1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Retorikë pozitive në fushatën presidenciale

Forcimi i kapaciteteve demokratike, integrimi euroatlantik, respektimi i dallimeve etnike, gjuhësore e kulturore, fqinjësia e mirë, janë tema, që dominojnë në paraqitjet publike të kandidatëve në fushatën presidenciale.

Katër kandidatët për president të Maqedonisë tani më një javë në fushatën elektorale kanë filluar të shpalosin programet e tyre për të përfituar trupin votues. “Shteti para se gjithash “është motoja, me të cilën paraqitet në këtë fushatë, kandidati për president i VMRO-DPMNE-së, Gjorgji Ivanov. Evropa në Maqedoni, Maqedonia në Evropë. Shtet dhe ekonomi, të cilat krijojnë vende të reja pune dhe Maqedonia shtëpi e të gjithëve. Këto janë tre qëllimet, që duhet ti arrijmë, për çka e kërkoj besimin tuaj, ka thënë kandidati për president nga VMRO-DPMNE, Gjorgji Ivanov. Sipas tij, Maqedonia duhet të mbetet e përkushtuar për procesin integrues, por kurrsesi që kjo të arrihet duke dëmtuar interesat kombëtare.

Ivanov kërkon edhe një mandat presidenti

Ivanov kërkon edhe një mandat presidenti

“Emri dhe identiteti janë pjesë e jona, nëse heqim dorë nga emri dhe identiteti, është sikur të heqim dorë nga uni jonë. Nuk ka asnjë shtet, asnjë qeveri e asnjë forcë, e cila do t'u mohonte maqedonasve të drejtën, që të quhen maqedonas”, ka theksuar kandidati për president, Gjorgji Ivanov.

Pendarovski: Për vlerat themelore nuk bëj kompromis

Kandidati i opozitës maqedonase për president shteti Stevo Pendarovski në këto zgjedhje ka dalë me moton “Maqedonia meriton kryetar”. Ai thotë se prioritet kryesor, nëse fiton garën, do të ketë integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, si dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë pa dallim të përkatësisë së tyre etnike dhe fetare. Barazia, liria, drejtësia janë argumentet, nga të cilat në pesë vitet e ardhshme nuk kam ndërmend që të tërhiqem. Këto janë vlerat themelore, për të cilat nuk do të bëj asnjë kompromis me asnjë forcë politike, ka thënë në konventën promovuese Stevo Pendarovski.

“Detyra ime është që ta kthej Maqedoninë në binarë normale. Është normale që Maqedonia të jetë shtet demokratik, por jo edhe autoritar. Është normale që Maqedonia të jetë shtet anëtar i NATO-s dhe BE-së e jo aleate me diktatura afrikane dhe biznese të dyshimta aziatike”, është shprehur kandidati për president i LSDM-së, Stevo Pendarovski.

Kandidati për president Stevo Pendarovski

Kandidati për president Stevo Pendarovski

Halimi: Do të jem president i të gjithë qytetarëve

Partia Demokratike Shqiptare e ka filluar fushatën presidenciale me moton ”Për president shqiptar”. Kandidati për president i opozitës shqiptare Iljaz Halimi, thekset në paraqitjen e tij i ka përqëndruar në pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë, që sipas tij është në gjendje të palakmueshme si rezultat i politikave të këqija të pushtetarëve aktual.

“Do të jem president i të gjithë qytetarëve, pa i ndarë në baza etnike dhe fetare. Do të luftoj për investim të barabartë ekonomik në të gjitha pjesë të Maqedonisë. Në asnjë moment politikat e mija nuk do të shkaktojnë ndarje etnike”, është shprehur Halimi.

Popovski: Do t'i ndaloj tendencat jodemokratike në vend

Kandidati i partisë GROM, Zoran Popovski, në paraqitjet e para të fushatës ka porositur se nuk do të jetë i ndëgjueshëm ndaj asnjë partie, por se do të jetë president jo partiak. Ai ka qëndrim të prerë për çështjen e emrit. Nuk ka lëshim pe nga emri kushtetues dhe nga identiteti. Duke folur për tendencat jo demokratike në shtet Popovski ka thënë:

Kandidati për president Iljaz Halimi

Kandidati për president Iljaz Halimi

“Nëse fitoj garën për president, nuk do të lejoj që në Maqedoni të ketë të burgosur politikë, të arrestohen gazetarë dhe të ngulfaten mediat. Do të inicioj dialog të mirëfilltë politik, nuk do të lejoj që për çdo zënkë në Maqedoni të thërasim faktorët ndërkombëtarë të na pajtojnë. Kjo nuk është dinjitet për Maqedoninë dhe qytetarët e saj”.

Retorikë e matur e kandidatëve për president

Analistët politikë vlerësojnë se retorika pozitive e kandidatëve për president në fillimin e fushatës është sinjal i mirë. Fushata e zhvilluar në ambiente të ndryshme po karakterizohet me stil të ngjashëm të të folurit, kryesisht pozitiv dhe pa fyerje të kundërshtarit, të paktën nga kandidatët për president. Sipas analistes Sonja Stojadinoviq, qëllimet e paraqitjes së kandidatëve shumë lehtë identifikohen, sepse ato janë të dedikuara për grupe të caktuara të qytetarëve.

“Kandidati i VMRO-DPMNE-së Gjorgji Ivanov, në të shumtën e rasteve përzgjedh tema, që janë joshëse për anëtarët dhe simpatizuesit e VMRO-DPMNE-së, Stevo Pendarovski bën një miks mes simpatizuesve të LSDM-së, por edhe të një mase më të gjerë të qytetarëve, Iljaz Halimi kryekëput i drejtohet trupit votues shqiptar, ndërsa kandidati i GROM-it qytetarëve të papërcaktuar”, vlerëson Stojadinoviq.

Popovski: Nuk do të lejoj që për çdo zënkë në Maqedoni të thërasim faktorin ndërkombëtar.

Popovski: "Nuk do të lejoj që për çdo zënkë në Maqedoni të thërasim faktorin ndërkombëtar."

Profesori universitar Mersel Bilalli thotë se çështje kyçe në këtë fushatë, në paraqitjen e kandidatëve, nuk do të jetë masoviteti në tubime, por aftësia e kandidatëve që të kthejnë besimin e funksionit të presidentit.

“Qytetarët nuk janë shumë të pasionuar për shkuarje në tubime që partitë duan t'i tregojnë sa më grandioze. Shumica e qytetarëve ballafaqohen me probleme sociale dhe ekonomike, ata janë të interesuar për zgjidhjen e problemeve”, shprehet Bilalli.

BDI edhe më tej mbështet idenë e presidentit konsensual

Partia shqiptare në pushtet BDI nuk ka kandidat presidencial, por është duke zhvilluar një fushatë aktive me moton: “Jo presidentit të njëanshëm”. Kjo parti promovon idenë e kandidatit konsensual për president. Sipas liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ka ardhur koha që njëra nga tri pozitat kyçe në vend, kryeministri, presidenti, ose kryetari i parlamentit t'u takojë shqiptarëve.