1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Remitancat në Maqedoni, stabilizatorë ekonomikë

Kapitali i mërgatës ndikon në ruajtjen e stabilitetit social dhe uljen e varfërisë në Maqedoni. Profesorë universitarë vlerësojnë se në të ardhmen shteti duhet të llogarisë më seriozisht edhe investimet e diasporës.

Remitancat, që paraqesin totalin e dërgesave në para nga punëtorët, të cilët janë të angazhuar me punë të përkohshme, apo të përhershme jashtë vendit, janë me një rëndësi jetike për zhvillim të qëndrueshëm të pothuajse gjithë ekonomive në zhvillim, e në veçanti tek ato të cilat përballen me sfidat e tranzicionit, siç është rasti i Maqedonisë. Remitanca gjithashtu kontribuon në ruajtjen e stabilitetit social të vendeve, që kanë të ardhura nga remitancat. Prurjet e remitancave kanë peshën e vet si në nivel vendor, rajonal, po ashtu edhe në atë global. Sipas statistikave të Bankës Botërore vitin e kaluar shifra e remitancave në Ballkanin Perendimor ka arritur 14 miliardë dollarë amerikanë.

Remitancat burim i ekonomisë së Maqedonisë

Në Maqedoni sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore, në emër të remitancave vitin e kaluar janë derdhur rreth 2 miliardë euro. Çdo i pesti qytetar i Maqedonisë në vit pranon nga 2 mijë euro nga të afërmit e tij, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendi. Këto të holla këtyre familjeve u kanë ndihmuar t'i tejkalojnë pasojat e krizës, kanë zvogëluar dallimet sociale dhe njëherësh kanë amortizuar thellimin e varfërisë.

Universiteti “American College” në Shkup ka realizuar një hulumtim dhe ka ardhur në përfundim se numri i familjeve, që pranojnë të holla nga familjarët e tyre nga jashtë në vitet e krizës ekonomike është rritur nga 16 në 21 përqind. Më të përfshirë në konsumimin e remitancave janë familjet nga vendet rurale, ndërsa nga aspekti etnik, familjet shqiptare. “Analiza ka treguar se transferet private me të vërtetë zvogëlojnë dallimet sociale. Familjet, që pranojnë 2 mijë euro në vit nga remitancat, kanë më pak gjasa të hyjnë në grupin e të varfërve. Këto familje po ashtu kanë gjasa më të mëdha për të filluar edhe bizneset e veta”, thotë Marian Petrevski, profesor në “American College”.

Stabiliteti makroekonomik dhe remitancat

Profesori i universitetit të Evropës Juglindore, Veland Ramadani, thotë se, nëse analizohet struktura e shpenzimeve të remitancave, mbi 70 përqind e tyre shfrytëzohen për konsum privat, për mbulimin e obligimeve të përditshme, për ndërtim të shtëpive, apo për mbulimin e harxhimeve në gëzimet familjare. Remitancat dukshëm kontribojnë në stabilitetin makroekonomik. Pothuajse çdo vit deficiti buxhetor, ai i llogarisë rrjedhëse të bilancit pagësor dhe shumë boshllëqe të tjera mbulohen edhe nga remitancat, thotë profesor Ramadani. “Kapitali i mërgatës në masë të madhe ndikon në ekonominë e Maqedonisë dhe mes tjerash është edhe stabilizator kryesor i rezervave devizore të vendit”, shprehet Veland Ramadani.

Trend i rritjes së remitancave

Për rëndësinë e remitancave dhe ndikimin e tyre në ekonominë vendore, flet edhe profesori Bilall Kasami, ligjërues në Universitetin Ballkanik. Të dhënat në rrafshin makroekonomik flasin se remitancat janë një infuzion tejet domethënës për ekonominë e Maqedonisë. Nëse analizohet bilanci pagësor në 10 vitet e fundit, do të vërehet se në vazhdimësi remitancat paraqesin mbi një të tretën e të ardhurave nga eksporti dhe këto në numra paraqesin jo më pak se 1 miliardë dollarë amerikanë në nivel vjetor, thotë profesor Kasami. “Në vitet e fundit në vazhdimësi ka rritje të remitancave, edhe pse shtetet, ku janë përkohësisht të vendosur mërgimtarët tanë, ballafaqohen me kriza të thella ekonomike. Nëse llogarisim totalin e prurjeve nga remitancat në gjashtë vitet e fundit, del një shifër, që është më shumë se prodhimi bruto vendor i Maqedonisë për vitin 2007”, analizon eksperti i çështjeve të remitencave, profesor Bilall Kasami.

Përveç remitancave në të ardhmen duhet seriozisht të analizohet edhe mundësia e tërheqjes së investimeve nga mërgimtarët. Sipas professor Kasamit pushteti duhet të ndryshojë qasjen ndaj mërgatës, të vendosë një qasje sistemore, strategji, ku kapitalit të tyre do t'i kushtohet rëndësi më e madhe, pasi e gjithë kjo do të jetë në funksion të mirëqënies së qytetarëve të Maqedonisë.

Projekti „Diaspora invest“

Qendra për zhvillimin e rajonit të Pollogut dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperendimore, në bashkëpunim me komunat e Pollogut kanë përkrahur projektin e USAID-it, që ka për qëllim tërheqjen e investimeve nga diaspora “ Diaspora invest”. “Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperendimore është ombrellë e bizneseve ekzistuese, andaj ne do të ndihmojmë investitorët e ardhshëm përmes informimit të diasporës për mundësitë për investime në Pollog. Deri më tani në rajonin e Pollogut ka investime konkrete nga diaspora, ekonomia e vendit ka nevojë emergjente për thithjen e investimeve nga diaspora”, thotë Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore.

Në këtë periudhë të vitit, kur në shumë qytete të Maqedonisë vijnë mërgimtarët me familjet e tyre, autoritetet lokale organizojnë një sërë takimesh, për t'i informuar mërgimtarët me kushtet, që ofron Maqedonia për investimin e kapitalit të tyre. Investimi eventual i mërgimtarëve shikohet si një projekt afatgjatë edhe për kthimin e tyre në vendlindje.