1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rezultat zhgënjyes i samitit në Rio

Samiti i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin Rio+20 ka mbetur shumë prapa pritjeve. Shoqatat për mbrojtjen e ambientit flasin për një "dështim kolosal". Organizatorët e samitit flasin për "një hap në drejtimin e duhur".

Të gjithë pjesëmarrësit në samit janë të mendimit se rezultati është zhgënjyes. Megjithatë ministri gjerman i Zhvillimit përpiqet që gotën ta shoh gjysëm të mbushur: "Në deklaratën përfundimtare janë përshkruar shumë gjëra që ne i kemi kërkuar por të cilat kanë ende nevojë të konkretizohen. Është vendosur për disa procese të diskutimeve ndërqeveritare, që do të ndihmojnë për shembull harmonizimin e Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm."

Në foto, Martin Kaiser

Në foto, Martin Kaiser

Por drejtuesi për politikën e klimës pranë organizatës Greenpeace, Martin Kaiser, nuk pajtohet me ministrin Niebel. Politikanët e mbledhur në Rio nuk i kanë kushtuar rëndësi krizës ekologjike dhe sociale botërore as për së afërmi si krizës financiare. "Gjermania dhe Evropa janë bashkëpërgjegjëse për dështimin e këtij samiti. Në qoftë se kjo çështje do të shqetësonte kancelaren gjermane dhe krerët e tjerë evropianë dhe ata do të donin të arrinin diçka, atëherë teksti i deklaratës përfundimtare do të lihej i hapur dhe në samit do të negocionin me njëri-tjetrin pikat kryesore."

"E ardhmja që ne duam"

Dokumenti përfundimtar i Rio-s që mban titullin "E ardhmja që ne duam" i ka gjithsej 50 faqe. Aty mund të gjesh vlerësimin e Programit të Mjedisit të OKB-së (UNEP), formulimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2015 si dhe një angazhim të qartë për burimet e ekonomive të gjelbëra. Nuk ka asnjë marrëveshje konkrete për mbrojtjen e pyjeve dhe oqeaneve; formulimi i objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm është shtyrë për kohën pas konferencës. "Unë mund t'i kuptoj pjesërisht kritikat e rezultatit të Rio-s", thotë ministri gjerman i Ambientit, Peter Altmaier, i cili udhëhoqi delegacionin gjerman në Rio. Megjithatë, rezultati është i rëndësishëm: "Kjo është hera e parë pas një kohe të gjatë që kemi përsëri një dokument të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është një bazë shumë e mirë për punën vitet e ardhshme. Ne si evropianë do të jemi në ofensivë që ta shpiem atë përpara dhe të sigurojmë që ky dokument do të mbushet me jetë".

Në foto, Peter Altmaier

Në foto, Peter Altmaier

Në këtë mënyrë Bashkimi Evropian do të angazhohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që Programit të Mjedisit me seli në Kenia t'i rritet vlera dhe të shndërrohet në një Organizatë të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEO). Rritja e vlerës në një organizatë të cilës do t'i përkisnin pastaj automatikisht të gjitha vendet anëtare të OKB-së lidhet para së gjithash me një kapacitet të madh financiar. Deri tani, 96 për qind e buxhetit vjen nga kontributet vullnetare, në të ardhmen paratë do të ndahen nga kontributet e shteteve të OKB-së.

Debat i nxehtë për ekonominë e gjelbër

Për konceptin e ekonomisë së gjelbër është zhvilluar një debat i nxehtë edhe në prag të samitit të Rio-s. Një kapitalizëm ekologjik nuk është përgjigjia e drejtë ndaj padrejtësisë sociale, u tha nga organizatat joqeveritare.

Në dokumentin përfundimtar nuk përmenden obligime për një reduktim konkret të rreth 600 miliardë euro subvencioneve vjetore për lëndët djegëse fosile si qymyri apo nafta, në mënyrë që të inkurajohet zhvillimi i energjisë së rinovueshme dhe ekonomive të gjelbëra.

Asnjë shpresë për më shumë mbrojtje të klimës, asnjë përgjigje për urinë në botë dhe ndryshe nga samiti i G20 në Meksikë disa ditë më parë, asnjë premtim shtesë financiar: rezultati i Rio-s është zhgënjyes.