1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rezultatet paraprake në Maqedoni: Fitore e Ivanovit për president

Rezultatet paraprake jozyrtare në Maqedoni flasin për një fitore të Ivanovit për president dhe të partive VMRO-DPMNE dhe BDI në zgjedhjet parlamentare. Partitë opozitare kanë deklaruar se nuk pranojnë rezultatin.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka dhënë vlerësime pozitive për procesin zgjedhor dhe ditën e votimeve. Sipas të dhënave jozyrtare nga KSHZ-së, dalja e votuesve në vendëvotime pritet të jetë mbi 68 për qind për zgjedhjet parlamentare, ndërsa mbi 52 për qind për zgjedhjet presidenciale. Gjithnjë sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor sipas numrimit te mbi 96,39% e votave të numëruara nga zgjedhjet parlamentare, prin VMRO-ja dhe BDI-ja, të ndjekur nga LSDM-ja dhe PDSH-ja.

Gjorgji Ivanov kryeson në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale

Gjorgji Ivanov kryeson në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale

Nga 97,07% e votave të numëruara nga zgjedhjet presidenciale, sipas KSHZ-së kryeson Gjorgji Ivanov para Stevo Pendarovskit. Kandidati për president nga VMRO-DPMNE Gjorgji Ivanov ka fituar 55.36% ndërsa kandidati i LSDM Stevo Pendarovski 40.93%.

Fitore e dyfishtë e VMRO-DPMNE

Në paraqitjen e tij të parë Gjorgji Ivanov ka thënë se fitues janë të gjithë qytetarët e Maqedonisë. "Ne edhe një herë dëshmuam se kemi kultur evropiane me organizimin e këtyre zgjedhjeve të drejta dhe demokratike . Nuk ka humbës, e tërë Maqedonia është fituese ", ka thënë Gjorgji Ivanov i cili në pesë vitet e ardhëshme do të jetë për së dyti herë President i Maqedonisë.

Kryetari i VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski

Kryetari i VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski

Kryetari i VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski, thotë se partia e tijë ka shënuar fitore bindëse dhe historike. "Në këto zgjedhje ka fituar koncepti i punës së palodhshme, mbajtja e premtimit, qasja e sinqertë ndaj qytetarit. Ka fituar koncepti i hapjes së vendeve të reja të punës, investimeve nga jashtë, koncepti që lëviz Maqedoninë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE", është shpreh Nikolla Gruevski

Ahmeti : Fitore historike e BDI

Kryetari i BDI, Ali Ahmeti

Ahmeti: fitore historike e BDI

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se BDI ka shënuar një nga fitoret më të mëdha në historinë e saj që nga formimi si subjekt politik, i dalë pas konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni. "BDI ka fituar në këto zgjedhje mbi 150 mijë vota. Kjo është fitore historike që i dedikohet kombit shqiptar në Maqedoni, ndërsa merita i takon çdo votuesi të BDI-së. Vendi duhet të ecë përpara dhe të jetë sa më shpejt pjesë e NATO dhe BE, sepse kështu sigurohet paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e tij", ka deklaruar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Sipas tij, BDI mund të ketë fituar 19 ose 20 mandate.

Partitë opozitare shqiptare kontestojnë rezultatet

Lideri i PDSH, Menduh Thaçi në një konferencë për medie tha se ai një pjesë të zgjedhjeve parlamentare nuk do t'i pranojë, duke theksuar që BDI mos të festojë para kohe.

"BDI mos festojë kot se se kam ndërmend t'ua pranoj rezultatin. Sepse ato janë vota të vjedhura. Ne kemi fituar 8 ose 9 deputet mjaftueshëm për të qene në qeveri" , ka theksuar lideri i opozitës shqiptare Menduh Thaqi.

Rilindja Demokratike Kombëtare bëri të ditur se nuk njeh zgjedhjet dhe se për të votimet e së dielës janë të papranueshme.

"Jam këtu të konfirmoj se në një situatë të jashtëzakonshme sikur kjo e sotme, për RDK tërë procesi zgjedhor fushata dhe së fundi dita e votimit janë në tërësi të papranueshme. Bëhet fjalë për një masakër të paparë zgjedhore, shoqëruar me një monopol të jashtëzakonshëm të mediave, kërcënime të qytetarëve dhe sonte kemi epilogun final të një fitoreje të Piros 'madhështore' të VMRO dhe BDI. Rrugëdalja e vetme do të jetë vetëm një qeveri teknike, që të marrë përgjegjësi të organizojë një proces të rregullt zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i RDK-së Rufi Osmani.

Opozita maqedonase kërkon qeveri teknike

Kryetari i LSDM-së në opozitë Zoran Zaev

Kryetari i LSDM-së në opozitë Zoran Zaev

Kryetari i LSDM-së në opozitë Zoran Zaev, pas mbylljes së kutive të votimit bëri të ditur se partia e tij nuk do të njohë këtë proces zgjedhor, as të zgjedhjeve parlamentare dhe as presidencialet, pavarësisht rezultatit.

"Këto zgjedhje janë kriminale, ndërsa ne kërkojmë formimin e një qeverie teknike e cila do të organizojë sërish zgjedhje fer dhe demokratike." Në këto zgjedhje sipas tij, nuk ka ngelur asnjë nen i Kodit Zgjedhor pa u shkelur, vlerson Zoran Zaev.

Asociacioni qytetar Most ka publikuar një parashikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare. Sipas saj, fituese absolute e zgjedhjeve është VMRO-ja, e cila ka fituar 63 deputetë. Oponenti i tyre politik LSDM-ja ka fituar 34 deputetë. Në kampin politik shqiptar, BDI ka fituar 18 deputetë, PDSH 7 dhe RDK 1 deputet. Ky asociacion që kishte numrin më të madh të vëzhguesve në këto gjedhje si dhe Organizata joqeveritare Civil kanë regjistruar një sërë parregullsish në ditën e votimit.

Zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në frymë demokratike dhe se Maqedonia po tregon dinjitet duke përmbushur standardet evropiane. Sipas Kotevskit, organet përgjegjëse nuk kanë regjistruar asnjë parregullsi apo rast serioz që të ndikojë në procesin zgjedhor.