1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Remzije Tema lufton kundër korrupsionit

Amnesty International, në raportin e saj vjetor për të drejtat e njeriut e rradhit Shqipërinë ndër vendet, ku këto të drejta shkelen.

Remzije Tema

Remzije Tema përmendet nga Amnesty International, si një nga njerëzit, të drejtat e të cilit shkelen në Shqipëri.

Raporti i Amnesty International, i publikuar ditët e fundit, veçon korrupsionin si një dukuri, që në Shqipëri bëhet premisë për mosrespektim të të drejtave themelore, si asaj për punën dhe jetën. Remzije Tema, një grua rreth të pesedhjetave, është një nga rastet për të cilat Shqipëria cilësohet në këtë raport si vend problematik.

Ajo është e papunë. Për çfarë arsyesh?

“Për shkak të korrupsionit. Kurrë nuk jam bërë palë me vepra antiligjore dhe veprime korruptive. Më është dashur të përballem me këtë dukuri për shkak të karakterit dhe profesionit tim, si ekonomiste finnaciere, punonjëse në auditim, që prej 15 vitesh,” thotë ajo në mikrofonin e DW.

Ky profesion e përplasi Remzien me zyrtarë të korruptuar shumë vite më parë. “Në vitin 1996, kur punoja në ndërmarrjen e kanalizim- ujësjellsave në Krujë ku vidheshin haptas fondet e ndihmës gjermane, të Bankës KfW. Ndihmat vinin në rregull, sepse të huajt ishin në rregull por.. u deformua ligji finnaciar shqiptar. Vlerat monetare, atëhere ishte marka gjermane, që erdhën ndihmë për ujësjellësin, shkuan në xhepat e disa drejtuesve, një grupi të vogël. Për kompensimin e tyre duhej të rritej fiktivisht çmimi i materialeve ndihmë të një kontenieri. Kështu një fije elektrodë që kushtonte vetëm 7, 8, apo 10 lekë të vjetra iu vu çmimi 500 mijë lekë të vjetra. Unë isha shefe finance dhe informova menjëherë ekonomistin gjerman. Atëhere më pushuan nga puna,” tregon Remzije Tema.

Elsa Ballauri

Elsa Ballauri thotë ekzistojnë probleme shumë të mëdha me korrupsionin në Gjykata.

Ajo trokiti në derën e Grupit Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe me ndihmën e tij paditi në Prokurori eprorët e saj të korruptuar. Remzije Tema fitoi gjyqin dhe u rikthye në punë. Por sot ajo është përsëri e pushuar nga puna. “Jam pushuar nga puna në fund të vitit 2008 dhe jam në procesin e dytë gjyqësor. Procesin e parë e fitova. Tani kam denoncuar 14 zyrtarë në fund të janarit 2009. Jemi në qershor dhe ende nuk kam një përgjigje.. janë interesa të korrupsionit, që vazhdojnë të veprojnë dhe të pengojnë punën e organeve të drejtësisë,” shpjegon Remzije Tema.

Elsa Ballauri, kryetarja e Grupit Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, grup i cili përfaqëson përsëri në Gjykatë Remzijen, thotë se ky përfaqësim nuk është i lehtë: “Kemi probleme shumë të mëdha me korrupsionin në Gjykata. Gjithsesi shteti shqiptar, para organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut tregohet më I kujdesshëm, mundohet të bëhjë më pak gabime.”

Remzije Tema, është e vendosur të luftojë për të fituar përsëri mbi eprorët e korruptuar. Ajo është ë vetëdijshme për të drejtat e saj të dhunuara: “Ndihem e fyer, me integritet moral të dhunuar. T`i mohosh njeriut të drejtën për punë, do të thotë t`i mohosh të drejtën për jetë. Më janë shkelur të drejtat e mia themelore,” thotë ajo.

Mungesa e besimit të qytetarëve tek drejtësia është një nga vërejtjet që Amnisty International bën në raportin e saj të fundit për Shqipërinë.

A ka besim Remzija tek Drejtësia?

“Një erë e ngrohtë besimi po vjen së fundi nga drejtësia. Kam kurajo. E kam fituar gjyqin e parë. Kam shpresë që më mirë do të bëhet. Drejtësia sikur po kthehet në normalitet.”

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 09.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I6Il
  • Data 09.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I6Il