1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Retrospektivë: BE 2015 - kriza, e asgjë tjetër veç krizave

Christopch Hasselbach22 Dhjetor 2015

BE-ja ka përjetuar herë pas here kohë të vështira. Por sivjet u mblodhën shumë gjëra bashkë, aq sa BE-ja u prek deri në palcë.

https://p.dw.com/p/1HRax
Flüchtlinge Grenze Ungarn
Refugjatë, që synojnë të mbërrijnë në Europën veriore dukekaluar përgjatë kufirit hungarezFotografi: picture alliance/AA/A. Kurucz

Një kohë krejt tjetër ishte atëherë, kur çështja më e rëndësishme për BE-në ishte, nëse do të mund ta përballojë krizën e Euros. Por kjo ishte disa muaj më parë. Në janar në Greqi erdhi në pushtet politikani i majtë Aleksis Cipras duke u ngjallur indinjatë dhe tmerr kreditorëve. Kërkesave për reforma e kursime ai iu kundërvu, ashtu siç kishte premtuar para zgjedhjeve. Çfarë pasoi ishte një poker për muaj të tërë mes Athinës dhe kreditorëve.

Një takim krize pasonte tjetrin. "Grexit", dalja e Greqisë nga eurozona kërcënonte vazhdimisht. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble në shkurt u duk madje sikur dha një ultimatum me fjalinë "me kaq merr fund", më vonë ai u shpreh edhe për mundësinë e një "Grexit" të përkohshëm, gjakrat u nxehën tek të dyja palët. Por pikërisht kur po dukej fundi - i përkoshshëm - i grindjes në verë, qeveria greke u tërhoq, pranoi kushtet dhe asaj iu garantua një paketë e tretë ndihmash. Qysh atëherë ajo është duke u përpjekur në një farë mënyre si një reformatore e bindur. Përkohsisht kjo i qetësoi gjakrat. Kriza e borxheve shtetërore në Europë ndonëse po vazhdon, që nga vera duket se ajo është sërish nën kontroll.

Në kulmin e moamarrëveshje shumë mendonin se Euro është në rrezik, ndoshta madje BE-ja në tërësi. Ndër ta që paralajmëronin nga ky rrezik ishte edhe kancelarja Merkel. Për të në sfondin e Greqisë duheshin respektuar rregullat dhe marrëveshjet, në rast të kundërt Europa është në rrezik. Por ishte pastaj vet ajo, që më vonë i anashkaloi rregullat.

Brüssel EU Regierungsgipfel zu Griechenland Merkel Tsipras Hollande
Samiti i krizës për Greqinë në Bruksel më 12.07.2015 (Merkel, Cipras, Hollande)Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Hoslet

Merkel e izoluar

Kur në fund të verës u shtua gjithnjë e më shumë vala e refugjatëve përmes itinerarit ballkanik, kur shumë mijëra njerëz, që donin të vazhdonin udhëtimin drejt Veriut e kryesisht për në Gjermani u bllokuan në Hungari, Merkel i lejoi ata të vijnë në vend pa e vrarë mendjen për rregullat e Marrëveshjes së Dublinit, sipas të cilave kërkesa për azil duhet të paraqitet në vendin e parë, ku refugjatët shkelin në kufijtë e BE-së. Pak më vonë ajo e deklaroi "Dublinin" si të "vjetëruar".

Merkel lejoi për javë të tëra kalimin e një vale të pakontrolluar refugjatësh, duke deklaruar me insistim, se nuk ka "një tavan të sipërm" për azilin dhe refugjatët, por gjithashtu është shprehur edhe se: "ne do t'ia dalim." Fillimisht në Gjermani shumë njerëz e pranonin këtë politikë të portave të hapura. Por ardhja e gjithnjë e më shumë refugjatëve bëri që fryma të ndryshojë. Shumica e vendeve të tjera europiane fillimisht e shihnin me habi politikën e Merkelit, shpejt ata shprehën mirëkuptim por në fund edhe u shtangën. Për Merkelin situata është bërë vërtetë e pakëndshme, qëkurse ajo po përpiqet të imponojë një sistem europian të shpërndarjes së refugjatëve. Janë kryesisht vendet lindore të BE-së ato që e kundërshtojnë kategorikisht këtë dhe e akuzojnë Merkelin, se ajo i ka "ftuar" refugjatët.

