1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rexhepi: Pasaportat e Kosovës kualitative dhe shumë të sigurta

Javën e kaluar ka filluar aplikimi për pasaportata e reja të shtetit të Kosovës. Lidhur me ato dhe shumë çështje të tjera në mikrofonin tonë flet këshilltari politik në MPB të Kosovës, Fisnik Rexhepi.

Fisnik Rexhepi, këshilltar politik në MPB të Qeverisë së Kosovës

Fisnik Rexhepi, këshilltar politik në MPB të Qeverisë së Kosovës

Deutsche Welle: Zoti Rexhepi çfarë përbën momenti i lëshimit të pasaportave të reja për Kosovën?

Fisnik Rexhepi: Padyshim se është një moment që vlerësohet nga të gjithë qytetarët e Kosovës, dmth. ky është një moment që është pritur gjatë nga të gjithë ne. Javën që po lëmë pas ka filluar aplikimi për pasaporta, ne kemi pranuar kontigjentin e parë të pasaportave të Republikës së Kosovës. Siç dihet këto pasaporta prodhohen në Gjermani ndërsa personalizohen në MPB përkatësisht në departamentin për prodhimin e dokumenteve. Kjo javë, përveç që ka qenë java e aplikimit për pasaportë, ka qenë edhe një javë ku ne kemi testuar kompatibilitetin e sistemit, se sa po përshtatet ai dhe mund të themi se gjithçka është gati që prej javës së ardhshme qytetarët të kenë në dorë pasaportën e Republikës së Kosovës.

Deutsche Welle: Sa të sigurta do të jenë këto pasaporta?

Fisnik Rexhepi: Ne së paku jemi munduar që të ruajmë kualitetin që kanë patur dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut, të cilat janë vlerësuar nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtar si dokumente mjaft kualitativë dhe me siguri të lartë. Përkundër kësaj ne jo vetëm që kemi ruajtur kualitetin por kemi marrë edhe masa shtesë të sigurisë andaj mund të themi që pasaporta e Republikës së Kosovës, ekzemplarë të së cilës tashmë janë në duart e të gjitha vendeve dhe mekanizmave relevant ndërkombëtarë po cilësohet si një dokument jashtëzakonisht kualitativ dhe i sigurisë së lartë.

Deutsche Welle: Ndërkohë Sllovakia përshembull ka njoftuar se nuk do të njohë pasaportat e reja të Kosovës dhe vizat 'Shengen' të vendosura në to. A është biseduar në qeverinë e Kosovës për ndonjë kundërreagim ndaj palës sllovake?

Fisnik Rexhepi: Jo, është çështje e vullnetit të tyre se a vendosin të njohin pasaportat apo jo. Dihet se Sllovakia me vonesë i ka njohur edhe dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut dmth. kjo ka ndodhur tek para dy vitesh. Është çështje e tyre dhe ne po mundohemi duke i dërguar të gjitha informatat e nevojshme edhe shtetit sllovak dhe jemi në dispozicion të tyre për t'i njoftuar tutje për pasaportën e Republikës së Kosovës. Ne vlerësojmë se në një kohë kur Bashkimi Evropian po diskuton me të gjitha vendet e rajonit për lehtësimin e regjimit të vizave dhe liberalizimin e tërësishëm të tyre është e pakuptimtë që një vendi t'i pamundësohet qarkullimi në të gjitha vendet e BE-së. Sido që të jetë është vullnet i tyre dhe me kohë do të ndryshojë.

Deutsche Welle: Kur thashë 'kundërreagim' mendova për shtetasit sllovakë të cilët ndodhen edhe nëpër poste drejtuese në misionet e huaja në Kosovë?

Fisnik Rexhepi: Çështje e tyre është se ata mund të punojnë në organizata ndërkombëtare dhe organizatat dhe misionet ndërkombëtarë që janë në Kosovë e zgjedhin stafin e tyre. Ne as që dëshrojmë të interferohemi në këtë drejtim dhe mendojmë se ka hapësirë që edhe shteti sllovak në një të ardhme të afërt ta ndryshojë qëndrimin.

Deutsche Welle: Qeveria e Serbisë ka udhëzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme që shtetasve të huaj të cilëve në dokumentet e udhëtimt në vend të vulës së administartës së UNMIK-ut kanë vulë 'Republika e Kosovës', para dhënies së lejes për hyrje në Serbi të anulojë vulën dhe të vërtetojë pasaportën me vulën 'Republika e Serbisë'. Si e komentoni ju këtë vendim?

Fisnik Rexhepi: Konsiderojmë se kjo është në vazhdën e ndërrmarrjeve të disa veprimeve që ne i vlerësojmë joracionale nga qeveria e Beogradit. Sido që të jetë ne si ministri e punëve të brendshme jemi të obliguar përmes ligjeve për mbrojtjen dhe menaxhimin dhe kontrollin e kufirit shtetëror që të shënojmë të gjitha hyrje-daljet në Republikën e Kosovës, përveç kësaj ne jemi të obliguar të vendosim edhe vulën e Republikës së Kosovës në pasaporta qoftë të shtetasve kosovarë apo të huaj gjatë hyrje-daljeve. Sidoqoftë ne kemi udhëzuar policinë tonë kufitare që të jetë fleksible në këtë drejtim me qëllim të evitimit të problemeve praktike, sidomos në kufirin me Serbinë pasi që ka patur raste kur policia kufitare e Serbisë ka kthyer shtetasit e huaj duke mos i lejuar që të futen në territorin serb. Megjithatë vendimi i marrë së fundi nga qeveria e Beogradit është pozitiv në një aspekt se nuk do t'i kthej këta shtetasë por do të anuloj vulën e Republikës së Kosovës. Pra është vendim i tyre, vullnet i tyre të cilin ne e vlerësojmë si vendim joracional që nuk i shërben bashkëpunimit rajonal.


