i parë drejt anëtarësimit. Në marrëveshjen e lidhur në Paris me Ukrainën thuhet shprehimisht citojmë: "me këtë marrëveshje nuk merret asnjë vendim paraprak sa i takon marrëdhënieve të ardhshme të BE-së me Ukrainën". Ky pasazh u inkludua në dokument me kërkesë të Gjermanisë dhe vendeve të Beneluksit.


Argumenti kryesor i kundërshtarëve të anëtarësimit të Ukrainës është nga njëra anë një qëndresë kundër këtij anëtarësimi brenda vetë Ukrainës: në pjesët e vendit miqësore ndaj Rusisë një hap i tillë refuzohet nga shumica. Edhe brenda BE-së shqetësimi për një përkeqësim të marrëdhënieve me Rusinë luan një rol të rëndësishëm. Këtyre u shtohet edhe kriza politike në Ukrainë pas thyerjes së koalicionit qeverisës javën e shkuar mes presidentit Viktor Jushçenko dhe kryeministres Julia Timoshenko.


Marrëveshja me Ukrainën është pra një kompromis. Më shumë nuk mund t'i ofrohej presidentit Jushçenko theksoi edhe Nikola Sarkozi:


"Brenda Këshillit të BE-së ka pozicione të ndryshme dhe preokupimi kryesor imi dhe i presidentit të Komisonit Barroso ishte të ruanim unitetin e BE-së. Këtë ia shpjeguam edhe presidentit Jushçenko. Ky ishte maksimumi që mund t'i premtonim. Por unë mendoj se ishte një hap vendimtar."


Marrëveshja i siguron Ukrainës një status të ngritur në politikën e fqinjësisë së BE-së. Në të bëjnë pjesë rreth 500 milionë euro ndihma deri në vitin 2010. Veç kësaj BE-ja ritheksoi vullnetin për një zonë të përbashkët të lirë tregtie. Për herë të parë Brukseli flet edhe për lehtësime në rregjimin e vizave për qytetarët ukrainas që udhëtojnë në Europë. Ky do të ishte një sinjal i rëndësishën përpara Kampionatit Europian të Futbolli 2012 që do të organizohet bashkarisht nga Ukraina dhe Polonia.

  • Data 09.09.2008
  • Autor Hagedorn, Anke (DW Brüssel)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FF6J
  • Data 09.09.2008
  • Autor Hagedorn, Anke (DW Brüssel)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FF6J