Kryeministri hungarez Viktor Orban e shpalli çështjen e refugjatëve si "problem gjerman" dhe e rrethoi vendin e tij me tela me gjemba, fillimisht në kufirin me Serbinë si vend jo anëtar i BE-së dhe më pas edhe me partnerin në BE, Kroacinë. Qysh atëherë kanë nisur të ndërtohen anë e mbanë gardhe kufitare dhe të rivendosen kontrollet e kufirit, anë e mbanë po kufizohet qarkullimi i lirë i personave në hapësirën Shengen. "Ka mungesa në Europë dhe ka mungesa në union", u ankua një herë i raskapitur presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker. Por edhe Janis Emmanouilidis ka Qendra Think Tank e Brukselit "European Policy Centre" sistemin Shengen, një nga arritjet më të mëdha europiane, e sheh "nën presion të fortë" dhe "të minuar në themel".

Paris - Eagles of Death Metal Bataclan
Sulmet terroriste të 13 nëntorit në ParisFotografi: picture-alliance/dpa

Kthesë mbarëeuropiane nga e djathta

Merkel has në rezistencën jo vetëm të qeverive të tjera. Brenda institucioneve të BE-së presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk është bërë zëdhënës i atyre, që duan ta vështirësojnë hyrjen e refugjatëve. Shumë herët ai paralajëmroi, se: "Një Europë pa kufij të jashtëm do të bëhet burim i frikës". Në fillim të dhjetorit ai në një intervistë dhënë një gazete shtoi: Vala e refugjatëve është "shumë e madhe" për të mos u ndaluar. Askush në Europë nuk është i gatshëm "ta pranojë këtë numër të madh, përfshi këtu edhe Gjermaninë".

Refuzimi dhe pasiguria në Europë duket edhe në rezultatet elektorale. Praktikisht kudo, ku votohet qysh nga fundi i verës, fitojnë partitë e djathta dhe ksenofobe, ndër të tjera në Poloni, qeveria e re e së cilës polemizon hapur edhe kundër refugjatëve nga Siria. Ministri i Jashtëm Witold Waszczykowski tha në nëntor: "A mund ta imagjinoni, që ne të dërgojmë ushtrinë tonë në luftë në Siri, ndërkohë që 100.000 sirianë pinë kafe në Berlin dhe shohin, se si ne luftojmë për sigurinë e tyre?" Janis Emmanouilidis mendon se zhvendosja djathtas në Europë ka të bëjë me përhapjen e përshtypjes tek qytetarët, që BE-ja "është gjithnjë e më pak në gjendje t'i zgjidhë problemet." Pasoja është një tendencë drejt "nacionalizimit".

Polen Demonstration vor dem Parlament in Warschau
Protesta para parlamentit në Varshavë kundër masave antiliberale të qeverisë konservatoreFotografi: picture-alliance/dpa/R. Guz

BE pa alternativë

Sulmet islamiste në Paris në mes të nëntorit me 130 të vdekur kanë çuar në një radikalizim të mëtejshëm. Ndonëse politikanë e në radhë të parë edhe ata gjermanë tërhoqën qysh në fillim vëmendjen, që atentatet e "Shtetit Islamik" të mos ngatërrohen me temën e refugjatëve, pikërisht këtë gjë e bëri vet qeveria franceze. Sot më pak se kurrë është e mundur të zbatohet një politikë liberale e refugjatëve në nivel europian si ajo që përfaqëson Merkel.

Pothuajse me dëshpërim shtetet e BE-së tani përpiqen, që pjesërisht secili për vete, e pjesërisht bashkarisht, të ulin numrin e refugjatëve. BE-ja madje është e gatshme për pagesa dhe lëshime politike ndaj vendit tranzit, Turqisë, vend ky që deri më tani është kritikuar ashpër për gjendjen e të drejtave të njeriut. Izolim, bashkëpunim me vendet e origjinës dhe të tranzitit, por edhe luftimi i shkaqeve të emigracionit është motoja tani me prioritetet sipas kësaj renditjeje.

Janis Emmanouilidis e sheh Europën në fund të këtij viti të rrezikuar plot kriza: kriza e Euros, kriza e refugjatëve, kriza e Ukrainës me marrëdhëniet e tensionuara me Rusinë, e këtyre u shtohet edhe situata e krijuar pas sulmeve në Paris. Rreziku ka të bëjë me "fragmentimin e BE-së". E kjo ka bërë që "mbështetja për BE-në të bjerë dhe të forcohet përkrahja për forcat populiste". Tek e fundit të gjitha këto kriza "mund të menaxhohen vetëm, nëse ka bashkëpunim në nivel europian." E megjithatë kjo të kujton momente të mëparshme kritike si atëherë kur shtrohej pyetja nëse Greqia mund apo duhet të mbetet në Eurozonë. Çdo herë është pranuar, se: "nuk ka një alternativë të vërtetë veç bashkëpunimit europian."