1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reljiq: Emigrimi i kosovarëve ka dhe anët pozitive

Intervistë me Dushan Reljiq, shef i zyrës SWP në Bruksel. Marrëveshja për drejtësinë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë e domosdoshme në rrugën e afrimit me BE, pohon Reljiq, i cili flet edhe për emigracionin nga Kosova.

Deutsche Welle: Zoti Reljiq, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar në Bruksel një marrëveshje për funksionimin e sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës. A mund të konsiderohet ky edhe një hap tjetër drejt normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, apo është bërë vetëm për shkak të afrimit të palëve me Bashkimin Evropian?

Dushan Reljiq: Mendoj se ju keni dhënë vetö edhe përgjigjen në këtë pyetje. Kjo marrëveshje ka qenë parakusht që Beogradi dhe Prishtina të bëjnë një hap më tej në rrugën e afrimit me BE. Kështu interpretohet kjo marrëveshje si në Bruksel, ashtu edhe në mediat e rajonit. Të dy kryeministrat - Mustafa dhe Vuçiq - thonë se ata e kanë bërë edhe një hap tjetër në procesin e afrimit me BE. Kjo marrëveshje është në veçanti problematike për Vuçiqin, sepse ai ka rënë dakord që edhe në veri ku serbët përbëjnë shumicën, të zbatohen ligjet e Kosovës. Kjo i shkakton Vuçiqit probleme të brendshme politike, ndaj ai po përpiqet të sigurohet me pohimet se tani po plotësohen kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Deutsche Welle: Veriu i Kosovës gjithmonë ka qenë një prej synimeve të Beogradit për shtrirjen e pushtetit, me qëllim që ndoshta një ditë të realizohet edhe projekti për ndarjen e Kosovës. Opozita serbe e ka kritikuar Vuçiqin se me këtë marrëveshje e ka njohur Kosovën. A do të thotë kjo vërtetë njohje e Kosovës?

Dushan Reljiq: Këto kritika janë dëgjuar sot nga opozita - si nga Partia Demokratike ashtu edhe nga opozita e djathtë. Vuçiqi po përpiqet të mbrohet me pohimet se "ka bërë më të mirën e mundshme për popullin serb në Kosovë". Edhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, ka deklaruar se është bërë një hap i madh në drejtim të fillimit të negociatave me BE, që është qëllimi kryesor i Beogradit. Daçiqi ka mbrojtur Vuçiqin me fjalët se "kryeministri ka dëshmuar forcën e liderit". Në këtë mënyrë po përpiqet të zbusë edhe kritikat ndaj kryeminsitrit Vuçiq. Por Vuçiq dhe Daçiq thonë se bisedimet me palën kosovare janë neutrale, sa i përket statusit përfundimtar të Kosovës. Nëse vërtetë është kështu, do të shohim më vonë.

Deutsche Welle: Qëllimi i Serbisë është fillimi i negociatave për anëtarësim me BE-në. Por a mund të paramendohet fillimi i negociatave dhe anëtarësimi i Serbisë në BE, pa normalizimin e plotë të raporteve me Kosovën?

Dushan Reljiq: Në BE dhe në strategjinë e BE-së gjithmonë thuhet se normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës është parakusht për fillimin e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE. Serbia është kandidate qe një vit dhe ndërkohë ka përfunduar gati në tërësi procesi i kontrollimit të gjendjes ligjore në Serbi. Praktikisht 27 vende janë dakord që të fillojnë negociatat me Serbinë. Rezistenca kryesore deri tani ka ardhur nga Berlini, i cili do të vlerësojë tani, nëse janë plotësuar kushtet për filimin e negociatave me Serbinë për anëtarësim. Këshilli Federal (Bundesrati) ka dhënë javën e kaluar një sugjerim për fillimin e negociatave.

Deutsche Welle: A mund të pritet ndryshimi i qëndrimit të Gjermanisë, pasi që deri tani është thënë shumë qartë se Berlini do t'i përmbahet një vendimi të miratuar para dy vitesh në Bundestag, ku thuhet se negociatat e Serbisë me BE, nuk mund të fillojnë pa normalizimin e raporteve me Kosovën?

Dushan Reljiq: Nuk e besoj se do të ndryshojë qëndrimi i Berlinit. Berlini duhet të shqyrtojë tani gjendjen dhe të konstatojë, nëse janë pjekur kushtet për fillimin e negociatave me Beogradin. Në këto vlerësime nuk luajnë rol vetëm raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe rrethanat politike dhe gjeostrategjike në rajon, duke mos harruar edhe zhvillimet në Ukrainë. Përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme Mogherini ka qenë shumë e kënaqur me rezultatin e negociatave në Bruksel. Ndaj besoj se në BE po shtohet bindja se janë pjekur kushtet për fillimin e negociatave me Serbinë.

Deutsche Welle: Zoti Reljiq, Serbia do të fillojë negociatat për anëtarësim me BE, po çfarë fiton Kosova me këto bisedime me palën serbe - përveç funskionimit eventual të shtetit juridik në tërë territorin e saj?

Dushan Reljiq: Dy gjëra. Një, të cilën e përmendët edhe ju, që ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës tani vlejnë gjithandej, pra edhe në veri. Dhe dy, kjo marrëveshje ndihmon palën kosovare që të kërkojë zbatimin më të shpejtë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Ajo mund të kërkojë tani edhe përshpejtimin e procesit për heqjen e vizave. Në përgjithësi kjo ndihmon edhe Prishtinën si një partner i besueshëm në negociatat e ardhshme për anëtarësim në BE.

Deutsche Welle: A mund të flitet tani për heqjen e vizave në këtë periudhë të largimit masiv të kosovarëve nga vendi i tyre dhe si do të ndikojë vala më e re e ikjeve nga Kosova në procesin e liberalitzimit të vizave?

Dushan Reljiq: Jam i sigurt që tani në BE do të ketë më shumë zëra, që thonë se ende nuk janë pjekur kushtet për heqjen e vizave për kosovarët. Por besoj ky eksod masiv nga Kosova ka edhe një dimension pozitiv. Më në fund në Bruksel dhe në metropolet e tjera duhet të pranojnë se papunësia dhe mungesa e perspektivës socio-ekonomike janë problemet më të mëdha në rajon dhe se për Kosovën duhet gjetur rregulla shumë të veçanta. Në vitet e fundit kam theksuar shpesh se si pasojë e rritjes së numrit të popullatës në Kosovë dhe mungesës së perspektivës ekonomike, një proces i tillë është i pashmangshëm. Kjo nuk duhet të mohohet dhe nuk duhet të trajtohet si një komplot kundër Kosovës. Kosova për nga madhësia është sa një e treta e Belgjikës. Në tregun e punës në këtë vend vijnë çdo vit rreth 30.000-40.000 punëtorë të rinj. Kaq shumë vende pune nuk mund të hapen, në veçanti jo në një vend të varfër si Kosova. Ndaj largimi, emigrimi i rregulluar, është në fakt zgjidhja e vetme e mundshme. Në raportet e Bankës Botërore dhe FMN-së për Kosovën gjithmonë është theksuar se rritja ekonomike në Kosovë është e mundur vetëm për shkak të remitencave të kosovarëve, që jetojnë jashtë vendit. Qeveria në Kosovës deri tani nuk e ka hapur fare këtë temë me qarqet perëndimore, nga frika se do të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave, apo nga frika se Kosova mund të paraqitet në perëndim si faktor destabilizimi. Kjo tani nuk vlen më. Ndaj është e domsdoshme një politikë shumë ofensive për të krijuar një bazë të re për rregullimin e emigrimit në mbarë rajonin.