1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Retrospektivë e politikës së jashtme gjermane përgjatë vitit 2014

Bettina Marx26 Dhjetor 2014

2014 ishte viti i krizave: Gjendja në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe epidemia e Ebolës në Afrikë si dhe kriza të tjera. Si e ka drejtuar qeveria federale Gjermaninë gjatë krizave të vitit 2014?

https://p.dw.com/p/1EA9R
Angela Merkel Regierungserklärung vor EU Gipfel 18.12.2014
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Më 17 dhjetor 2013 koalicioni me bazë të gjerë i përbërë nga kristiandemokratët/ kristiansocialët (CDU/CSU) dhe socialdemokratët (SPD) nisi punën. Vetëm pak javë më vonë qeveria vendosi thekse të reja në politikën e jashtme. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier (SPD), i cili e kishte drejtuar këtë dikaster edhe në periudhën 2005 deri në 2009, kërkoi më shumë angazhim në politikën ndërkombëtare. Gjermania është "mjaft e madhe, ndaj nuk mjafton që ajo vetëm ta komentojë politikën botërore", tha ai. Misionet ushtarake ndonëse shërbejnë vetëm si ultima ratio, nuk duhet të përjashtohen nga koncepti politik.

Edhe më e qartë ishte ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen. Ajo bëri thirrje për më shumë angazhim të Bundeswehr-it (ushtria gjermane) jashtë vendit duke u ofruar partnerëve francezë mbështetje në Mali dhe në Republikën Afrikano-Qendrore. Më vonë ajo madje i shprehu haptazi mendimet e saj për skenarë të mundshëm angazhimi përkrah Francës në Lindje të Ukrainës si dhe për misionet për stërvitjen e forcave në Irak. Dhe së fundi presidenti Joachim Gauck u shpreh në Konferencën e Sigurisë në Mynih në fund të janarit për më shumë angazhim në politikën e jashtme. Sipas tij Republika Federale e Gjermanisë duhet që të kontribuojë "më shpejt, më me vendosmëri dhe në mënyrë më thelbësore", tha Gauck duke shkaktuar me këtë një sërë kritikash ndaj tij, por njëkohësisht duke marrë edhe mjaft lëvdata për këtë deklaratë. Njëra palë e akuzoi atë, se me fjalët e tij po nxit militarizimin e politikës së jashtme gjermane. Ndërsa pala tjetër e përshëndeti thirrjen e tij, që Gjermania duhet t'i përgjigjet konform përgjegjësisë së rritur të saj në politikën botërore.

Faktikisht qeveria federale në vitin që lemë pas ka qenë një lojtare qendrore në shumë skena ndërkombëtare. Kancelarja dhe ministri i Jashtëm kanë qenë partnerë të kërkuar bisedimesh në shumë kryeqytete të botës. Qendrimi i Berlinit ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë krizave të vitit 2014 si dhe në vendimet e rëndësishme të politikës ndërkombëtare.

Münchner Sicherheitskonferenz 31.01.2014
Presidenti gjerman Gauck duke folur në konferencën e sigurisë, janar 2014Fotografi: picture-alliance/dpa

Zgjedhjet për Parlamentin Europian me pasoja

Një prej pasojave ishte p.sh. debati për presidentin e ri të Komisionit Europian. Nga zgjedhjet për Parlamentin Europian në maj doli fituese Partia Popullore Europiane me kandidat kryesor Jean-Claude Juncker. Sipas shumicës së vëzhguesve ishte e qartë, që me këtë ai fitoi të drejtën të pretendojë postin më të rëndësishëm në Bruksel. Megjithatë kancelares Angela Merkel me peshën e saj në politikën europiane iu desh të përpiqet për një kohë të gjatë kundër një automatizmi të tillë. Ajo këmbëngulte për të drejtën e propozimit të këtij posti prej kryetarëve të shteteve dhe të qeverive. Vetëm nën presionin masiv të partnerit të koalicionit dhe të mediave ajo u tërhoq nga rezistenca e saj dhe e mbështeti Juncker-in, i cili më 15 korrik u zgjodh në raundin e parë nga eurodeputetët me një shumicë të qartë votash. Megjithatë kriza e BE-së me këtë nuk u zgjidh. Britania e Madhe, e cila bashkë me Hungarinë votuan kundër Juncker-it, është ndërkohë mjaft e izoluar dhe mendon për shkëputjen nga unioni. Juncker vet ndodhet në qendër të kritikave për shkak të politikës që ai ka ndjekur si ish-kryeministër dhe ministër i Financave në Luksemburg. Edhe politika e BE-së ndaj Ukrainës deri tani nuk ka ndikuar për çtensionimin e situatës.

A kërcënon një luftë e re në Europë?

Për politikën e jashtme gjermane kriza në dhe për Ukrainën ka qenë një temë qendrore përgjatë gjithë vitit. Si Merkel edhe Steinmeier janë përpjekur vazhdimisht për çtensionimin e gjendjes, por kjo deri tani s'ka pasur sukses. Marrëdhëniet me Moskën janë përkeqësuar pavarësisht telefonatave të shumta mes Merkelit dhe Putinit si dhe nismave diplomatike të ministrit të Jashtëm, Steinmeier. Në nëntor u dëbua një diplomate gjermane e nivelit të lartë nga kryeqyteti rus, pasi më parë një diplomati rus në Berlin iu kërkua të largohet nga Gjermania për shkak të aktiviteteve të spiunazhit.

