1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rekordet e Çmimit Nobel

Së shpejti do të ndahen çmimet Nobel në shumë kategori. Por si erdhi deri te ky çmim? Cilat janë rekordet dhe kush ka fituar më së shumti në 112 vitet e kaluara?

Familjarët e Alfred Nobelit ishin të mllefosur shumë me vendimin e tij në testament që pas vdekjes e tërë pasuria e tij të shkonte në një fond bamirës. Ata e kundërshtuan testamentin edhe me gjyq. Ndaj çmimi i parë Nobel u nda në vitin 1901 - pesë vjet pas vdekjes së Alfred Nobelit. Prej atëherë kanë ndodhur shumë gjëra...

Çmimi Nobel i akordohet një të vdekuri

Për çmimin Nobel mund të kandidojnë vetëm të gjallët. Por mbajtësja e çmimit Nobel për paqe Dag Hammarskjöld në vitin 1961 dhe ai i çmimit Nobel për letërsi Erik Axel Karlfeldt (1931), janë nderuar pas vdekjes, pasi që kanë vdekur në periudhën mes nominimit dhe bërjes publike të vendimit. Prej vitit 1974 as kjo më nuk lejohet.

Më 2011 çmimi Nobel megjithatë i është dhënë një të vdekuri. Kur Komiteti bëri publik vendimin që Ralph Steinman t'i jepet çmimi Nobel për mjekësinë, nuk e dinte se ai kishte vdekur para tre ditësh. Në këtë rast u bë një përjashtim. Pasardhësit e Steinmanit e kanë marrë më pas këtë çmim.

Çmimi i dyfishtë

Katër shkencëtarë janë nderuar dy herë me Çmimin Nobel. Amerikani John Bardeen ka fituar dy herë çmimin Nobel për fizikë: një herë për zhvillimin e tranzistorit (1956), dhe herën e dytë për teorinë e veçorive të rrezistencës së metaleve (1972). Shkencëtari britanik i biokimisë Frederick Sanger është nderuar dy herë në lëminë e kimisë (1958) për shpjegimin e strukturës së insulinës dhe (1980) për metodën e shpjegimit të bazës së ADN-së.

Një kombinim të pazakonshëm e ka arritur kimisti amerikan Linus Pauling i cili në vitin 1954 është nderuar me çmimin Nobel për kimi ndërsa në vitin 1962 ka fituar në konkurrencën e kandidatëve për çmimin Nobel për paqe. Pauling është angazhuar fuqishëm kundër armëve atomike.

Femrat janë nderuar më pak

Marie Curie është e vetmja grua që ka marrë dy çmime Nobel njëherësh

Marie Curie është e vetmja grua që ka marrë dy çmime Nobel njëherësh

Nobelistja më e njohur e dyfishtë është me siguri Marie Curie, e cilia në vitin 1903 u ndërua për kontributin e saj në fizikë, (për studimet e radioaktivitetit) ndërsa në vitin 1911 ka fituar edhe në kimi për zbulimin e elementeve kimike Polonium dhe Radium.

Femrat janë nderuar deri tani me çmimin Nobel vetëm 44 herë nga 2012 çmimet e ndara. Vetëm 16 herë një grua është nderuar për kontributin e saj në shkencë, që do to të thotë vetëm 3 % nga numri i përgjithshëm. Për arritjet në fizikë janë nderuar dy femra, në kimi katër dhe në mjekësi 10.

Refuzimi i çmimit Nobel

Çmimin Nobel e kanë refuzuar deri tani vetëm dy persona: Le Duc Tho e ka refuzuar çmimin Nobel për paqe ndërsa Jean-Paul Sartre për letërsi. Sartre i ka refuzuar në përgjithësi çmimet zyrtare, ndërsa Le Duc Tho e ka refuzuar çmimi Nobel për shkak të situatës së atëhershme në Vjetnam. Në sektorin e shkencave një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më sot.

Por shkencëtarët gjermanë e kanë pasur të ndaluar në kohën e Hitlerit që ta pranojnë çmimin Nobel. Ky urdhër i ka prekut Richard Kuhn (kimi 1938), Adolf Butenandt (kimi 1939) dhe Gerhard Domagk (mjekësi 1939). Ata i kanë marrë shpërblimet dhe mirënjohjet pas Luftës së Dytë Botërore, por paratë ishin të humbura.

Cili komb është më i suksesshmi?

Më së shumti çmime Nobel kanë fituar fituar në tri lëmitë shkencore (fizikë, kimi dhe mjekësi) amerikanët: 43 %. Në kimi dhe në fizikë në vendin e dytë janë gjermanët ndërsa në të tretin britanikët, ndërsa në mjekësi anasjelltas: britanikët në vendin e dytë, ndërsa gjermanët në të tretin. Në vendin e katërt janë francezët.

Datat më të shpeshta të lindjes së bartësve të këtij çmimi janë 21 maj dhe 28 shkurt. Ndërsa mosha mesatare është 59 vjeç. Bartësi më i ri i çmimit Nobel, me vetëm 25 vjet në vitin 1915 ishte fizikani Lawrance Bragg. Ndërsa ndër më të moshuarit ishin: 88 vjeç në vitin 2002 fizikani Raymond Davis Jr, Lloyd Shapley 89 dhe Leonid Hurwicz 90 vjeç.