1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rekomandimi i KE dhe shanset e Shqipërisë

Këshilli Europian vendos në dhjetor, nëse do të hapë ne 2014 negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

default

Në muajt e paktë, që kanë mbetur deri në dhjetor të këtij viti, Shqipërisë i duhet të bëjë shumë. Asaj i duhet të bindë Këshillin Evropian të Ministrave të vendeve anëtare të BE se ka konsoliduar arritjet, që çuan në rekomandimin, që Komisioni Europian i bëri dje BE, që Shqipërisë t'i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim.

“Ambasadori i delegacionit të BE në Tiranë, Etttore Sequi, tha mbrëmë në një konferencë shtypi se “Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t'i jepet statusi i vendit kandidat me mirëkuptimin që Shqipëria do të vazhdojë të marrë masa në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për të kaluar në fazën tjetër, atë të hapjes së negociatave me BE për anëtarësim, Shqipërisë i duhet të plotësojë përparësi të tjera kyçe me fokus të veçantë në reformën administrative, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore të njeriut. Dialogu politik konstruktiv dhe i qëndrushëm do të mbetet thelbësor për një process të sukseshëm politik.”

Mirëkuptim i Komisionit Europian për vijim të luftës efikase kundër korrupsionit

Rekomandimi i tanishëm, që KE i jep BE, që t'i japë statusin e vendit kandidat për anëtarësim Shqipërisë, është pa kushte. Por ai përmban “mirëkuptimin”, që Shqipëria do të vijojë dhe konsolidojë arritjet në këtë fushë, që në progres raportin e publikuar dje në Bruksel cilësohen “fillestare”.

“Shqipëria ka ndërmarë hapa fillestare drejt përmirësimit të efikasitetit të hetimeve dhe ndjekjes penale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha mbrëmë ambasadori Sequi në konferencën për shtyp. Duke sjellë fakte për progresin e shënuar në këtë fushë, ai tha se në 6 muajt e parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën peridhë të vitit të kaluar, ka 19% më pak çëshje të pushuara gjyqësore, rritje me 21% të dënimeve për korrupsion në gjykatat e rretheve dhe shtim 13% të dënimeve të dhëna nga Gjykata e Apelit. Ndërkohë që dënimet për korrrupsion të zyrtarëve të lartë janë dyfishuar nga 2 në vitin 2012 në 4 në 6 mujt e parë të këtij viti. Hetimet dhe dënimet për korrupsion janë shtrirë në sektorin e arsimit, shëndetësisë, doganave, tatimeve, policisë.

“Në muajt, që kanë mbetur deri në dhjetor të këtij viti, duhen konsoliduar këto arritje, duhet bërë hartimi i një strategjie të re kombëtare të luftës kundër korrupsionit, rishikimi i kodit të procedurave penale dhe i bashkëpunimit ndërinstitucional mes institucioneve të zbatimit të ligjit. Shqipëria ka potenciale të mëdha për të konsolduar këto rezultate. Ka shumë rëndësi se si i përdor energjitë e saj. Komisioni Europian është i gatshëm të japë asistencën e tij në këtë rrugë”, tha mbrëmë ambasadori Sequi.

Ambasadori i delegacionit të BE në Tiranë, Ettore Sequi

Ambasadori i delegacionit të BE në Tiranë, Ettore Sequi

Për të luftuar me sukses korrupsionin në Shqipëri (CoE) organizata e fuqishme ndërkombëtare, ku Shqipëria është anëtare që në vitin 1995, rekomandon kombinimin e vullnetit politik me struktura të pavarura anti-korrupsion. Wolfgang Rau, Sekretari Ekzekutiv i GRECO, Groupe d'Etats contre la corruption, (Grupi i shteteve kundër korrupsionit), strukturë e Këshillit të Europës, tha për DW:

“Lypset një vullnet i fortë politik në nivelin më të lartë politik, që përkthehet në masa konkrete për të siguruar, që policia, prokuroria dhe gjykatat të kenë në dispozicion mjetet e duhura për të kryer punën e tyre, përfshirë edhe një numër të mjaftueshëm stafi të specializuar. Ndërkohë që ngritja e një strukture të fuqishme, të pavarur anti-korrupsion ka provuar të jetë një aset në luftën kundër korrupsionit”.

Shpresat për vendimin e dhjetorit 2013

Drita e gjelbër e shumëpritur nga Shqipëria për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE do të varet nga opinioni i ministrave të gjithë vendeve anëtare të BE, i cili do të jepet në dhjetor. Shqipëria duhet të bindë vendet skeptike, se po ecën drejt konsolidimit të arritjeve dhe frymës së konsensusit mes palëve. A ka patur raste deri më tani kur Këshilli Europian nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e Komisionit Europian? Gledis Gjipali, Drejtor Ezekutiv i “Lëvizja Europiane - Shqipëri” thotë për DW: “Rast interesant, ku Këshilli Europian nuk ka marrë parasysh rekomandimin e KE, është ai i Greqisë, kur ndonëse Komisoni vlerësoi se Greqia nuk ishte gati për anëtarësim në Komunitetin Europian, vendet anëtare vendosen të vazhdonin procedurën e anëtarësimit. Por në shumicën e rasteve, sidomos në valët e fundit të zgjerimeve, Këshilli Europian ka ndjekur rekomandimet e Komisionit. Kur nuk është i bindur me vlerësimin e Komisionit, mund të kërkojë raport plotësues për fusha specifike me rëndësi”.

Por braktisja e Parlamentit nga opozita për shkak të kundërshtimit të aktit normativ lidhur me statusin e nëpunesit civil rrezikon konsensusin politik të kërkuar me ngulm nga KE.

“Mendoj se veprimet e opozitës nuk do të ndikojnë në vendimmarrjen e Këshillit Europian në dhjetor të këtij viti. Rekomandimi i Komisionit është pa rezerva dhe në vendimin e dhjetorit do të vlerësohen arritjet e vendit gjatë gjithe 2013. Nëse vendet anëtare nuk janë dakord me vlerësimin e Komisionit, kjo mund të ndodhë vetëm lidhur me mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Elementet politike të pengimit të statusit u tejkaluan me miratimin e tre ligjeve në maj të këtij viti dhe me realizimin e zgjedhjeve parlamentare brenda standardeve ndërkombëtare të kërkuara”, thotë Gledis Gjipali për DW.

Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat për anëtaresim në vitin 2009.