1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Remi në duelin televiziv Merkel - Steinmeier

Me shumë kureshtje dhe interes u ndoq në Gjermani dueli elektoral mes dy kandidatëve kryesorë të zgjedhjeve parlamentare të 27 shtatorit. Sipas anketimeve pas duelit, të dy patën thuajse të njëjtin rezultat.

Dueli televiziv Merkel - Steinmeier.

Me kureshtje dhe interes u ndoq në Gjermani dueli Merkel - Steinmeier.

Një nga temat e para të debatit ishte kriza ekonomike. Angela Merkel u shpreh për koordinim në nivel ndërkombëtar: "Ne kemi nevojë për rregulla në tregun ndërkombëtar financiar, nga njëra anë, dhe për eksportimin e parimeve të tregut social. Prandaj edhe unë jam për një rregulla ndërkombëtare për ekonomi të qëndrueshme," tha ajo.

Nga dueli televiziv Merkel - Steinmeier.

Katër gazetarë, dy nga mediet publike dhe dy nga ato private, kërkuan përgjigjet e kancelares kristdemokrate dhe sfiduesit të saj socialdemokrat.

Ndërsa rivali i saj Steinmeier u tregua më sulmues duke kujtuar padrejtësinë që ekziston për shkak të të ardhurave tepër të larta të menaxherëve dhe pagave tepër të ulëta të punonjësve të thjeshtë: "Prandaj, Zonja Merkel, nuk mjafton vetëm të përmirësojmë kontrollin në nivel ndërkombëtar, por ne duhet të fillojmë me ndryshime edhe brenda vendit, e kjo do të thotë, që t'u vëmë kufi të qartë rrogave të menaxherëve, boneve si dhe shpërblimeve kur ata largohen nga puna." Po ashtu Steinmeier u shpreh për vendosjen e kufirit të poshtëm të pagave, pasi shumë njerëz në Gjermani nuk janë në gjendje të jetojnë nga pagat e tyre dhe krahas rrogës marrin edhe ndihmë nga shteti.

Energjia atomike

Një temë tjetër ku u vunë re dallime të vogla ishte ajo e mbylljes së centraleve që prodhojnë energji atomike. Edhe këtu Steinmeier sulmoi Merkelin dhe e detyroi atë të dilte në defensivë: "Unë po e theksoj se energjia bërthamore është e pranueshme si teknologji kalimtare dhe ajo duhet të jetë në nivel të lartë sigurie. Por, ndryshe nga socialdemokratët, unë them se mund të prodhojmë energji bërthamore edhe mbas vitit 2020", tha ajo, duke argumentuar se përzierja e dy energjive është më eficiente dhe i mban më të ulëta çmimet e rrymës.

Më i vendosur se Merkel u tregua Steinmeier edhe në lidhje me politikën ndaj Afganistanit, duke kërkuar që deri në fund të legjislaturës së ardhme në Afganistan të jenë krijuar kushtet e përshtatshme për të filluar me tërheqjen e trupave gjermane, ndërsa Angela Merkel në këtë pikë nuk donte të paracaktohej që më parë.

Nga dueli televiziv Merkel - Steinmeier.

Përshtypja e shumë analistëve është se as njëri e as tjetri nuk do të ishin kundër vazhdimit të qeverisjes në konstelacionin aktual, Merkel kancelare, Steinmeier ministër i jashtëm.

Qëndrime diametralisht të kundërta për tatimet

Në përgjithësi të dy kandidatët dolën që ishin në konsensus: Dallimet ishin në nuanca të vogla. Vetëm për një çështje ata u pozicionuan qartë në fronte të kundërta: Ndërsa Merkel është për uljen e tatimeve për ndërmarrjet, duke premtuar kështu më shumë rritje ekonomike si zgjidhje për të dalë nga kriza, Steinmeier-i thotë se kjo është e parealizueshme: "Në se ju do të kërkoni të ulni tatimet me 50 miliardë euro, atëherë për t'i re-financuar ato na duhet një rritje ekonomike prej 9 përqind, e këtë Gjermania nuk e pasur kurrë në historinë e saj," argumentoi ai.

Rezultati i duelit ishte i barabartë

Me këtë dhe sulme të tjera të vogla ndaj kancelares: Steinmeieri, i cili e njeh mirë materien, jo vetëm si ministër i jashtëm në legjislaturën aktuale, por edhe si shef i zyrës kancelare në kohën e Shrëderit, arriti të fitonte shumë më tepër pikë se ç'pritej: Sipas anketimit të televizionit publik ARD, rezultati i duelit ishte i barabartë. Për rrjedhojë, socialdemokratët mund të shpresojnë që të përmirësojnë rezultatin nëpër anketimet parazgjedhore, i cili aktualisht është 23 përqind, më i ulëti në historinë e tyre që nga formimi i RFGJ-së. Nuk pritet që pas këtij dueli Steinmeieri të fitojë më shumë vota se Merkel-i, por duket se shanset për vazhdimin e dyshes aktuale Merkel - Steinmeier janë shumë realiste.

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama

DW.COM

  • Data 14.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JeSi
  • Data 14.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JeSi