Deutsche Welle: Drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike dhe eksperti për Kosovën Dushan Janjiq, pohon se 300.000 mijë shqiptarë kanë pasaporta serbe, megjithëse publikisht bojkotojnë shtetin serb dhe dokumentet e tij. Shumica e këtyre njerëzve që përmend Janjiq, nëse kjo shifër është e saktë, me siguri që jetojnë dhe punojnë në perëndim. Pa këto pasaporta për ta mbetet vetëm një rrugë për të vizituar vendlindjen, pra linja ajrore e cila për shumë familje kosovare që jetojnë pershembull këtu në Gjermani është shume e shtrenjtë. Si do të zgjidhet përfundimisht kjo çështje, a do të ketë bisedime teknike për këtë me Serbinë?

Fisnik Rexhepi: Ne i kemi dërguar pako informuese për pasaportat tona edhe Serbisë dhe i kemi njoftuar se ne po fusim në qarkullim pasaportat e Republikës së Kosovës. Normalisht që nuk kemi marrë ndonjë përgjigje dhe nuk presim të marrin ndonjë përgjigje pozitive. Sidoqoftë ne i kemi njoftuar ata. Është qëndrim i institucioneve të Kosovës që me Serbinë të bisedohet për çështje praktike me interes për të dyja vendet mirëpo vetëm si shtete të pavarura dhe sovrane".

Deutsche Welle: Megjithatë cili do të ishte rekomandimi i Qeverisë së Kosovës për këta njerëz?

Fisnik Rexhepi: Rekomandimi do të jetë që qytetarët apo shtetasit e Republikës së Kosovës qoftë ata që jetojnë në Kosovë, qoftë ata që jetojnë në vendet perëndimore mos të hezitojnë të pajisen me pasaportë të Republikës së Kosovës sepse siç e thashë edhe më parë është dokument jashtëzakonisht kualitativ dhe me siguri të lartë dhe ne jemi të bindur që përkundër disa vështirësive që do t'i kemi në fillim, në muajt e parë, me këtë pasaportë Republika e Kosovës do të negociojë dhe do të nënshkruajë marrëveshjen për lehtësimin e regjimit të vizave në një të ardhme të afërt me Bashkimin Evropian.

Deustche Welle: Zoti Rexhepi ndërrojmë temë. Si paraqitet gjendja e përgjithshme e sigurisë në Kosovë? Ju si ministri a keni ngritur mekanizmat e duhur për vlerësimin e kësaj gjendjeje?

Fisnik Rexhepi: Po gjendja e sigurisë në Kosovë konsiderohet që të jetë stabile dhe e qetë përkundër disa incidenteve të vogla të cilat mund të vlerësohen edhe si të izoluara. Vlerësohet se e kemi kaluar atë fazën emergjente pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është nje vlerësim i të gjitha insititucioneve vendore dhe ndërkombëtare se kemi arritur ta menaxhojmë me mjaft sukses këtë situatë përkundër disa vështirësive që janë në pjesën veriore të Kosovës ne po vazhdojmë të sillemi racional, me maturi dhe në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar të sigurojmë sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës.

DW: Përmendët sigurimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës. Në Suhadoll, në veri të Kosovës dhjetëra serbë bllokojnë rrugën dhe ndalojnë punimet edhe të forcave të KFOR-it (për shtrirjen e tubacioneve të ujit për tre fshatëra shqiptare në veri) ndërkohë që pak kilometra më në jug, në fshatin Shupkovc pjestarë të njësisë speciale të SHPK-së shpërndajnë me dhunë protestuesit, kërkesat e të cilëve edhe nga autoritetet quhen legjitime. Zoti Rexhepi a mund të flasim për sundim të barabartë të ligjit në tërë territorin e Kosovës?


Rexhepi: "Po ne përveç që do të sigurohemi që sundimi i ligjit do të jetë në tërë terriitorin do të sigurohemi që të jetë i barabartë edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim. Rastet të cilat ju i përmendni, është vlerësim i përbashkët i të gjithë faktorëve relevantë se janë politizuar pa nevojë. Rasti i Suhodollit dmth. i ujësjellësit në Suhadoll është politizuar pa nevojë. Ka qenë një tendencë e strukturave paralele të instaluara pas zgjedhjeve të 11 majit në Mitrovicë për tu faktorizuar do të thotë për tu paraqitur si faktor që do të negocionte eventualisht me autoritetet komunale dhe UNMIK-un me këtë projekt. Mirpo mund të themi që kanë dështuar ato tendenca dhe siç e kanë thënë edhe autoritetet komunale në Mitrovicë presim që në bashkëpunim me UNMIK-un dhe KFOR-in të realizojmë këtë projket që është në interes të përbashkët për qytetarët e të dyja komuniteteve. Ndërsa sa i përket rastit të bllokimit të aksit rrugor Mitrovicë-Prishtinë ne vlerësojmë që kërkesat e qytetarëve janë legjitime, e drejta e tyre për të protestuar është e drejtë që u garantohet edhe me ligj por ne jemi njoftuar nga policia e Kosovës se ata nuk e kanë paralajmëruar protestën sipas ligjit. Sidoqoftë shpresoj se edhe kjo çështje do të zgjidhet javën e ardhshme".