1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova për Serbinë postzgjedhore

7 Maj 2012

Zgjedhjet në Serbi kanë rezultuar me suksesin e madh të socialistëve, daljen nga parlamenti të ultranacionalistëve dhe me pikëpyetje shumë të mëdha për koalicionin qeveritar.

https://p.dw.com/p/14r5j
Boris Tadiq
Boris TadiqFotografi: dapd

DW: Cilat janë risitë kryesore të këtyre zgjedhjeve në Serbi?

Dushan Reljiq: Këto zgjedhje kanë dëshmuar se shumica e votuesve nuk është e kënaqur me politikën e strukturave të tanishme në pushtet. Por votuesit nuk kanë parë ndonjë alternativë tjetër më të mirë. Ky është edhe shkaku pse këto zgjedhje nuk kanë sjellë ndonjë risi tepër të madhe. Të gjitha koalicionet janë të mundshme. Për koalicionin qeveritar do të vendoset mbase pas balotazhit të zgjedhjeve presidenciale. Por analistët në Beograd janë të mendimit se koalicioni i deritanishëm, Partia Demokratike e Boris Tadiqit dhe socialistët e Ivica Daçiqit së bashku me një partner të tretë, do të mbeten në pushtet.

DW: Zoti Reljiq, fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve është Partia Socialiste, e cila ka dyfishuar numrin e votave. Lideri i saj Ivica Daçiq ka kërkuar menjëherë postin e kryeministrit. Është e realizueshme kjo kërkesë?

Dushan Reljiq (në qendër), ekspert i Institutit për Shkencë e Politikë në Berlin në një podium diskutimi
Dushan Reljiq (në qendër), ekspert i Institutit për Shkencë e Politikë në Berlin në një podium diskutimiFotografi: DW

Dushan Reljiq: Kjo varet nga negociatat e ardhshme, sepse është shumë vështirë të paramendosh që një parti me rreth 15 -16 % të marrë postin e kryeministrit. Kjo është ambicja e tij, por mendoj se partitë më të mëdha - Partia Demokratike apo Partia Përparimtare Serbe e Tomisllav Nikoliqit - nuk do ta pranojnë këtë kërkesë.

DW: Çfarë domethënie kanë këto zgjedhje për rrugën e Serbisë drejt integrimeve evropiane dhe a mendoni se do të ketë ndonjë ndryshim në këtë rrugë?

Dushan Reljiq: Gati 4/5 apo rreth 80 % e votave në këto zgjedhje janë dhënë për partitë që angazhohen për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Por ka rënë shumë besimi i popullit se anëtarësimi në BE do të zgjidhte shumë probleme në Serbi. Natyrisht që qytetarët e këtushëm shikojnë me vëmendje edhe zhvillimet në vendet tjera dhe rezultati i zgjedhjeve në Greqi dëshmon se për BE-në dhe euron priten kohë edhe më të vështira. Ndërkohë që vendet e Evropës Juglindore shpesh duhet të shikojnë të gjejnë investorë në vendet e tjera jashtë BE-së, sepse vendet anëtare të këtij organizmi nuk janë në gjendje apo nuk duan të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.

DW: A do të thotë kjo se mund të rrezikohet rruga evropiane e Serbisë dhe e vendeve tjera të rajonit?

Dushan Reljiq: Kjo varet prej thellimit të krizës dhe pasojave të kësaj krize në vendet e Evropës Juglindore. Vetëm në Serbi nga viti 2009 deri më sot kanë humbur punën rreth 450.000 persona. Ngjashëm është situata edhe në Bosnjë-Hercegovinë, në Maqedoni, e për Kosovën të mos flasim. Njerëzit më shumë janë të interesuar për çështjet ekzistenciale dhe jo për përrallat se si një ditë do të vijë një ardhmëri e mirë në BE.

DW: Zoti Reljiq, çfarë do të thonë këto zgjedhje për Kosovën? Mendoni se do të ketë ndryshim të politikës ndaj Kosovës apo do të vazhdohet me politikën e deritanishme?

Dushan Reljiq: Kosova nuk ka qenë ndonjë temë e madhe në këtë fushatë. Në njërën anë, kjo ka të bëjë me faktin që partitë e mëdha e kanë kuptuar se hapësira manovruese e Beogradit është shumë e kufizuar për shkak të qëndrimeve të SHBA dhe vendeve të BE-së - si Gjermania, Britania dhe Madhe dhe Franca. Në anën tjetër, në Kosovë nuk ka pasur shumë vota për të fituar - rreth 100.000. Por kjo nuk do të thotë që tema e Kosovës do të zhduket nga trualli politik. Trajtimi i çështjes së Kosovës varet nga siguria, stabiliteti dhe dinamika e zhvillimeve në Kosovë. Përshtypja ime është se në Beograd askush nuk është i interesuar që në Kosovë të ketë tendosje dhe shqetësime të mëdha, me qëllim që Serbia të koncentrohet në zgjidhjen e problemeve të mëdha me gjendjen ekonomike.

DW: Politika e Serbisë varet, siç e thatë edhe Ju, nga qëndrimet e "lojtarëve të mëdhenj", mendoni se Beogradi do të prezantojë ndonjë strategji të re ndaj Kosovës?

Dushan Reljiq: Nuk e besoj se do të ketë ndonjë strategji të re. Beogradi nuk është në gjendje që të imponojë zgjidhje të reja për Kosovën, por duhet të reagojë varësisht nga qëndrimet e BE dhe SHBA. Ndërkohë që në qoftë se vazhdohet me kërkesat që Kosova të jetë pjesë e Serbisë, Beogradi është i varur nga mbështetja e Rusisë dhe Kinës në KS të OKB-së. Dhe së fundi, Beogradi varet nga qëndrimet e Prishtinës dhe tonet eventuale agresive. Unë e shoh Beogradin aktualisht në një pozitë defensive përsa i takon çështjes së Kosovës.

DW: Kreu i socialistëve Ivica Daçiq ka kërkuar postin e kryeministrit ndërkohë që gjatë fushatës është angazhuar për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Mendoni se kjo kërkesë mund të jetë në të ardhmen edhe kërkesë zyrtare e Beogradit?

Dushan Reljiq: Së pari, kushtetuta e Serbisë thotë se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë. Që një qeveri të kërkojë zyrtarisht ndarjen e Kosovës, më parë duhet të ndryshojë kushtetutën. Së dyti, aktualisht SHBA dhe vendet vendimtare evropiane janë strikt kundër ndarjes së Kosovës, sepse kanë frikë nga reflektimi i kësaj ndarjeje në Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë. Përshtypja ime është që në Beograd dhe Prishtinë ka relativisht shumë simpati për një marrëveshje, ndoshta jo formale por de facto, e cila do të nënkuptonte forcimin e linjës ndarëse. Si do të realizohet kjo, varet prej qëndrimeve në Bruksel dhe pozicioneve që do të kristalizohen gjatë dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi