1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rezistencë greke kundër privatizimeve

Pas zvarritjeve të gjata, qeveria greke do të nxisë privatizimin e pronës shtetërore. Por ka kritika të ashpra nga sindikatat, politikanët dhe madje nga arkeologët.

Grindja nisi me një njoftim zyrtar: më 5 tetor, autoriteti grek i privatizimit TAIPED publikoi një tender për një ekspert, i cili do të përcaktojë çmimin fillestar për një pjesëmarrje me 67 përqind në Portin e Pireut. Ofertat priteshin deri në 16 tetor.Ky ishte një sinjal, se privatizimi i portit më të madh grek, megjithë mosmarrëveshjet në politikën e brendshme do të ecë përpara - siç qe rënë dakord me kredidhënësit ndërkombëtarë. Pas kësaj, në një aksion të përbashkët proteste, sindikata e portit OMYLE, shoqata e avokatëve Pireus dhe dhoma lokale e tregtisë e çuan çështjen në gjyq, ose për ta penguar krejtësisht shitjen e portit, ose për të rinegociuar parakushtet e shitjes së tij. Një vendim i gjykatës pritet më e herta në fund të tetorit.

A është ky një kthim pas për projektin e privatizimit? "Jo, vetëm një shtyrje", thotë politologu Jorgos Cogopoulos në bisedë me DW. "Më 30 tetor përfundon afati për ofertat, sipërmarrja kineze e anijeve COSCO dhe grupi hollandez APM konsiderohen edhe më tej si kandidatët kryesorë për blerjen. Në fund të fundit, e kam të vështirë ta përfytyroj që privatizimi të rrezikohet vërtet."

Arkeologët kritikojnë shitjen

Në debatin për pronarin e Portit të Pireut u përfshi edhe shoqata e arkeologëve. Ai është kundër "shitjes për një kafshatë bukë" të këtij institucioni shtetëror, aq më tepër që në territorin e portit kanë shumë qendra kulturore, si p.sh. pjesë të një muri të vjetër antik të Pireut dhe monumente të rëndësishme industriale. Por redaktorja e kulturës, Olga Sella nuk e kupton këtë kundërshtim. Ajo i tha gazetës greke "Kathimerini" se arkeologët do të bënin mirë të gëzoheshin, që kjo qendër e rëndësishme e historisë së kulturës po shpëton dhe po hapet për vizitorët e ndoshta do t'u mundësojë njerëzve në atë zonë vende pune.

Të hënën, të gjitha sindikatat bënë thirrje për një aksion. "Jo vetëm Porti, po i gjithë qyteti, e gjithë Greqia janë nxjerrë për shitje", u shpreh i shqetësuar Panagiotis Llafazanis, ish-ministër i Syrizas dhe tani shef i një partie radikale të majtë.

Testi: aeroportet rajonale

Një pamje e pazakontë duket në aeroportet rajonale. Në fund të 2014-ës, koncerni gjerman Fraport së bashku me një partner grek doli si kandidati kryesor për 14 aeroportet, pjesa më e madhe e të cilave janë në ishuj të preferuar pushimesh. Pas ndërrimit të qeverisë, kryeministri i majtë, Alexis Cipras e bllokoi për disa muaj projektin. Në këtë mënyrë ai nuk e arriti synimin e paracaktuar të të ardhurave të Greqisë për vitin 2015. Kurse tani puna do të ecë më shpejt. Të paktën ministri i Ekonomisë, Jorgos Stathakis u tregua në nëntor më i vendosur se kurrë më parë: "Gjithçka do të vihet në jetë siç është rënë dakord", tha ai.

Shefi i Fraportit, Stefan Schulte ka një mendim tjetër. Në një takim me sindikatën e koordinuesve të fluturimeve OSYPA në Selanik para tri ditësh, sindikalistët e shanë atë dhe ekipin e tij si "pushtues", që vepron "për llogari të Wolfgang Schäubles". Sipas gazetës Kathimerini, ai pas kësaj u largua nga mbledhja. Megjithatë, Fondi i Privatizimit i Athinës njoftoi të mërkurën se marrëveshja e koncesionit me Fraportin dhe partnerin grek do të nënshkruhet deri në fund të vitit 2015. Tani gjithçka duket e qartë. Të paktën në letër.