1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Republika Serpska - entitet i krijuar nga të akuzuarit për krime lufte

Këto ditë janë mbushur 20 vjet nga themelimi i Republikës Serpska në Bosnjë-Hercegovinë. Shumica e atyre që e kanë shpallur këtë subjekt politik me 9 Janar 1992, janë dënuar apo akuzuar për krime lufte.

Themelimi i Republikës Serpska: Pllavshiq, Karaxhiq, Mlladiq...

Themelimi i Republikës Serpska: Pllavshiq, Karaxhiq, Mlladiq...

Procesi i parë që vazhdoi në Tribunalin e Hagës pas përfundimit të pushimeve të Vitit të Ri, me 9 Janar, në 20 vjetorin e themelimit të Republikës Serpska ishte kundër ish - presidentit të saj Radovan Karaxhiqit. Ai akuzohet për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë në periudhën prej vitit 1992 - 1995.

Prokuroria vazhdoi me nxjerrjen e dëshmitarëve për gjenocid në Srebrenicë, ku në korrik të vitit 1995, është kryer masakra më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Përveç gjenocidit në Srebrenicë, themeluesi i Republikës Serpska akuzohet edhe për krime në 20 komuna të tjera të Bosnjë-Hercegovinës. Krimet janë bërë me qëllim shfarosjen apo dëbimin e përhershëm të popullatës boshnjake dhe kroate. Serbët në këto komuna kanë marrë pushtetin me dhunë, thuhet në aktakuzë. Karaxhiqi akuzohet edhe për terror në Sarajevë dhe marrjen peng të trupave ndërkombëtare.

Gjykimet kundër Ratko Mlladiqit dhe Bilana Pllavshiqit

Biljna Plllavshiq dhe Radovan Karaxhiq.

Biljna Plllavshiq dhe Radovan Karaxhiq

Këtë vit duhet të fillojë procesi edhe kundër Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të forcave serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Ai është arrestuar me 25 Maj 2011, në Llazarevë të Serbisë. 17 vjet më parë, ai ka urdhëruar granatimin e Sarajevës. Ndërkohë që konsiderohet përgjegjësi kryesor edhe për ekzekutimin e rreth 8000 meshkujve boshnjakë në Srebrenicë.

Ndër ata të cilët kanë qenë ulur në radhët e para në seancën e 9 Janarit të vitit 1992, kur u shpall Republika Serpska, ishte edhe Bilana Pllavshiq, e cila ishte presidente e saj pas Radovan Karaxhiqit. Pllavshiq ka pranuar fajin për krime dhe ka rënë dakord me Tribunalin që të lirohet nga akuzat për gjenocid. Për krime lufte ajo është dënuar me 11 vjet heqje lirie. Por që në kohën e vuajtjes së dënimit në Suedi, ajo ka tërhequr pranimin e fajit. Megjithatë ajo është liruar pas vuajtjes së dy të tretave të denimit.

Roli i Momçillo Krajishnikut dhe Sllobodan Millosheviqit

Kafkë e një njeriu të vrarë.

Krime të pafundme.

Momçillo Krajishnik ishte kryetari i parë i të ashtuquajturit kuvendi i Republikës Serpska. Për krime lufte ai është dënuar në Hagë me 27 vjet heqje lirie. Dënimi më vonë është zvogëluar në 20 vite. Tani Krajishniku vuan dënimin në Britani të Madhe. Tribunali i Hagës ka ngritur edhe 40 aktakuza të tjera kundër 60 personave nga Republika Serpska, të cilët kanë bërë krime në Bosnjë - Hercegovinë. 24 persona janë akuzuar për gjenocid në Srebrenicë. Ndër ta ishte edhe ish-presidenti i Serbisë dhe Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, i cili ka vdekur në qelinë e tij në Sheveningen në mars të vitin 2006, pak kohë para shpalljes së dënimit.

Komandanti i korpusit të Drinës, Radisllav Krstiq, është dënuar me 35 vjet heqje lirie për masakrën në Srebrenicë. Ky ishte rasti i parë në Evropë, pas Nurembergut, që një person dënohet për gjenocid. Më pas nën akuza të njëjta janë dënuar edhe disa komandantë tjerë serbë.

Rrethimi i Sarajevës

Për krime dhe terror ndaj popullatës civile në Sarajevë janë dënuar gjeneralët e Republikës Serpska, Stanisllav Galiq dhe Dragomir Millosheviq. Dënime janë shpallur edhe për shumë krime të tjera të kryera në territorin e Republikës Serpska.

Karaxhiqi dhe Mlladiqi.

Karaxhiqi dhe Mlladiqi përgjegjësit kryesor për Srebrenicën.

Në vendimet e Tribualit thuhet se vetëm tre muaj pas themelimit të të ashtuquajturës Republika Serpska, në këtë territor janë krijuar kampe të shumta përqendrimesh si: Omarska, Keraterm, Trnopole, Sushica si dhe kampet në Foçë, Vishegrad dhe vende të tjera. Për krimet e kryera në janë dënuar deri tani 20 persona.

Për krimet e kryera në territorin e Republikës Serpska proceset po vazhdojnë kundër Karaxhiqit, Mlladiqit dhe dy përfaqësuesve të lartë të policisë së saj, Miqa Stanishiq dhe Stojan Zhuplanin.

Autor: Xhevad Sablakoviq/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani