1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030910 Roma EU

4 Shtator 2010

Qeveria franceze po përballet me kritika gjithnjë e më të ashpra për shkak të kursit të saj pa kompromis ndaj romëve. Parlamenti Evropian planifikon një rezolutë me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve parlamentare.

https://p.dw.com/p/P4Fl
Romët dëbohen nga Franca.
Romët dëbohen nga Franca.Fotografi: AP

Pasi që prej fillimit të vitit janë dëbuar nga Franca më shumë se 8.300 romë, Komisioni Evropian po shqyrton nëse Parisi ka shkelur parimet e BE-së për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Të mërkurën (8.9.) pritet një vlerësim ligjor nga Komisioni.

Theksi duhet vënë tek integrimi në vend të përjashtimit dhe dëbimit

Tani me dëbimet nga Franca të romëve po merret edhe Parlamenti Evropian. Një shumicë e madhe europarlamentarësh e konsideron mënyrën e veprimit të autoriteteve franceze si diskriminim të një grupi të popullsisë dhe shkelje të së drejtës evropiane. Për këtë arsye parlamenti synon miratimin e një rezolute kundër dëbimeve. Dimitris Komodromos është zëdhënës i grupit parlamentar të socialdemokratëve dhe socialistëve:

"Romët janë qytetarë të Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye duhen respektuar të drejtat e tyre. Theksi duhet vënë tek integrimi i tyre në vend të përjashtimit dhe dëbimit."

Romët nga Rumania dëbohen në vendin e origjinës.
Romët nga Rumania dëbohen në vendin e origjinës.Fotografi: AP

Priten fjalë të qarta nga Komisioni i BE-së

Në projektrezolutë Francës i bëhet thirrje t'i japë fund menjëherë dëbimeve. Por grupeve parlamentare iu mungojnë në këtë temë fjalë të qarta nga Komisioni. Komisionerja përgjegjëse Viviane Reding ende nuk është shprehur qartë se çfarë mendon për sjelljen e autoriteteve franceze. Me sy kritik shohin europarlamentarët edhe takimin në Paris në të cilin qeveria franceze ka ftuar një numër vendesh por jo vendet kryesore të origjinës së romëve. Zëdhënësi i grupit të ekologjistëve në Parlamentin Evropian, Helmut Weixler, thotë:

"Kemi nevojë për një Komision më të pranishëm i cili duhet të kërkojë me insistim respektimin e vlerave dhe ligjeve evropiane dhe që synon një zgjidhje të plotë dhe jo samite të çuditshme në Paris ku vendet e prekura si Bullgaria dhe Rumania nuk janë ftuar fare."

Roma protestieren vor dem EU Parlament
Romë nga gjithë Evropa protestojnë para Parlamentit Evropian në Strasburg.Fotografi: AP

Lëvizja e lirë e personave, thuhet në projekt-rezolutë, është një temë evropiane, e cila duhet diskutuar në konsultim me institucionet e BE-së dhe jo me veprime të njëanshme të disa pak shteteve. Veç kësaj kërkohet një strategji evropiane për integrimin e romëve e cila ofron akses për romët në arsim, përkujdesje shëndetësore dhe tregun e punës.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Sonila Harasani