1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rezerva për marrëveshjen e asociimit me Ukrainën

Këtë të premte siglohet në Bruksel marrëveshja e asociimit BE-Ukrainë. Se ku dhe kur do të nëshkruhet përfundimisht dhe pastaj të ratifikohet, nuk guxon ta parashikojë momentalisht askush.

Në Kiev shtrëngojnë duart presidenti i BE-së Van Rompuy, presidenti ukrainas Janukoviç dhe presidenti i KE-së Barroso

Në Kiev shtrëngojnë duart presidenti i BE-së Van Rompuy, presidenti ukrainas Janukoviç dhe presidenti i KE-së Barroso

Diplomatët në Kiev dhe Bruksel kanë punuar më shumë se katër vjet për marrëveshjen e Asociimit BE-Ukrainë, e cila parashikon edhe një zonë të tregtisë së lirë. Tani është rënë dakord për formulimin e një "identiteti evropian të Ukrainës", për të cilin kishte këmbëngulur ministria e Jashtme në Kiev dhe për kushtet e tregtisë së lirë, të përcaktuara deri në detaj. Siglimi i marrëveshjes megjithatë është dashur të bëhej që në dhjetor, në samitin BE-Ukrainë në Kiev. Por për shkak të proceseve kundër politikanëve kryesorë të opozitës në Ukrainë, që BE-ja i konsideron të motivuara politikisht, Brukseli vendosi ta shtyjë siglimin.

Këtë të premte (30.03.2012) do të bëhet parafimi i disa teksteve me vlerë të përkohshme të marrëveshjes pa përfaqësuesit kryesorë të BE-së dhe Ukrainës, "në një mjedis pune", mësoi DW nga zyra e shtypit të Komisionerit të zgjerimit të BE-së, Stefan Fyle. "Deklarata, apo konferenca për shtyp nuk janë planifikuar. E gjitha do të kufizohet në procesin thjesht teknik të siglimit të dokumentit nga krerët e delegacioneve negociuese, Miroslav Lajçak nga shërbimi i Jashtëm Evropian dhe Pavlo Klimkin, zëvendësministrër i Jashtëm i Ukrainës," mësohet nga Komisioni i BE-së.

Viola von Cramon kërkon lirimin e të burgosurve politikë

Viola von Cramon kërkon lirimin e të burgosurve politikë

Nënshkrimi përfundimtar ende i pasigurtë

Data për nënshkrimin përfundimtar nuk është parashikuar ende, thekson qeveria gjermane. Me kërkesë të deputetëve të grupit parlamentar të të Gjelbërve ajo bëri të ditur, se "qeveria gjermane pret nga qeveria ukrainase përparime të dukshme në rrugën drejt demokracisë dhe sundimit të ligjit. Përndryshe nënshkrimi i marrëveshjes së asociimit BE-Ukrainë vështirë të imagjinohet." Gjykimet kundër ish-kryeministres Julia Timoshenko dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë së saj kanë përforcuar përshtypjen për një "drejtësi selektive dhe politikisht të motivuar në Ukrainë," thuhet në deklaratë.

Qeveria gjermane duhet t'ia bëjë të qartë udhëheqjes në Kiev, se ajo ështe e pakënaqur me situatën politike në Ukrainë, kërkon Viola von Cramon (Të Gjelbrit). "Do të ishte mirë, sikur të komunikohet më shumë në politikën e brendshme ukrainase, se në Gjermani ka një pakënaqësi të madhe me situatën politike në Ukrainë," thotë deputetja. Kusht për nënshkrimin dhe ratifikimin e mëvonshëm të marrëveshjes së Asociimit nga parlamentet është lirimi i të burgosurve politikë". "Jo vetëm i Timoshenkos, por edhe i të gjithë ish-anëtarëve të qeverisë. Ata duhet të marrin pjesë në zgjedhje si politikanë të opozitës," kërkon Cramon. Edhe opozita duhet të ketë mundësi të shprehet në të gjitha mediat, si Partia e Rajoneve në pushtet. "Duhet gjithashtu të jetë e mundur, që të ketë demonstrata dhe që ato të zhvillohen të lira", thotë deputetja e të Gjelbërve.

