1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

'Reporterët Pa Kufij' publikojnë gjendjen e lirisë së medias

Në indeksin për treguesit e lirisë së shtypit krahasohet gjendja në 179 vende e rajone deri në nëntor 2012. Në krye të listës ndodhen vendet evropiane. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pak ndryshime.

Edhe dy vjet pas fillimit të Pranverës Arabe gjendja e lirisë së shtypit, sipas 'Reporterëve Pa Kufij' mbetet e pasigurtë në shumë vende. Kështu vendet si Egjipti apo Tunizia vazhdojnë të qëndrojnë sërish në fundin e listës që organizata publikoi të mërkurën në Berlin. Sipas vlerësimeve të kësaj organizate për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, gjendja është kritike edhe në Turqi e Rusi. Poshtë në vendet e fundit në listë ndodhen edhe Irani, Kina dhe Vietnami. Lista mbyllet si zakonisht gjatë viteve të fundit nga Eritrea, Korea e Veriut dhe Turkmenistani.

Në indeksin për treguesit e lirisë së shtypit krahasohet gjendja në 179 vende dhe rajone të botës deri në fund të nëntorit të vitit 2012. Në krye të listës ndodhen vendet evropiane. Finlanda, Holanda dhe Norvegjia janë dëshmuar si prijëse në botë për mbrojtjen e lirisë së shtypit. Gjermania ëshë renditur në vendin e 17-të. Problematike mbetet në Gjermani kryesisht diversiteti në rënie i shtypit: "Për shkak të mungesës së parave, gjithnjë e më pak gazeta punojnë me redaksi të tyre të plota, shumë redaksi janë mbyllur tërësisht në vitin 2012. Njëkohësisht ndërmarrjet dhe agjencitë për marrëdhënie me publikun investojnë që përmbajtjet e tyre të gjejnë vend në medie. Po ashtu gazetarët e kanë shpesh të vështirë që të sigurojnë informatat e nevojshme nga autoritetet shtetërore."

Gjermania - vendi i 17-të për lirinë e shtypit

Gjermania - vendi i 17-të për lirinë e shtypit

Irani një prej "pesë burgjeve më të mëdha në botë të gazetarëve"

Sipas 'Reporterëve pa Kufij' gjendja është përkeqësuar dukshëm në Hungari. Atje është përhapur shumë nëpër redaksi ligji i diskutueshëm i medieve për "vetëcenzurë". Në Greqi gazetarët janë sulmuar shpesh nga grupet ekstremiste apo policia. Në Turqi (vendi i 154-t) sipas të dhënave të aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nuk ka pasur kurrë kaq shumë gazetarë nëpër burgje sa sot që prej përfundimit të regjimit ushtarak në vitin 1983.

Në Rusi ( e renditur në vendin e 148-të), kreu i shtetit ka penguar raportimin për demonstratat masive kundër rizgjedhjes së diskutueshme të Vladimir Putinit. Përveç kësaj parlamenti në verë ka ashpërsuar legjislacionin për akuzat ndaj shpifjeve. Në Iran shërbimi i fshehtë dhe Rojet e Revolucionit kontrollojnë tërë fushën mediatike. Ky vend bën pjesë "në pesë burgjet më të mëdha në botë të gazetarëve". Në Izrael, organizata kritikon sulmet e ushtrisë ndaj territoreve palestineze. Pavarësisht lirisë reale të shtypit, cenzura ushtarake mbetet këtu një problem strukturor.

Në Kinë dhe Vietnam shteti ka kontrolluar mediat dhe ka përndjekur sidomos blogerët dhe aktivistët në Internet. Vetëm në Kinë në burg ishin pothuajse 70 blogerë, në Vietnam më shumë se 30. Regjimet autoritare në Korenë e Veriut dhe Laos në përgjithësi kanë ndaluar raportimet e pavarura. Gjendje e rrezikshme për gazetarët ishte edhe në vendet e tilla si Pakistani, India dhe Bangladeshi, ku gazetarët i janë ekspozuar vazhdimisht dhunës.

Gjendja e lirisë së shtypit në Ballkanin Perëndimor

Kroacia, e cila do t'i bashkohet Bashkimit Evropin në qershor të këtij viti ka rënë nga vendi i 64-t në vend të 68-të, Serbia ka shënuar një rënie me 17 vende në listë dhe nga vendi i 63-të, ku ka qenë në vitin 2011, ka rënë në vendin e 80-të. Në Bosnjë e Hercegovinë është shënuar përmirësim i gjendjes së lirisë së shtypit dhe ajo ka shënuar ngritje në listë nga vendi i i 68-të në vendin e 58-të. Kosova nuk ka lëvizur shumë në renditje dhe nga vendi i 85-të ka rënë në vendin e 86-të, ndërsa Shqipëria ka shënuar një përmirësim me gjashtë vende në listë, duke u ngritur nga vendi i 102-të në vendin e 96-të. Një përmirësim më të madh organizata 'Reporterët Pa Kufij' ka regjistruar në Maqedoni, e cila nga vendi i 116-të renditet tani në vendin e 94-të.

Autor: Esat Ahmeti (rsf, afp, kna)

Redaktoi: Auron Dodi