1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rezultatet paraprake në Kosovë: PDK fituese

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se procesi i zgjedhjeve ishte i rregullt dhe pa incidente. Pjesëmarrja rezulton e ulët.

Nga rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, fituese rezulton Partia Demokratike e Kosovës e kryeministrit aktual Hashim Thaçi. Në zgjedhje morën pjesë rreth 43 për qind e afro një milion e 800 mijë qytetarëve me të drejtë vote. Hashim Thaçi merr kështu mandatin e tretë qeverisës në Kosovë.

Komisioni Qendror tha se PDK ka fituar mbi 31 për qind të votave. Ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Para se KQZ të nxirrte rezultatet paraprake, PDK shpalli fitoren e saj duke mbajtur një tubim me simpatizantët e saj në Prishtinë. Lideri i kësaj partie Hashim Thaçi, lavdëroi procesin zgjedhor duke shprehur besimin se "zgjedhjet e ditës së diel do të vlerësohen me notën më të lartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare".

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duket se ka marrë një mandat të tretë qeverisës.

Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian i cili monitoroi zgjedhjet, gjatë ditës së hënë (9.6.) do të jap vlerësimin për këto zgjedhje.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 8 qershorit janë mbajtur në një atmosferë të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në të gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore. "Kosova dhe qytetarët e saj e kaluan me dinjitet dhe me maturi këtë sprovë në konsolidimin e shtetit tonë. Në ditët në vijim, është me rëndësi që të dëshmojnë të njëjtin përcaktim dhe të kontribuojnë në përmbylljen e këtij procesi demokratik, qenësor për të ardhmen e vendit tone”, tha presidentja Jahjaga.

Zyrtarë të policisë së Kosovës, nga ana e tyre thanë se asnjë incident serioz që mund ta dëmtonte procesin zgjedhor nuk është shënuar, ndonëse, ka pasur disa raste të izoluara kur policia është dashur të ndërhyjë.

Edhe në veri të vendit procesi zgjedhor, sipas Koalicionit të Organizatave Joqeveritare, “Demokracia në Veprim”, u zhvillua normalisht, nuk ka pasur parregullsi, ndërkohë, që dalja e votuesve në zgjedhje sipas tyre ka qenë e ulët. Në pjesën veriore të Kosovës kishte më shumë prani të forcave ndërkombëtare të sigurisë të KFOR-it dhe EULEX-it dhe asnjë nga këta mekanizma nuk njoftojnë të jenë shënuar incidente.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, shënon herën e parë të votimit në zgjedhjet e përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje dhe rezultatit përfundimtar, partitë politike nga radhët e komunitetit serb do të kenë dhjetë vende të garantuara në parlamentin e Kosovës, sikundër edhe partitë e pakicave të tjera etnike jo shqiptare që do të kenë 10 vende.