Në Gjermani është zhvilluar një debat krontrovers lidhur me politikën gjermane ndaj Rusisë. Qeveria dhe mediat janë akuzuar për qendrim të njëanshëm për Ukrainën dhe reminishenca antiruse. Por ka pasur edhe akuza në kah të kundërt, sipas të cilave qeveria ndjek ndaj Moskës një politikë të "appeasement". Ministri i Jashtëm Steinmeier është mbrojtur ndaj akuzave: "Ne nuk duam luftën e ftohtë, ne nuk duam luftën e nxehtë, por ne duam të ruajmë rendin paqësor europian", tha ai në Bundestag. Ai deklaroi, se do të vazhdojë të angazhohet për një mirëkuptim me Moskën. Një çtensionim në konfliktin me Ukrainën është i domosdoshëm, për të zgjidhur më në fund edhe bllokadën në Këshillin e Sigurimit, është shprehur Steinmeier.

EU-Kommissionspräsident im EU-Parlament 26.11.2014
Jean-Claude Juncker mban fjalimin në Parlamentin Europian për paketën koniunkturore, nëntor 2014Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Seeger

Shkallëzim në Lindjen e Mesme

Mungesa e unanimitetit që vazhdon prej vitesh në Këshillin e Sigurimit është një ndër shkaqet përse konflikti në Lindjen e Mesme sivjet doli jashtë kontrollit. Milicët terroristë "Shteti Islamik" (IS) depërtuan duke vrarë, shkatërruar e duke përhapur frikë në Siri e Irak. Në korrik luftëtarët IS sulmuan minoritetin e besimit jezid në veri të Irakut, vranë qindra burra dhe rrëmbyen gra e vajza në skllavëri. Rreth 200.000 vetë kanë marrë arratinë prej milicëve terroristë. Në Gjermani avancimi i IS ngjalli shqetësim dhe keqardhje për njerëzit e prekur. Thirrjet e dëshpëruara për ndihmë të kurdëve në qytetin e përfshirë nga luftimet Kobane, në kufi me Turqinë, bënë që qeveria gjermane të ndërmarrë një masë të pazakontë: ajo vendosi të furnizojë me armë luftëtarët Peshmerga, që luftojnë në veri të Irakut kundër milicëve IS. "IS përbën kërcënim për Gjermaninë", tha kancelarja Angela Merkel në deklaratën e saj qeveritare në shtator. Një Irak i destabilizuar mund të rrezikojë edhe sigurinë në Gjermani. Me këtë deklaratë ajo gjeti mbështetjen nga një shumicë e gjerë e deputetëve. Por vetëm partia "E Majta" dhe një pjesë e deputetëve të partisë ekologjiste u shprehën kundër furnizimit me armë të kurdëve.

Shumë pak dhe shumë vonë: Gjermania reagon ndaj Ebolës në Afrikë

Shumë kritika ka marrë qeveria gjermane për qendrimin e saj ndaj krizave të tjera të mëdha gjatë vitit 2014, siç është edhe epidemia e Ebolës në Afrikë. Berlini ka reaguar shumë vonë ndaj epidemisë vdekjeprurëse, ishte një prej kritikave, që është ngritur nga organizatat e ndihmës dhe media.

Kiew Außenminister Frank-Walter Steinmeier Treffen mit Poroschenko 18.12.2014
Steinmeier takohet me presidentin ukrainas, Poroshenko, dhjetor 2014Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Mykola

Qysh para një viti epidemia ishte shfaqur në Guine në Afrikën Perëndimore dhe që andej ajo u përhap me shpejtësi në vendet fqinjë Sierra Leone dhe Liberi. Në Gjermani megjithatë fillimisht nuk pati reagime. Madje edhe apelet për ndihmë të organizatës "Mjekë pa kufij" binin në vesh të shurdhër. Në shtator presidentja liberiane Ellen Johnson-Sirleaf i drejtoi një apel ndihme kancelares Angela Merkel dhe iu lut asaj për ndihmë. "Pa shtimin e ndihmave direkte nga qeveria Juaj ne do ta humbasim betejën kundër Ebolës", shkruante presidentija. Zgjatën vetëm pak javë, e paskëtaj Steinmeier emëroi ambasadorin gjerman në Karakas dhe ish-të ngarkuarin për Afrikën Walter Lindner të ngarkuarin gjerman për Ebolën. Ndonëse diplomati menjëherë udhëtoi vet në rajonin e krizës, për të konstatuar, se ç'ndihma nevojiten, atij iu desh të pranojë njëkohësisht, se Gjermania ka reguar shumë vonë ndaj gjendjes dramatike.

Konkluzioni

Viti 2014 ishte vit i krizave në politikën botërore, kursi i ri i synuar në politikën e jashtme gjermane u përball me një provë të vështirë. Diplomacia gjermane ishte kudo e kërkuar, por sukseset e mirëfillta - si zgjidhja e konflikteve - ajo s'mundi t'i arrijë.

Edhe gatishmëria gjermane, për t'u angazhuar më shumë ushtarakisht, u vu në pikëpyetje për shkak të mangësive që dolën në pah gjatë vitit. Por nga ana tjetër Gjermania gëzon në mbarë botën reputacion të lartë, kancelarja dhe ministri i Jashtëm janë partnerë të vlerësuar bisedimesh dhe Republika Federale e Gjermanisë si një shtet i fuqishëm politikisht dhe ekonomikisht mban përgjegjësi, së cilës nuk mund t'i shmanget politika. Për koncepte të reja e në rast nevoje edhe për ta ripërkufizuar politikën e jashtme gjermane ministri Frank-Walter Steinmeier ka inicuar një projekt unikal me "Review 2014". Në internet dhe në veprimtari publike me politikanë, studiues dhe publikun e interesuar është shqyrtuar çështja: "Çfarë nuk shkon në politikën e jashtme gjermane?" Si rrjedhojë janë mbledhur një sërë vlerësimesh me pikëpamje të ndryshme si dhe sugjerime, të cilat në të ardhmen mund të bëhen pjesë e ripërkufizimit të politikës së jashtme.