1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri

Publikimi së fundi i raportit final të OSBE/ODIHR-it mbi zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe paketa e rekomandimeve për përmirësimin e standarteve në të ardhmen është vënë në qëndër të debatit në Shqipëri

Listë votuesish në zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri

Listë votuesish në zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri

Premto Gogo, drejtor i “KRIIK Albania”, është përfaqësues i koalicionit të vëzhguesve vendorë, një rrjet organizatash që prej vitesh monitoron proceset elektorale në Shqipëri. Koalicioni në fillim të muajit shtator do të bëjë publike një paketë propozimesh konkrete për aspekte të reformës elektorale. Ajo që është thelbësore në këtë proces, të cilën ne e kemi kërkuar prej më shumë se një viti, por që e nënvizon qartë dhe raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it, ka të bëjë me gjithëpërfshirjen e aktorëve, thotë Premto Gogo për DW.

“Të jenë jo vetëm dy partitë e mëdha, por dhe subjektet e tjera politike që janë prezente ose jo në parlament, si dhe aktorë me peshë që ndjekin procesin zgjedhor, ku hyn dhe koalicioni i vëzhguesve vendorë. Elementi i dytë mbi të cilin ne na duhet të ushtrojmë presion është minimizimi në maksimum i ndërhyrjeve politike në administrimin e procesit, që nga KQZ e deri në nivelet e treta të organizimit”.

Premto Gogo, drejtor i KRIK Albania

Premto Gogo, drejtor i "KRIK Albania"

Lidhje organike mes atyre që zgjidhen dhe votuesve

Ndërhyrje sipas Gogos mund të bëhen dhe në sistemin zgjedhor ku të aplikohet formula me ‘lista të hapura' të kandidatëve të partive në mënyrë që kjo të mos jetë atribut eskluziv vetëm i kryetarit të partisë. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të ketë një lidhje organike mes atyre që duan të zgjidhen dhe votuesve. Objekt tjetër përmirësimi në kodin elektoral, sipas aktivistëve të koalicionit të vëzhguesve vendorë, duhet të jenë ato pjesë ku ka dykuptueshmëri, apo paqartësi procedurash, të cilat kanë qënë shkak për interpretime të kundërta dhe krijimin e situatave bllokuese në dy zgjedhjet e fundit që janë zhvilluara në Shqipëri.

“Të parashikohet që vendimet kryesore të jenë në formë konsensuale, sidmos nga KQZ, çka do ti shtyjë partitë politike ose KQZ-në, si do që të krijohet, që vendimarrjen kryesore ta kenë të bazuar së pari në ligj dhe së dyti të shprehin konsensusin e të gjitha palëve që garojnë në proces”.

Për aktivistët e shoqërisë civile ka ardhur koha që në Shqipëri në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve dhe në apelimin e aspekteve të veçanta të angazhohen dhe aktorë të tjerë. Kjo do të mënjanonte precedentët kur vendimet politike dalin mbi kuadrin ligjor, për hir të gjoja të arritjes së konsensusit mes palëve.

KQZ - mollë sherri

Një nga çështjet më të debatuara, që prekej dhe në raportin final të OSBE/ODIHR-it është përbërja e KQZ. “Pavarësisht se cili institucion ose subjekt do ti propozojë, anëtarët e KQZ-së ata duhet të sillen si të pavarur dhe ‘varësia e vetme' e tyre është ligji, kushtetuta e këtij vendi”, thotë Premto Gogo.

Njëri prej ekspertëve më të njohur në Shqipëri për proceset elektorale e referendare, prof. Kristaq Kume mendon se reformimi i kodit ekzistues duhet të prekë dhe vetë formulat e realizmit të votimeve.

“Në të cilin mund të trajtohet dhe mënyra e votimit elektonik, pra jo si deri më tani me fletë votimi, por dhe mënyra se si bëhet ‘leximi' i votës, ku të aplikohet teknika e skanimit ose metoda të tjera të avancuara që ofron teknologjia e informacionit”.

Ankimimet- kohëzgjatja e shkurtër

Profesor Kristaq Kume, ekspert për proceset elektorale

Profesor Kristaq Kume, ekspert për proceset elektorale

Prof. Kume thotë për DW-në se duhet të rishikohet dhe elementi i trajtimit administrativ dhe gjyqësor i ankimimeve që kanë subjektet e ndryshme konkuruese. “Eksperiencat e zgjedhjeve të kaluara kanë treguar hapur që kohezgjatja e ankimimive ka vonuar shpalljen e rezultateve finale dhe këto skena duhet të marrin fund”.

Prof. Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ-së, përsërit disa herë që subjektet politike nuk duhet të humbin asnjë minutë kohë në realizimin e reformës elektorale. “Duke e nisur qysh tani do të ketë mundësi që me qetësi e profesionalizëm të bëhet çdo meremetim që i shërben përmirësimit të standarteve, ashtu si ato zhvillohen në vendet anëtare të BE-së. Në të kundërt, nëse gjërat lihen për ‘minutën e fundit' reforma do të jetë sipërfaqësore dhe nuk do të zgjidhë problemet por do ti agravojë më shumë ato”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Kelmendi