Zgjedhjet parlamentare si provë

Vendimtare për nënshkrimin e marrëveshjes së Asocimit janë zgjedhjet parlamentare në Ukrainë në tetor, thotë Elmar Brok, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian. "Çështja është që të zhvillohen zgjedhje të lira. Një kusht për këtë është që opozita të mos futet në burg, por të mund të marrë pjesë në zgjedhje," thotë anëtari i grupit parlamentar të Partisë Popullore Evropiane (EPP). Brok beson se Parlamenti Evropian do të ratifikojë shpejt një marrëveshje Asociimi të nënshkruar, në qoftë se Ukraina do të krijojë kushtet e nevojshme në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Elmar Brok kritikon qëndrimin e Janukoviçit ndaj ligjit

Elmar Brok kritikon qëndrimin e Janukoviçit ndaj ligjit

Gatishmëri nga udhëheqja e Ukrainës, për të përmbushur këto kushte, Brok megjithatë nuk sheh. Ai i bën thirrje presidentit ukrainas Janukoviç, për ta ndryshuar ligjin penal. "Ai nuk duhet të shpikë konstruksione të reja të natyrës ligjore, për ta mbajtur opozitën në burg. Ligji nuk është instrument i pushtetit të shtetit kundër opozitës. Ligji është instrument i mbrojtjes së qytetarëve nga shteti. Dhe këtu Janukoviç, me sa duket, e ka kuptuar gabim ligjin", thotë Brok.

Integrimi në BE, apo unioni doganor me Rusinë?

Marrëveshja e Asociimit BE-Ukrainë mund të nënshkruhet në samitin në nëntor, mendon Michael Emerson nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel. Kusht është megjithatë, që vëzhguesit ndërkombëtarë t'i klasifikojnë zgjedhjet parlamentare në tetor si demokratike. Një numër vendesh të BE-së, thotë Emerson, duan nënshkrimin e shpejtë të marrëveshjes. Sepse Kievi duhet të shohë te integrimi evropian alternativën ndaj planeve të Moskës për të tërhequr Ukrainën në një bashkim doganor me Rusinë, Bjellorusinë dhe Kazakistanin. "Sigurisht Putini do t'i bëjë presion të madh Ukrainës për çështjen e bashkimit doganor. Por nëse Janukoviçi do t'i nënshtrohet, kjo do të rrëzojë planin e Marrëveshjes së Asociimit me BE-në", paralajmëron Emerson.

Integrimi në një bashkim doganor me Moskën nuk është në interes të Ukrainës, thotë Elmar Brok: "Një bashkëpunim i ngushtë me Rusinë është kundër interesave politike dhe sidomos ekonomike, sepse tregu rus nuk i ofron asgjë Ukrainës."

BE mund të ofrojë shumë më tepër

Studjesi i shkencave politike nga Mynihu Martin Brusis është i bindur se BE mund t'i ofrojë Ukrainës shumë më tepër se vetëm një marrëveshje asociimi. "BE-ja duhet të kuptojë se Ukraina mund të bashkohet me BE si një shtet evropian. Ajo duhet të formulojë vetë kushte të qarta për rrugën e saj drejt BE", thotë Brusis. Brukseli duhet të mbështesë më shumë se kurrë Kievin në zhvillimin e strukturave kushtetuese, sistemin gjyqësor të pavarur, procedura të drejta penale, reforma kushtetuese, për të inkurajuar më shumë se deri tani organizatat e shoqërisë civile. Me tej duhet të shfuqizohet kërkesa për viza për të rinjtë dhe punonjësit e kualifikuar. "Kjo nuk duhet të shkaktojë brain drain, por të forcojë lidhjen e grupeve kyçe të shoqërisë, sidomos me Evropën."


Autor: Eugen Theise / Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 30.03.2012
  • Autor Angelina Verbica
  • Fjalët kyç BE, Ukraina
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/14VIi
  • Data 30.03.2012
  • Autor Angelina Verbica
  • Fjalët kyç BE, Ukraina
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/14VIi